Rrëfimi i të penduarit të Elbasanit, '…qëllova berberin me armë, u strehova tek Olsi Leku…'

7 Dhjetor 2020, 19:22| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 23:13

  • Share

Zbardhet ekskluzivisht rëfimi i Ervis Bardhit, bashkëpunëtorit të prokurorisë së Elbasanit, i cili tregon me detaje vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqirit në gusht 2012, njohjen me Etjen Canin, Jorgo Lekun dhe Klajdi Dokolin, miqtë e familjes Çapja që morën pjesë në vrasjen e dyfishtë.

Në këtë rrëfim ekskluziv që zbardh “Shqiptarja.com”, qartësohet roli i personave që kanë marrë pjesë në vrasje, kërcënimet që janë kryer, burgun e bërë nga Ervis Bardhi për llogari të Etien Canit dhe detaje të tjera, që sigurisht do i zbardhim në ditët në vijim, për shkak të rrëfimit të gjatë të bashkëpunëtorit të prokurorisë Ervis Bardhi.

Momentalisht Bardhi dhe Etien Cani, janë marrë të pandehur nga prokuroria dhe çështja ndaj tyre është dërguar në gjykatë për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Rrëfimi i Bardhit, solli arrestimin e 3 personave të tjerë si Etien Cani, Klajdi Dokoli dhe Jorgo Lekut, ndërsa për këtë ngjarje vijojnë ende të kryhen hetime, përsa i përket identifikimit dhe arrestimit të personave që kanë urdhëruar dhe paguar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan.

Në rëfimin që Bardhi ka dhënë në polici, ka sqaruar se është dorëzuar në muajin qershor 2019 me vullnetin e tij, pasi kishte kuptuar se policia dhe prokuroria e Elbasanit, kishin rënë në gjurmët e tij, për shkak se gjurmët e gishtave të Bardhit, ishin gjetur në targën e makinës që kishin përdorur për vrasjen e babë e bir.

Dorëzimi i Bardhit, është kryer në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka takuar drejtuesit më të lartë të hetimit të krimit dhe mandej, ka vendosur të rrëfejë gjatë të gjithë veprimtarinë kriminale të tij, por edhe se si u vu në shërbim të një prej grupeve më të forta në qytetin e Elbasanit.

Berberi i ngacmoi të dashurën Etjen Canit, "u hakmorëm dhe e qëllova me psitoletë"

Në rrëfimin e tij, bashkëpunëtori i prokurorisë Bardhi tregon se “...gjatë viteve 2010-2011, kam pasur lidhje dashurie me A.Bardhi, të cilën aktualisht e kam bashkëshorte dhe nga martesa kemi 1 fëmijë. Në vitin 2010, unë kam pasur lidhje shoqërore me Etjen Canin dhe gjatë kësaj periudhe kemi ndenjur së bashku në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kryesisht në kafenetë e lagjes tonë, lagjia “Çlirimi” në Elbasan...”.

Më pas, Ervis Bardhi tregon se: “...në datën 11 shtator 2010, rreth orëve të para të mëngjesit, unë jam telefonuar nga Etjen Cani dhe jemi takuar në kafe. Gjatë bisedës tonë, Etjeni më ka thënë mua një shqetësim që kishte, lidhur me personin, Ardit Sula, duke pretenduar se ky, i ka ngacmuar të dashurën....”.

Nga ana e Etjenit, i është dhënë Ervisit numri i telefonit të Arditit dhe Ervisi, ka komunikuar me Arditin duke bërë debat në telefon. Pas këtij debati, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar tek vendi ku Arditi punonte si berber, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Dinamos”, në qytetin e Elbasanit.

Pasi kanë shkuar atje, Ervisi dhe Etjeni kanë debatuar me Ardit Sulën dhe në grindje e sipër, Ervis Bardhi, ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të Ardit Sula, por pa mundur ta dëmtojë atë.

Etjen Cani, Gentian Beqiri (siper), Ervis Bardhi, Nezir Beqiri (poshte) dhe Olsi Leku

“Ikëm në Tiranë, na strehoi Olsi Leku kushëriri i Etjenit”

Pas qëlloi berberin me armë, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, janë larguar nga vendi i krimit dhe nga ana e policisë janë kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes. Pas shpalljes në kërkim, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, kanë shkuar në qytetin e Tiranës.

Në qytetin e Tiranës, ata janë takuar me kushëririn e Etjenit, Olsi Leku, edhe ky banor i qytetit të Elbasanit, por që gjatë asaj periudhe jetonte herë në qytetin e Tiranës dhe herë në shtetin grek. Etjen Cani me Olsi Leka alias Jorgo Leku, kanë lidhje familjare, pasi babai i Olsi Lekut, është martuar me hallën e Etjen Canit.

Pasi Ervis Bardhi dhe Etjen Cani janë takuar me Olsi Lekën, ky i fundit i ka ndihmuar duke u gjetur shtëpi me qira dhe duke u dhënë para me qëllim që ata t’i fshiheshin policisë, e cila i kërkonte në lidhje me ngjarjen e datës 12 shtator 2010, ku kishin qëlluar me armë berberin Ardit Sula.

Teksa kanë ndenjur së bashku herë në qytetin e Tiranës dhe herë në qytetin e Durrësit nëpër shtëpi të ndryshme, personi që i ndihmonte ishte Olsi Leku.  “…teksa rrinim në arrati, kemi diskutuar me Etjenin dhe Olsi Lekun se goditjen me armë ndaj Ardit Sulës ta merrja unë përsipër, pasi do rregulloheshin gjërat. Etjen Cani, në lidhje me këtë ngjarje, nuk është proceduar dhe çështja në ngarkim të tij është pushuar nga prokuroria. Ndërkohë unë në datën 2 shkurt 2011, jam vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Elbasan, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë…”-thotë dëshmitari i prokurorisë.

Dënimi me 8 muaj burg, pas lirimit Olsi Leku, më përdorte për transport droge

Pas dorëzimit pranë organeve të drejtësisë, në 11 shkurt 2011, Ervis Bardhi tregon se është dënuar nga gjykata e Elbasanit me 8 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.  Nisur nga ky fakt, Ervis Bardhi, është dërguar në IEVP-në Peqin, me qëllim vuajtjen e këtij dënimi. “...në dhomat e paraburgimit unë kam qëndruar rreth 5 muaj, duke përfunduar dënimin e dhënë nga gjykata...” - tregon Bardhi.

Pas përfundimit të dënimit, unë së bashku me A. Bardhin kemi filluar të jetojmë herë në qytetin e Elbasanit, në banesën e A. Bardhi, dhe herë në qytetin e Tiranës, ku edhe merrnim shtëpi me qira. “…gjatë kësaj kohe, unë kam filluar të qëndroj në shoqërinë e Olsi Lekës alias Jorgo Leku, i cili ishte i martuar me E. Leku, familja e së cilës banonte në qytetin e Tiranës, në zonën e ish-Kombinatit të Tekstileve.

Unë së bashku me Jorgo Lekun, kemi filluar të merreshim me aktivitetin e kundërligjshëm të transportit të lëndëve narkotike, të cilën e siguronim në qytetin e Gjirokastrës, pasi Olsi Leku kishte lidhje me persona të ndryshëm, për shkak se nëna e tij ishte me origjinë nga ky qytet. Në shumë raste kam shërbyer si transportues i drogës, ku në Kavajë më kanë arrestuar disa vite më parë policia me një sasi prej gati 300 kg hashash dhe jam dënuar me 6 vjet burgim. Arrestimi im ka ndodhur pas vrasjes së kemi bërë në Elbasan të Gentian dhe Nezir Beqirit…”-ka treguar Bardhi.

Njohja me Gentjan Beqirin dhe vizitat brenda në banesë

Gjatë kohës që Ervis Bardhi ka qëndruar duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit, aty ka njohur dhe Gentjan Beqirin, pasi qelitë e tyre në sektorin e paraburgimit ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Sipas Bardhit, kur ka dalë nga burgu ka vijuar të mbajë kontakte me, Etjen Canin. Bardhi ka treguar në polici se Cani është banor i lagjes “Çlirimi” të qytetit të Elbasanit,  dhe shpesh herë qëndronte në lokalin e L. Skilja dhe mes tyre është krijuar shoqëri, pa pasur parasysh moshën, pasi L. Skilja ishte shumë më i madh në moshë. Ky i fundit ka pasur njohje me Ardian Metën alias Gentjan Beqiri. Pas daljes nga burgu të Gentian Beqirit, L. Skilja, ka shkuar në banesën e këtij të fundit dhe e ka takuar.

Në një nga këto takime, L. Skilja, ka marrë me vete edhe Etjen Canin. L. Skilja, e ka prezantuar Etjen Canin dhe më pas, ky i fundit ka filluar të shkojë vetë në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Me kalimin e kohës, Etjen Cani, ka filluar të shkojë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, me të cilin ai qëndronte për kohë të gjatë dhe kanë lidhur shumë shoqëri midis tyre.

Gjatë kohës që Etjen Cani shkonte te banesa e Gentjan Beqirit, ai merrte me vete dhe një shoqe të tij, duke qëndruar me të në banesë. Po kështu, Etjen Cani hynte dhe dilte në banesën e Beqirit, pa u shqetësuar nga ana e punonjësve të policisë, të cilët e ruanin jashtë shtëpisë. Disa muaj përpara vrasjes së Gentjan Beqirit, Etjen Cani, gjatë kohës që ka qenë duke pirë kafe me Ervis Bardhin, i ka thënë këtij të fundit që të shkonin së bashku në banesën e Gentjanit, pasi gjatë kohës që Ervis Bardhi, kishte qenë i paraburgosur në IEVP-në Peqin, kishte ndenjur në një nga dhomat ngjitur me dhomën ku qëndronte Gentjan Beqiri, i cili në atë kohë ishte i paraburgosur për shkak se Gjykata e Apelit, kishte kthyer për rigjykim çështjen në ngarkim të tij, ku akuzohej për vrasjen e Sokol Çapjas.

Më pas, Etjen Cani dhe Ervis Bardhi, kanë filluar që të shkojnë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Në këtë periudhë Ervis Bardhi, jetonte në banesën e bashkëshortes së tij, A. Bardhi dhe gjatë kësaj kohe ai takohej edhe me Olsi Leka alias Jorgo Leku. Me të kishte biseduar edhe në lidhje me takimet që ai kishte me Ardian Meta alias Gentjan Beqiri në banesën e tij, ku i përgjigjej pyetjeve që i bënte herë pas here Olsi Leku.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?