Ndërsa kanë kaluar 2 javë nga fushata elektorale, sondazhi i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, ‘mat’ pulsin e votuesve në qarkun e Tiranës, fushëbetejën e partive për zgjedhjet e 11 majit. Kryeqyteti prodhon në këto zgjedhje plot 37 mandate, por si do të ndaheshin?
Të dhënat e sondazhit të Piepolit tregojnë se Partia Socialiste e Edi Ramës vijon të mbajë epërsinë në Qarkun e Tiranës, me 47-49% të votave, që i përkthehet në 18 deri në 19 mandate. PS në zgjedhjet e 2021 ka marrë 18 mandate dhe sipas projeksionit të Piepolit, Rama në këtë qark mund të shkojë deri në 19 mandate, pra një më shumë se në 2021.
Koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), i udhëhequr nga Sali Berisha, renditet i dyti, me 33.5% deri në 35.5% të votave në qarkun e Tiranës, që i përkthehet 13 deri në 14 mandate. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ky koalicion humbet terren në Tiranë. Nga 17 mandate që opozita e bashkuar ka marrë në 2021, koalicioni i Sali Berishës pritet të humbasë të paktën 3 ose 4 mandate.
Surpriza mund të konsiderohen dy forca të reja politike që sipas sondazhit të Piepolit pritet të kalojnë pragun elektoral dhe në qarkun e Tiranës të marrin mandate.
Përkatësisht Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” i Adriatik Lapajt merr 7.5% deri në 8.5% të votave, që përkthehet në 2-3 mandate, ndërsa partia “Mundësia” e Agron Shehajt merr me 5% deri në 6% të votave, që përkon me 1-2 mandate.
Tom Doshi humb mandatin në Tiranë të siguruar në vitin 2021.
Partitë e tjera, si Lëvizja “Bashkë” (Arlind Qori), Koalicioni Euroatlantik (Lulzim Basha) apo koalicioni djathtas për zhvillim nuk arrijnë të marrin asnjë mandat në këtë qark.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Sondazhi i Piepolit: Rama fiton 1 mandat më shumë në Tiranë, Berisha humb deri në 4! Lapaj e Shehaj 'surpriza'! PD rënie në Shkodër, rrezikon 2 mandate, kërcënohen edhe pozitat e Doshit
K.M/ReportTv.al