Ekskluzive/ Skandali i Metës me nënshtetësinë, edhe BE ndërhyri për të ndaluar dhënien e pasaportave pa protokolle sigurie

24 Tetor 2020, 17:06| Përditesimi: 25 Tetor 2020, 11:05

  • Share

TIRANË - Dhënia e nënshtetësisë shqiptare, në shkelje të ligjit dhe duke anashkaluar protokollet e sigurisë,  me qëllim për të lëvizur pa viza në Evropë, është një temë që ka shqetësuar edhe institucionet e larta të Bashkimit Evropian, të cilat kanë ndërhyrë për të t’i dhënë fund kësaj praktike. Pikërisht alarmi nga BE ka qenë edhe arsyeja e ndryshimi të ligjit për nënshtetësinë të votuar nga Kuvendi para disa muaj që presidenti Ilir Meta e ka rrëzuar. Presidenti është në qendër të një skandali pikërisht sepse duke nisur nga fillimi i mandatit në 2017  ka dhënë 419 nënënshtetësi me procedura të pershpejtuara duke anashkaluar në shume raste protokollet e sigurisë.

Siç zbulon Shqiptarja.com, duke lexuar aktet e Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Komisionin e Ligjeve, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë shqyrtimit të ligjit të ri për nënshtetësinë, ka paraqitur shqetësimin e Brukselit dhe ka kërkuar që dhënia e shtetësive të veçanta, në emër të interesit kombëtar, të mos i lihej më në dorë Presidentit, por të ngrihej një strukturë e posaçme, për verifikimin e të gjithë personave që kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare, pa plotësuar kushtet ligjore, por si personalitete.

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë së datës 27 korrik 2020, ku u miratua ligji i ri, gjatë diskutimit të nenit për dhënien e shtetësisë shqiptare për raste të veçanta, si përjashtim nga ligji, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme theksuan se ngritja e një strukture verifikuese për këtë raste në varësi të qeverisë, reflektonte një shqetësim të Komisioni Evropian. “...është me vend që reflektohet një lloj shqetësimi nga Komisioni Evropian, që është ngritur edhe në raportimin e fundit që ne kishim në Komitetin për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të raportimeve që ne bëjmë në përmbushje të detyrimeve lidhur me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të progres-raportit”, ka pohuar Rovena Voda.

Referuar procesverbalit të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, Komisioni Evropian është shqetësuar pikërisht për mungesën e kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës të të huajve që pajisen me nënshtetësi dhe rrjedhimisht me pasaporta shqiptare në emër të interesit kombëtar. Në këtë kuadër, Komisioni Evropian ka kërkuar në ligjin e ri për shtetësinë të parashikohej kontrolli i kushteve të sigurisë dhe pastërtisë së figurës së këtyre personave, duke zbatuar standardet më të larta. Për zbatimin e këtij parashikimi është kërkuar ngritja një agjencie shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë duhet miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Propozimi i Komisionit Evropian është pranuar nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas nga Komisioni i Sigurisë, duke u reflektuar në ligjin e ri.

Ligji, i cili i jepte fund abuzimit me dhënien e nënshtetësive, u kundërshtua ashpër nga Ilir Meta dhe u kthyer mbrapsht me dekretin numër 11591, datë 10 gusht 2020, duke u ndalur gjatë në kundërshtimin e nenit 9 të ligjit të ri, i cili reflektonte pikërisht propozimin e Komisionit Evropian, për verifikimin e nënshtetësive të veçanta. Sipas Metës “Neni 9, i ligjit, që trajton dispozitën e rasteve të veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare, shkel nenin 19 dhe 92 të Kushtetutës, si dhe mbivendos organet shtetërore duke dubluar kompetencat dhe fryrë administratën, në shkelje të efiçencës dhe duke shkaktuar kosto direkte në buxhetin e shtetit”.

Kuvendi e rivotoi në shtator pa asnjë ndryshim ligjin, i cili ka hyrë në fuqi në mes të muajit tetor 2020. Në fakt rezulton se shqetësimi i Metës nuk ishte mbivendosja dhe kostoja në buxhet, por vijimi dhënies së nënshtetësisë shqiptare në mënyrë abuzive si të ishin teserat e LSI-së. Nga një investigim i Shqiptarja.com, ka rezultuar se Presidenti Ilir Meta, ka përdorur në mënyrë abuzive pikën 7 të nenit 9 të ligjit të vitit 1998, duke u dhënë nënshtetësinë shqiptare, në shmangie të ligjit, në emër të interesit kombëtar, si heronj dhe personalitete mbi 400 personave nga Afrika, Arabia, Turqia, Ukraina, Rusia si dhe shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, pa plotësuar kushtet ligjore.

Një pjesë e papërfillshme e këtyre personave janë vërtetë personalitete në fushat e tyre, por shumica e emrave rezultojnë personazhe anonimë, këngëtar dasmash dhe tallavaje, një personazh i dënuar me vendim të prerë për vrasje, manipulues votash, njerëz të akuzuar për vjedhje, grabitje pronash dhe të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet. Një nga rastet ishte ai i futbollistit ganez Ëinnful Essua Joseph Cobbina, i cili ka përfituar nënshtetësinë brenda 8 ore nga kërkesa, si qokë e Ilir Metës për presidentin e Klubit Tirana, në një kohë kur futbollisti ishte marrë i pandehur për falsifikim të lejes së qëndrimit që mund të ishte pikërisht një nga kushtet përjashtuese për të fituar nënshtetësinë.

Këta personazhe e kanë marrë shtetësinë me firmën e Ilir Metës në emër të interesit madhor kombëtar dhe si ‘asete kombëtare’, alibi kjo për të shmangur ndjekjen e procedurave ligjore dhe Ministrinë e Brendshme, pasi përfituesit nuk plotësonin kushtet ligjore, sidomos atë të qëndrimit jo më pak se 5 vite në Shqipëri.

 Diskutimet në Komisionin e Sigurisë për shtetësitë e veçanta 

Diskutimet për dhënien e nënshtetësisë për raste të veçanta në Komisionin e Sigurisë dt 20 korrik 2020

Ermonela Felaj: Pra, kalojmë te neni 9, i cili bën fjalë për rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare: “Shtetësia shqiptare mund të fitohet edhe nga shtetasi i huaj që ka mbushur 18 vjeç, kur ky nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar ose interes në fushën e arsimit, të shkencës, të artit, të kulturës, të ekonomisë dhe të sportit”. Ky është pak a shumë thelbi i këtij neni. Ka ndërhyrë Avokati i Popullit me një sugjerim për kujdesin që duhet pasur që në rastin e dhënies së shtetësisë të mos kemi praktika që rezultojnë në diskriminim.

Ndërkohë, vetë Komisioni i Ligjeve, që ka pasur parasysh këtë koment të Avokatit të Popullit, ka reflektuar një sugjerim të Komisionit Europian, i cili çon në riformulimin e pikës 2 me këtë përmbajtje: “Për hartimin e programeve të veçanta për caktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe të pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe në  monitorimin e zbatimit të tyre krijohet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Pra, ideja është që në rastin kur ne vendosim t’u japim shtetësinë shqiptare personave, të cilët dallohen në fusha të caktuara, që mund të jetë: arti, shkenca, ekonomia, natyrisht që do të kujdesemi që këta të jenë persona me integritet dhe të mos përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë tonë qoftë atë publike, qoftë edhe atë kombëtare. Pra, kujdesi që reflektohet në rastin e këtij propozimi është pikërisht ai i propozimit të ngritjes së një agjencie, e cila paraprakisht verifikon pastërtinë e figurës së këtyre personave.

-Elona Gjebrea: Atëherë, kam dy komente. E para, thjesht për ta përforcuar që, me përjashtim të Suedisë të gjitha vendet e tjera kanë një rregullim për përfitimin e shtetësisë dhe mbi bazën e një kontributi të veçantë që përbën interes për shtetin, kështu që ne jemi shumë dakord me këtë pikë. Te pjesa që propozohet nga Komisioni Evropian për sa i përket agjencisë shtetërore në varësi të ministrit, do të kërkoj një sqarim nga zëvendësministrja, duke dhënë edhe unë një koment paraprak. Në dijeninë time ka një Drejtori të Azilit, e cila është strukturë e Ministrisë së Brendshme, që merret me çështjet e shtetësive. Shumë-shumë mund të ketë një komision të posaçëm, sepse agjencia është një fjalë shumë e madhe. Mbase zëvendësministrja mund të ketë informacion se sa kërkesa ka deri tani për përfitim të shtetësisë shqiptare nga kjo kategori. Gjithsesi, kjo duhet sqaruar dhe nëse biem dakord në formën e një agjencie, duhet të jetë shumë e qartë që të mos krijojmë struktura të fryra, ndërkohë që administratën e kemi dhe me një rirregullim minimal mendoj se këto janë gjëra që zgjidhen. Nuk besoj se është problemi i mospasjes së një agjencie në këtë rast.

-Rovena Voda: Në fakt, besoj se është me vend që reflektohet një lloj shqetësimi nga Komisioni Europian, që është ngritur edhe në raportimin e fundit që ne kishim në Komitetin për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të raportimeve që ne bëjmë në përmbushje të detyrimeve lidhur me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të progres-raportit. Për sa i përket agjencisë, këtë propozim ne e kemi menduar dhe nuk mund të jetë Drejtoria e Azilit. Për mendimin tim është mirë që qëndron në nivel agjencie. Përgjegjësia është shumë e madhe, sepse është një agjenci, e cila do të bëj një lloj vetingu me agjenci të huaja ligjzbatuese të personave investitorë të huaj nga vende të tjera që do të duan të marrin shtetësinë shqiptare. Madje, në fillim është menduar, pavarësisht se ne nuk e kishim vendosur në ligj, që të mund të ishte një agjenci në varësi edhe të Kryeministrit dhe jo ministrit të Brendshëm. Megjithatë, këtu është lënë në varësi të ministrit të Brendshëm. Unë mendoj se duhet të qëndroj në këtë nivel dhe këtë strukturë që është, pasi edhe objekti i punës është specifik. Pra, të mos e mbivendosim me detyra dhe përgjegjësitë që ka Drejtoria e Azilit. Kështu që, jam dakord me formulimin e ardhur nga Komisioni i Ligjeve.

-Elona Gjebrea: Ajo që doja të thosha është që padyshim ka nevojë për një strukturë, e cila do të merret me përcaktimin e verifikimeve të kontrolleve që do të duhen nga institucione të ndryshme përgjegjëse, por hezitimi im ishte nëse do të duhej një komision i posaçëm apo një agjenci dhe prandaj kërkova një informacion nga zëvendësministrja. Nëse ata kanë bërë analiza të plota dhe mendojnë që do të ketë nivele të tilla ngarkese vetingu e të tjera, aq sa do të duhet një agjenci, sigurisht që unë do të jem dakord. Thjesht, shpreha mendimin tim që mbase një komision i posaçëm mund të vlente në këtë rast. Gjithsesi, jam e bindur që ministria i ka marrë parasysh edhe të gjitha efektet financiare dhe çdo gjë që do të lidhet me këtë strukturë.

-Ermonela Felaj: Kam unë një pyetje, zonja Voda. Në fakt, ne e diskutuam nenin për përkufizimet dhe aty ku bëhet fjalë për përkufizimin e fjalës “ministri” thuhet “ministri përgjegjës për çështjet e shtetësisë”. Pra, në ligj nuk propozohet një ministër përgjegjës për një fushë konkrete, i cili merr edhe përgjegjësitë që lidhen me përfitimin ose humbjen e shtetësisë, por vazhdimisht përmendet fjala “ministri”, me idenë që kjo përgjegjësi, në qoftë se sot ushtrohet nga ministri i Brendshëm, nesër mund të jetë një ministër tjetër që mund ta marrë edhe këtë fushë përgjegjësie. Ka ndonjë arsye të veçantë që mund ta shprehim që në këtë moment të miratimit të projektligjit që ministri që do të merret me çështjet e shtetësisë të jetë pikërisht ministri i Brendshëm dhe jo ndonjë ministër tjetër? Unë nisem nga fakti që një agjenci, e cila do të duhet të veprojë për kontrollin e pastërtisë së figurave, për nga vetë mënyra e funksionimit, nga natyra e të gjitha me radhë, duhet të jetë në varësi të kësaj ministrie, që është përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike. Më bën më sens që edhe për çështjet e shtetësisë të jetë përgjegjësi e këtij ministri. Ka ndonjë arsye kaq themelore që ne të mos jemi konkretë në këtë moment që flasim dhe ia lëmë të ardhmes se si do të konfigurohen fushat e përgjegjësisë së ministrave të ndryshëm?

-Rovena Voda: Nëse do të lexojmë pikën 3, besoj se nuk ka ndonjë qëllim apo ide tjetër, sepse thuhet: “ kriteret e përfitimit sipas programeve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës sipas fushës së tyre të përgjegjësisë”. Pra, mendoj që kur është thënë “ministri”, nuk është thënë ministri përgjegjës për çështjet e shtetësisë, por ministri i Brendshëm. Kështu që, unë mendoj se është lënë për efekt të përkufizimit që është dhënë në fillim të ligjit.

-Ermonela Felaj: Ajo nënkupton çdo ministër që nesër mund ta marrë këtë fushë përgjegjësie me një vendim të Këshillit të Ministrave. Gjëja që më intereson më tepër të di është praktika e vendeve të tjera. Kjo përgjegjësi cilës ministri i shkon përshtat?

-Rovena Voda: I shkon Ministrisë së Brendshme normalisht, ministrisë që mbulon çështjet e sigurisë. Për sa kohë që shtetësia është e lidhur edhe me çështjet e qëndrimit në territor, patjetër që Ministria e Brendshme është përgjegjëse për çështjet e rendit dhe të sigurisë dhe për rregullimin e qëndrimit të të huajve në mënyrë të ligjshme në territor. Në fakt, këtë e propozon ministri i Brendshëm.

-Ermonela Felaj: Fakti që po e propozoni ju është një ndër kushtet, që lidhet edhe me procesin e negociatave që ka hyrë vendi ynë, pra është një pikë për të cilën përgjigjeni ju. Kështu që, edhe në respekt të faktit që komision përgjegjës për këtë projektligj është caktuar Komisioni i Sigurisë, unë do t’u sugjeroja kolegëve që te neni i përkufizimeve, te fjala “ministri” të shtohet “ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike” dhe pastaj kudo që përmendet fjala “ministri” nënkuptohet që është ky ministër. Unë mendoj se këtë gjë duhet ta bëjmë ne në ligj dhe të mos ua lëmë rastësive, sepse gjykoj që edhe mungesa e përvojës, edhe fakti që natyrshëm nuk e ke këtë lloj profili, çdo lloj ministrie tjetër do ta kishte shumë të vështirë trajtimin e çështjeve të shtetësisë. Të mos harrojmë që ka një praktikë të caktuar, ka një përvojë të caktuar, ka një eksperiencë të caktuar, ka një administratë, e cila ka vite që punon në këtë pjesë, dhe nuk do të ishte aspak me vend që këtë ne ta linim evazive. Kjo është një ndërhyrje që unë marr shkas ta bëj për faktin që pati diskutime për këtë nen. A kanë ndërhyrje të tjera nga kolegët? Nuk ka. Atëherë, kolegë, unë ju ftoj të votojmë për variantin që ka diskutuar Komisioni i Ligjeve, të cilin e ka sjellë edhe në raportin e tij, sigurisht edhe për përkufizimin për ministrin. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka. Miratohet ky nen dhe ndryshimet në nenin që bën fjalë për përkufizimet. 

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • life: 25/10/2020 19:59

    ore thoni cfar te doni por LIKJA ku do qe te jet di ti nxjerri leket.

    Përgjigju
  • edi: 25/10/2020 00:17

    Like po kerkon dru shpimes me pare se SPAK ta vere ne rreshte Kapeni dordolecin dhe zhyteni ne BIRUCE

    Përgjigju
  • Andon Lars: 24/10/2020 22:28

    Ishte më mirë të vidhnim një kuti ari tjetër nga Krabe! Shqiptarët janë poshtëruar shumë nga kjo çështje e "tregut të pasaportave"!Cili vend mund të respektojë pasaportën shqiptare pas gjithë këtyre incidenteve të këqija të drejtuara nga vetë Presidenti? Pasaporta shqiptare është nën këmbët e "afrikanëve"?

    Përgjigju
  • Cojorneja voda: 24/10/2020 22:13

    More shyqyr qe u alarmuar njëherë Brukseli,se në këtu kemi 30 vjet në alarm,prej këtij kokë mëlçisë të cepanit.

    Përgjigju
  • Leo: 24/10/2020 21:03

    Po pse mashtroni po ku hyn ke per gjera te tilla mos shpifni se ke nuk eshte Taulanti as Eliza

    Përgjigju
  • ritvani: 24/10/2020 21:02

    Like floriri po pais kriminelet me pasaporta qe te prishi zgjedhjet....

    Përgjigju
  • labi: 24/10/2020 19:36

    A ka me turp se kaq o mizerje Ilir Meta? Si mund te kemi nje president qe shkel cdo interes kombetar per hesap te pasurimit te tij? A ka Shtet mor Zot i madh per shqiptaret? A ka shqiptare qe do ta vendosin dinjitetin ne vend? A ka shqiptar dhe bir shqiptari qe tja numeroje ketij derri te dhjamosur e te cdhjamosur dhe gruas te tij xhade?Pse keta meritojme ne? Injorante dhe hajdute. LEviz o shtet, o Edi Rama, o ambasada. PSe me duket i vogel dhe i vetmuar ky gazetar i nderuar? Te gjithe flasin per zhgarravina si klodiana lala apo ai investiGaztori artan hoxha. Ky djale po tregon te verteten. Ju mund ta rrezoni kete madhtrues z. Adriatik Doci

    Përgjigju
  • Vladimir Marku: 24/10/2020 19:28

    Respekte Adriatik Doci...

    Përgjigju
    • Marko Morova: 24/10/2020 21:58

      Gjithashtu dhe nga une Marko nga Korca

  • Tirona: 24/10/2020 18:54

    Ha ha ha, para disa dites ky filtroi me nderkombetaret duke i kerkuar ndihme per sistemin zgjedhor, , tani prit ku ti kercenoje me "Vasil Lacin dhe Vojo Kushin". Ha ha ha, sa per tu qesur o bo, eshte i frymezuar duke pa aktorin Palaco me Brekushe.

    Përgjigju
  • vjosa: 24/10/2020 17:53

    O RAMA EDHE BRUKSELI KERKON ARRESTIMIN E KETIJ NDYRESIRE PRESIDENT,,,,C'FARE PRET O EDI RAMA ARRESTO KANCERET E SHQIPERISE ,,ILIR METEN DHE SALI BERISHEN....

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 24/10/2020 17:49

    Ka thënë Çobani Vjetër: "Kur i ha b*tha dhisë,ajo trazon trastën e çobanit."

    Përgjigju
    • altini: 25/10/2020 11:04

      qe ne kohen qe nuk me dhimbte melcija mua nuk kam qesh kaq shum hahahahahaha. o uku je i modh

    • Fran Uci: 24/10/2020 21:55

      Te cafte uku ... sa mir e ke then

  • Beni: 24/10/2020 17:20

    Ky eshte futur nr lufte me BE-US dhe premton demokratizim me Rusine. Vetem mediat ruse e perkrahin

    Përgjigju
  • Kacidhe: 24/10/2020 17:17

    Ilir Meta eshte hajdut dhe duhet dhjete ne koke si dhjesin zogjte pemet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?