Ekskluzive/ Skandali me diplomat false, dy ish-rektorët e Wisdom tregojnë si zbuluan skemën! Përpali: U dorëhoqa kur i pashë me firmën time! Jepeshin diploma pa qenë asnjëherë në kolegj

18 Shtator, 17:45| Përditesimi: 19 Shtator, 18:54

  • Share

Lush Përpali, ishte rektor në “Wisdom” prej vitit 2017 kur Kolegji Universitar u hap për herë të parë në Tiranë. Por vetëm vitin e kaluar ai zbuloi disa diploma të parregullta, me firmën e tij të falsifikuar dhe pa vulën e kryesekretarit të kolegjit, siç vetë ai kishte urdhër të ndodhte në çdo dokument: me 2 firma. Vetë Përpali ka mundur të shohë 3-4 diploma false por është i bindur se janë shumë më tepër.

'Në ato certifikata është vënë firma ime si rektor në ato kohë. Ndërkohë që unë nuk i kam firmosur dhe nuk i kam parë kurrë. Është falsifikuar firma ime. As nuk i kam firmosur dhe as nuk më kanë kërkuar pronarët që t’i firmos, kurrë. Edhe sikur firma të jetë reale, ato prap janë false. Datat i vendosin siç duan. Kanë vendosur data në 2022, në 2023. Mund të jetë punuar në janar dhe e ka vendosur datën në 2022.'- tha Përpali.

Ai thotë se diplomat u janë dhënë personave që s’kanë ndjekur asnjë orë studimi, madje vë në dispozicion edhe këtë certifikatë aftësish, master edukimi special për arsimin parauniversitar, program që as nuk ekziston në Wisdom.

‘Thuhet që për një student, emër-mbiemër se ka bërë në kolegjin universitar Wisdom ka bërë 1500 orë mësim. Nuk ka bërë asnjë orë, nuk ka qenë kurrë. Janë shënuar nota për 12-13 orë ku asnjë profesor nuk ka bërë mësim.’- tha Përpali.

Ish-rektori zbulon se edhe pasuesi i tij që emëruan drejtuesit e Wisdom, Bajram Hysa, u largua nga detyra pasi nuk pranoi të firmoste diploma false.

“Pasi jam larguar unë është ankuar dhe rektori Bajram Hysa. Ai ka reaguar, pse reagoi i kërkuan që të firmoste me dorë që ca tjera. Ky refuzoi për ti firmos dhe e shkarkuan nga puna. Realisht e shkarkuan vetëm për këtë fat, që nuk firmosi diplomat e tyre.”- tha Përpali.

Report Tv kontaktoi edhe me ish-rektorin Bajram Hysa, i cili zbulon se Wisdom në Tiranë kishte lidhur një marrëveshje fiktive me një institucion në Itali të sajuar nga vetë pronarët e kolegjit universitar. Italianë të mashtruar - thotë Hysa - të cilët kishin marrë diploma me lekë, erdhën te ambasada italiane në Tiranë për të noterizuar këto certifikata.

Dhe pikërisht këtu fillon të dalë në pah, mashtrimi: Marrëveshja mes 2 universiteteve as që nuk ekzistonte! Ambasada i kërkoi informacion Ministrisë së Arsimit nëse diplomat e sjella nga italianët njiheshin në Shqipëri. Ministria iu drejtua Kolegjit universitar Wisdom në pranverë të këtij viti kur rektor ishte Bajram Hysa.

Ish-rektori – tregon për Report Tv se – pikërisht në këtë moment zbuloi që certifikatat e italianëve mbanin firmën e paraardhësit të tij të dorëhequr Lush Përpali dhe njoftoi ministrinë se gjithçka është false. Ministria e Arsimit nuk bëri të qartë asnjë detaj, por zyrtarisht vetëm dy ditë më parë tha se kreu kontroll në muajin korrik te Wisdom, dhe nga shkeljet që zbuloi, pa i bërë ato publike, nuk e certifikoi kolegjin për këtë vit akademik.

Dy ish-rektorët, Lush Përpali dhe Bajram Hysa, nisën betejën që çështja të shkonte në dyert e drejtësisë shqiptare, me kallëzim në polici i referuar edhe në prokurorinë e Tiranës, pavarësisht se organi i akuzës pyetur nga Report Tv, thotë se nuk ka hetime të hapura.

2 administratorët e Universitetit Wisdom u arrestuan gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, si “arkitektët” e një skeme mashtrimi me diploma false bashkë me 7 të tjerë. Aktivitet i paligjshëm, që siç Report Tv po zbulon, ka depërtuar edhe në Shqipëri. Në një nga përgjimet e autoriteteve italiane, del se presidentja e bordit të akreditimit të universiteteve, Shqiponja Telhaj është korruptuar nga çifti italian i bashkëshortëve të Wisdom me një çantë Louis Vuitton 1200 euro.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?