Ekskluzive / Shpenzimet e çuditshme të institucioneve në fundvit nga mbrëmjet festive, fishekzjarret, zarfet tek biletat e avionit

9 Janar 2020, 20:36| Përditesimi: 9 Janar 2020, 21:55

  • Share

Ditët e fundit të vitit 2019, disa nga institucionet publike kanë intensifikuar shpenzimet buxhetore që nga aktivitet festive, dekorimet, fsihekzjarret, biletat e avionit etj. Në datën 30 dhjetor 2019, në një kohë kur universitetet kishin nisur pushimet, Universiteti Bujqësor në Tiranë ka blerë një biletë me intenerar Tiranë-Beograd-Tiranë, me vlerë 33,880.00 lekë, ndërkohë që fondi limit ishte 36,543.00 lekë.

Ndërkaq, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka shpenzuar 293,000 lekë në 24 dhjetor 2019 për një aktivitet sportiv-edukativ. Bashkia Cërrik ka organizuar në 24 dhjetor një aktivitet festiv me këngëtar të ftuar me vlerë 689,000 lekë, ndërsa me 800,000 lekë ka blerë dhurata për fëmijët e kopshteve. Bashkia Berat ka blerë në 27 dhjetor fishekzjarre me vlerë 256,364 lekë, po aq sa edhe fondi limit. Në dokumentet e tenderit, bashkia ka kërkuar edhe një person të specializuar për shpërthimin e fishekzjarreve. 

Edhe Bashkia e Maliqit ka blerë 82,500 lekë fishekzjarre për fundvit, 262,500 lekë për zbukurim shtyllash dhe 55,000 kartolina. Ndërsa për dekorimin e Bashkisë së Vlorës me rastin e vitit të ri janë shpenzuar 5,201,350 lekë.

Në planin e dekorit thuhet se “ky projekt paraqet krijimin e një atmosfere festive me zbukurime të veçanta dhe impresionuese duke i dhënë qytetit një pamje tërheqëse dhe të gëzueshme. Atmosfera i sjell njerëzit më pranë njërit –tjetrin dhe transmeton shpirtin e festës”. Në 16 dhjetor 2019, Bashkia e Mallakastrës ka shpallur tenderin për blerje materiale dekori për festat e fundvitit. Tenderi është mbyllur një ditë më pas me fituesin, me vlerë 738,000 lekë, duke blerë drita shirit, tapet dekorativ për pemën, globa dekorativ, kambana dekorative etj. 

Bashkia Pukë ka blerë një frigorifer banak me vlerë 33,333 lekë para Vitit të Ri. Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdeseve Shëndetësor në datën 27 dhjetor ka blerë 1 700 zarfe për 5,700 lekë. Ndërkaq, Agjencia e Prokurimit Publik në 12 dhjetor ka blerë orendi dhe pajisje për mobilim zyrash, me vlerë 802,617 lekë. Në 20 dhjetor, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka shpenzuar 66,500 lekë për një drekë dhe një darkë, për pjesëmarrësit në një konferencë, si dhe 6,350 lekë për publicitetin e konferencës. Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka vendosur të marrë një makinë me qira me 18 dhjetor, për vetëm 12 muaj, me vlerë 798,800 lekë.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 09/01/2020 21:18

    E q’ka k...kan kërkuar në beograd kta idiota, të më Falun a ...?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?