Një talent i njohur botërisht viziton vendin tonë për të tretën herë. E kujton edhe sot Shqipërinë e viteve ’78 arkitekti i njohur në skenën ndërkombëtare Massimiliano Fuksas. Ndërsa, kësaj here ka ardhur në Tiranë i ftuar nga SHARE architects për të rrëfyer eksperiencën e tij, në realizimin e dhjetëra projekteve të mëdha për arkitektët shqiptarë. Veprat e Fuksas gjenden në të gjithë botën, disa prej tyre janë Kullat e Armanit në Tokio, Kullat Binjake në Vjenë, Qendra e Kongresit të Ri në Romë, aeroporti Shenzhen në Kinë, qendra Peres për Paqe në Izrael dhe shumë të tjera. Ekskluzivisht për “ReportTV” Massimiliano Fuksas kujton udhëtimin e parë në Tiranë.
Intervista e plotë
Zoti Fuksas, jeni në Shqipëri në kuadër të konferencës “SHARE architects”, por a keni pasur mundësi të vizitoni vendin tonë herë të tjera?
Hera e parë ka qenë gjatë viteve ’70. Mandej kam qenë përsëri rreth 7-8 vite më parë.
Në vitet ’70?! Ka qenë pak e vështirë asokohe për të huajt të vinin në Shqipërinë komuniste?
Jo, sepse ka qenë një përfaqësues i qeverisë italiane, që ka qenë shumë i lidhur me qeverinë e Tiranës dhe ka bërë të mundur që disa artistë të vinin këtu për të parë kryeqytetin shqiptar.
Çfarë kujtoni prej asaj vizite, imazhi i Shqipërisë të viteve ’70, që ju ka mbetur në kujtesë?
Kujtoj një vend bardh e zi, pa ngjyra. Ndërsa tani vendi ka ngjyra. Asokohe ishte një vend që kishte diçka shumë poetike, thujase hasje neorealizmin italian, me kuajt, jaseminët, me njerëz të bukur, fytyra shumë të bukura. Vendi atëherë dukej si Italia e dikurshme, si Italia e viteve ’50.
U rikthyet siç u shprehët gjatë prezantimit për të folur për arkitekturën dhe “vetëm për arkitektët”. Patëm mundësi të shikonim disa nga projektet tuaja të mëdha. Një jetë e mbushur me projekte të mëdha ajo e juaja. Nëse kthehemi në retrospektivë kur nisi ky rrugëtim?
Kam filluar me projektet, diku në moshën 26-vjeçare. Janë pothuajse 50 vjet që unë merrem me këtë punë.
Cilin nga projektet që keni realizuar keni më përzemër?
Asnjërin. Të ardhshmin!
Ka ndonjë prej tyre që ndoshta do të donit ta ndryshonit, që nuk ju pëlqen më?
Të gjithë ata që kam realizuar! Unë dashuroj vetëm të ardhmen, jo të shkuarën. Nuk jam nostalgjik, nuk e pëlqej nostalgjinë.
Çfarë të frymëzon?
Unë mendoj se e ardhmja është demokraci dhe inovacion, dhe e dashuroj atë. Inovacion dhe demokraci dhe pastaj siç thoshte miku im Shimon Peres, politikani izraelit: “Duhet të kesh më shumë ëndrra për të ardhmen sesa ke realizuar në të shkuarën”.
Sot keni pasur mundësinë të shikoni një pjesë të Tiranës? Çfarë përshtypje ju ka lënë?
Po del një qytet shumë i bukur, i pasur me ide. Tirana tanimë po bëhet një qytet tjetër, modern, bashkëkohor... Le të presim dhe 10 vite të tjera dhe do të jetë e jashtëzakonshme.
Çfarë ju pëlqeu më shumë nga arkitektura e Tiranës?
Unë pashë kantieret e ndërtuara në stadium dhe m’u duk një projekt shumë interesant ai i stadiumit që po ndërtohet. Me të vërtetë shumë interesant.
Ka diskutime përsa i përket ruajtjes së identitetit të qytetit tonë nga pikëpamja arkitektonike...
Por ju nuk keni një identitet të ri, ju keni një identitet historik. Mbeteni vendi i shqiponjave, vendi i maleve të lartë, vendi i barinjve të famshëm, vendi i njerëzve që di të jetojë në terrene shumë të vështira . Një vend i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha me një popull të jashtëzakonshëm! Jo vetëm vendi, populli është edhe më shumë i jashtëzakonshëm!
Ju punoni me bashkëshorten tuaj Dorianën. Cili nga të dy është më kritik dhe si është të punosh me partneren e jetës?
Me siguri që më kritike është ajo. Unë e dashuroj gruan time Dorianën dhe ne punojmë shumë mirë së bashku. Sepse, vendosëm të jetojmë së bashku shumë vite më përpara. Edhe sot duam po njësoj të jetojmë bashkë.
Cili është sekreti i lumturisë në martesën tuaj të gjatë?
Unë besoj se martesa jonë ushqehet me idenë për të ardhmen. Dhe me dashurinë për njëri-tjetrin që na ka mbajtur të bashkuar përgjatë gjithë jetës. Pra e ardhmja dhe dashuria janë zemra e çështjes. Jemi prej një jete bashkë me Dorianën. Një jetë të lidhur nga pasionet e përbashkëta. Dhe më e rëndësishmja nuk është rezultati, por pasioni që dikush ka. Dhe nëse në çift ka pasione që të bashkojnë akoma më mirë.
Çfarë është arkitektura sot për ju, si do ta përkufizonit?
Arkitektura është ajo çka i bën njerëzit të jetojnë sa më mirë të jetë e mundur. Klienti im është e gjithë bota. Ajo që në anglisht quhet “human being”. Natyra njerëzore është klienti ynë. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të gjithë që të kenë kushte më të mira jetese.
Nga ajo që ju thoni nënkuptoj se respektoni po ashtu idetë e klientit për realizimin e projektit?
Klienti është në vend të parë. Por vendin e vërtetë të parë e zënë njerëzit që do ta përdorin objektin e realizuar. Klientët e sotëm, por edhe ata të nesërmit. Edhe ata që do të vijnë pasnesër.
Para jush në konferencës, Share architects referoi arkitekti shqiptar Maks Velo dhe patët një reagim ndaj tij pavarësisht se në të vërtetë siç edhe pohuat nuk i kuptuat fjalët që tha, flitej edhe për ndërhyrjen e politikës në arkitekturë...
Më pëlqeu shprehia e tij gjatë fjalimit, por nuk kam kuptuar asgjë nga ato që tha. Unë në fakt nuk i njoh arkitektët shqiptarë. Më pëlqeu pasioni me të cilën fliste. Pra në realitet nuk më intereson pjesa politike që ai ka cekur. Por pasioni që tregoi, më tërhoqi. Sepse unë i dua njerëzit që kanë pasion. Përsa i përket pjesës politike, le tua lëmë politikanëve. Nuk janë debate për ne. Ne arkitektët për momentin le të përpiqemi që të bëjmë më të mirën për shoqërinë, për të gjithë.
Por kur në arkitekturë vë dorë edhe politika ç’mund të thuhet?
Mua personalisht nuk më ka ndodhur asnjëherë. Unë i kam zgjedhur gjithmonë klientët e mi. Klientët e mi kanë qenë gjithmonë ata njerëz me të cilët kam dashur të punoj. Sepse, kishin një ëndërr, një pasion. Projektet e mija nuk kanë mundur t’i kenë njerëzit që nuk kanë pasur pasion.
Kush ka qenë klienti që ju ka lënë një mbresë jo kundrejt shpërblimit financiar, por ndoshta për pasionin, përkushtimin që ka treguar?
Shimon Peres.
Pse pikërisht ai?
Sepse ka qenë pjesë e botës së ashtuquajturve “dreamers”. Dhe unë besoj se dua t’i përkas kësaj bote. Bota do të jetë gjithmonë e ëndërrimtare dhe jo e të të tjerëve!
Sipas jush, cili është objektivi i arkitekturës?
Objektivi i arkitekturës është që t’u ofrojnë të tjerëve një jetë më të mirë. Është të shprehim pasionet tona përmes asaj që dimë të bëjmë. Duke i kthyer pasionet tona, në pasione edhe të të shumë të tjerëve, madje jo, të të gjithëve!
Nëse do t’ju ofronin një projekt në Shqipëri do të pranonit?
Nëse është një projekt që më intereson dhe që e ndihmon Shqipërinë, unë do ta bëja! Nëse ndihmon Shqipërinë dhe mbi të gjitha nëse ndihmon shqiptarët.
Dhe së fundmi, a keni një mesazh për arkitektët e rinj juve, ju shikojnë si model referimi?
Unë nuk preferoj të jap këshilla. Nuk më pëlqen kur mi japin ndaj nuk dua t’ua jap të tjerëve. Por e vetmja gjë që mund të them është të guxoni më shumë. Kini kurajë dhe ndiqni pasionet ! E rëndësishme nuk është strategjia, por ajo që shprehni.
Biografia
Massimiliano Fuksas, i lindur në Romë në 9 janar të 1944-ës është një nga arkitektët italianë më të njohur në skenën ndërkombëtare të arkitekturës. Si fëmija i një mjeku me orgjinë hebreje dhe nënës italiane me origjinë franceze, pas vdekjes së parakohshme të të atit vendos të transferohet në Austri, pranë gjyshërve nga ana e nënës. Do të kthehej në Romë në fund të viteve ’50 për të frekuentuar liceun dhe pikërisht në këtë periudhë i jepet mundësia për të njohur eksponentë të tjerë të kulturës mes të cilëve Pasolinin, Asor Rosa dhe Caproni-n. Pikërisht gjatë kësaj periudhe arrin të njoh ilustratrorin Giorgio De Chirico që e fton të punojë me të në studion e Sheshit të Spanjës. Një episod ky i fundit që do ta bënte të apasionohej pas artit dhe që në vijim do ta shtynte të regjistrohej në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Romës në Sapienca.
Në vijim Massimiliano Fuksas, do të udhëtonte përgjatë gjithë Evropës, duke arritur të punoj edhe në studion prestigjioze të Jørn Utzon,dhe merr pjesë në të famshmen “moti sessantottini” (fenomeni kulturor që u shpalos në Itali gjatë viteve ‘68) që arrin kulmin pikërisht në Fakultetin e Arkitekturës me betejën e Valle Giulia-s.Në vitin 1969, pasi diplomohet në Sapienza, por që prej dy vitesh kishte hapur në kryeqytet studion e tij GRANMA, të themeluar së bashku me Anna Maria Saçoni-n. Me realizimin e projektit për palestrën e Komunës së Palianos, në Lacio, të publikuar nga revista franceze e Arkitekturës “Aujourd'hui”, suksesi i GRANMA del jashtë kzfijve.
Pas suksesit të arritur do të merrte pjesë në një ekspozitë me projekte për arkitektë të rinj evropian ku do të spikasë bashkë me figura si Rem Koolhaas dhee Jean Nouvel. Mandej në ‘89 do të çel studion në Paris, në 93-shin në Vjenë e në 2002-shin në Franfurt, ku do të ketë ndihmën edhe të bashkëshortes Dorianës, përgjegjëse e Fuksas Design. Nga viti ’94 në 97-ën vit në të cilin kandidon si këshilltar administrativ i Institutit Francez të Arkitekturës është anëtar i komisionit urbanistik në Berlin dhe Salsburg. Gjatë kësaj periudhe është marrë me zonat e mëdha urbane duke u përqëndruar në realizimin e veprave publike.
Ka fituar shumë çmime ndërkombëtarë të rëndësishëm si “Vitruvio Internacional” dhe “Trayectoria” (1998), “Grand Prix d'Architecture” (1999) dhe “Honorary Felloëship dell'American Institute of Architects” (2002). Në vitin 2009 ka projektuar ndërtesat e Armanit në Nju Jork dhe Tokio. Fama e tij do të bëjë që në 2010-n të parodizohet nga Maurizio Crozza, në programin e tij “"Crozza Alive" në La7, ku interpreton një arkitekt të quajtur Massimiliano Fuffas. Në 2010-ën do të marrë titullin “Legion d'onore”. Në 2011 do të vlerësohet me çmimin “Ignazio Silone” për kulturën. Arkitekti i famshëm ka aktualisht një studio në Romë, në Paris dhe një në Shenzhen.
Zoteria do sfiduarte gjeje qofte dy vende te bukura ku te besh foto art(kitekt)istike. Ose ta sfidojme te jetoje nja dy muaj ne TR.
Përgjigju