DEVOLL- Një akt i paprecedentë dhune ka ndodhur në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Kandidati për deputet i Sali Berishës, i treti në listën e mbyllur të qarkut të Korçës, Bledjon Nallbati, ka dhunuar një shofer kamioni. Report Tv ka siguruar ekskluzivisht videon e momentit kur Nallbati qëllon me grushte shoferin e kamionit në mes të rrugës, ndërsa në sherr është përfshirë edhe vëllai i tij, Alti Nallbati, i njohur si “Duçja”.
Rrethanat dhe shkaqet mbeten ende të paqarta, por nga një video që ka siguruar Report Tv, shfaqet Nallbati dhe vëllai i tij (shoferi i mjetit), teksa ndalojnë fuoristradën në mes të rrugës para trajlerit.
Është vëllai i Nallbatit që del i pari nga makina dhe më pas edhe kandidati i Berishës, i treti në listën e mbyllur të Korçës.
Nallbati, i cili dallohet në video i veshur me një xhaketë dhe një bluzë të bardhë, fillimisht përpiqet të ndalojë sherrin mes vëllait të tij dhe shoferit të kamionit. Alti Nallbatit dallohet të debatojë me tone të ashpra me shoferin e kamionit. Pas pak sekondash, Nallbati që po përpiqej të ‘shuante’ sherrin, jo vetëm që përfshihet edhe vetë në konflikt, por edhe dhunon shoferin e kamionit me grushte.
Fillimisht i hakërrehet shoferit të trajlerit dhe më pas hap derën për ta zbritur duke e goditur me grushte. Shoferi përpiqet që të vetëmbrohet nga agresioni, por për asnjë çast pa lëvizur nga sedilja dhe kabina e tij.
Nallbati vijon dhunën fizike teksa hipën në shkallën e kamionit dhe godet me grushte nga dritarja e derës shoferin. Aty ndërhyjnë edhe qytetarë të pranishëm që grumbullohen, duke e larguar deputetin e qarkut të Korçës, që edhe gjatë seancave plenare të kaosit në Kuvend vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, ka qenë ndër më aktivët dhe agresivët për PD-në.
Sipas burimeve të Report Tv, mësohet se në deklarimet e dhëna në prokurori, deputeti së bashku me vëllanë janë shprehur se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga mbrapa. Pas konflitktit, Nallbati, vëllai i tij dhe shoferi i kamionit janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të Devollit, ku kanë dhënë sqarime. Pas procedurave, të tre janë lënë të lirë, ndërsa mësohet se shoferi po kalonte tranzit nga Kapshtica nëpërmjet Devollit.
Burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet rasti dhe çështja do të dërgohet në prokurori.
Komente

Zhapik
PërgjigjuIshalla asht me pd shoferi kamionit ta kuptoj ca don me votu
Përgjigju