Politikë

Ekskluzive/ U ‘dogj’ nga dekriminalizimi, Kajmakut do i paguhen rrogat për 4 vite nga Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut! Fiton edhe 30 mijë € dëmshpërblim nga KQZ

4 Korrik, 10:27| Përditesimi: 4 Korrik, 15:51

  • Share

U shkarkua 6 vite më parë me një vendim 5-0 nga KQZ e atëhershme, për shkak se kishte fshehur një hetim ndaj tij në Greqi por ish kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku një betejë ndaj atyre që i ‘prenë në gjysmë’ ëndrrën e ka fituar.

Një vendim i Gjykatës Administrative të Tiranës e quan të padrejtë vendimin e KQZ-së që ‘dogji’ me dekriminalizim Kajmakun, i cili do të marrë të gjitha rrogat sikur të ketë qenë në detyre 4 vite, madje edhe një dëmshpërblim për veten, bashkëshorten dhe djalin e tij.

Pagat duke filluar nga ajo e nëntorit 2019 dhe deri në fund të mandatit, në qershor 2023, Gjykata thotë se duhet t’i jepen Kajmakut si nga Bashkia Vorë si kryebashkiak por edhe nga Këshilli i Qarkut Tiranë, si anëtar i këtij institucioni.  Pjesën më të madhe të arsyetimit të vendimit Administrativja e mbështet në vendimin e vitit 2021 të Gjykatës Penale të Tiranës që e shpalli të pafajshëm ish kryebashkiakun i cili u mor u pandehur për akuzat e falsifikimit të dokumenteve. Sipas Gjykatës Administrative vendimi penal vërtetoi se Kajmaku ishte i pafajshëm dhe se KQZ nuk duhet të kishte vepruar pa pritur një vendim të formës së prerë, edhe pse në fakt vendimi i KQZ lidhet me mosdeklarimin nga ana e Kajmakut të hetimit në Greqi.

“Rezulton e provuar se pala paditëse, është zgjedhur përmes një procesi zgjedhor të rregullt dhe të njohur ligjërisht si Kryetar i Bashkisë Vorë, është dëmtuar drejtpërdrejt nga akti administrativ i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KOZ), konkretisht nga vendimi nr. 1101, datë 01.11.2019, i cili ka sjellë ndërprerjen e mandatit të tij, përpara përfundimit kushtetues dhe ligjor të tij, gjithashtu nuk është zbatuar neni 62 i Ligi Nr. 139/2015" Për Vetëqeverisjen Vendore" Shkarkimi i kryetarit të bashkisë, ku citohet Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një veriudhë 3-mujore të pandërprerë, nga aktet administruara nuk rezulton e provuar që ndërprerja e mandatit të palës paditëse të jetë brenda parashikimeve të këtij neni”, thuhet në vendim.

Gjithashtu gjykata vlerëson se vendimi i KQZ  nuk përmbush standardet minimale të arsyetimit dhe të verifikimit të informacionit, të domosdoshme përpara marrjes së një vendimi që ndikon drejtpërdrejt në statusin publik dhe ligjor të një individi, edhe pse verifikimi i figurës së Kajmakut u bë nga disa institucione, përfshirë Prokuroria e Përgjithshme. 

Sipas Administratives së Tiranës Kajmaku ka pësuar pasoja serioze në reputacionin personal dhe në mirëqenien emocionale e familjare, për shkak të etiketimit publik si "i dënuar penal" dhe largimit arbitrar nga detyra. Për këtë arsye përveç 44 pagave që do të marrë, vetë Kajmaku do të dëmshpërblehet me rreth 15 mijë euro, ndërsa gruas dhe djalit të tij i jepen nga 785 mijë lekë të reja, ose rreth 15 mijë euro të tjera për të dy.

Ky vendim i Gjykatës Administrative i shkallës së parë është ende i pazbatueshëm, pas si KQZ, ashtu edhe Bashkia Vorë kanë nxituar menjëherë ta ankimojnë në Apel. Do të jetë ky i fundit që pritet të marrë një vendim të formës së prerë.

Çështja e Agim Kajmakut

Kajmaku pati një histori të gjatë me drejtësinë shqiptare, pak pasi ai u zgjodh në krye të Bashkisë së Vorës, në vitin 2019, në një garë pa konkurrentë, pasi opozita i kishte bojkotuar zgjedhjet. Por një sërë dokumentesh të publikuara më pas nga Partia Demokratike, për të kaluarën e tij, çuan fillimisht në shkarkimin e tij nga posti më 1 nëntor 2019, vetëm 3 muaj pasi kishte marrë detyrën, dhe pastaj dhe kërkesën për arrestim.

Kajmaku rezultoi se ishte arrestuar në Greqi nën akuzën e falsifikimit të parave, nën një emër tjetër, dhe se këtë fakt nuk e kishte deklaruar në fomularin e dekriminalizimit. Ish kryebashkiaku e mohoi fillimisht akuzën, por kur shenjat e gishtërinjve vërtetuan se bëhej fjalë për të njejtin person, dorëzoi vendimin e Gjykatës së Janinës e cila e kishte shpallur të pafajshëm.

Kërkesa për arrestimin e tij erdhi për shkak se u dyshua se kishte firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bsshkisë, në një kohë kur ai vetë ishte shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për muaj të tërë ai qëndroi në arrati, derisa u arrestua, ndërsa ishte shtruar në një spital privat për mjekim, në fillim të korrikut të vitit 2020. Por një ditë më pas, masa e arrestit u konvertua në “detyrim paraqitje”. Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Tiranës, pushoi çështjen e hapur ndaj tij dhe prokuroria u detyrua që të bënte ankim në Apel.

Asokohe, përmes një postimi në Twitter, Rama tha: “KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje?Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”.

Po ashtu, ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku  u arrestua nga policia italiane nën dyshimet për trafik droge më 27 maj të 2022. Kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto, Kajmaku ishte së bashku me nipin e tij. 

 

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lenti: 04/07/2025 15:46

    O Gjyqtar Legen dhe Arrogant qei jep te drejta Kajmakut dhe ju nxin jeten hallexhinjeve. Kajmakun e rrezoi ligji i dekriminalizimit dhe ju fsheh policise per dy muaj. Kajmaku me te nipin u areatuan ne flagrance ne itali per trafik kokaine. Ku e sheh demin moral te trafikantit ti dhe demin pasuror? Kajmakut i duhet sekuestruar e gjithe pasuria.

    Përgjigju
  • Kejsi: 04/07/2025 14:48

    Ramiz Lala dhe Arjan Qafa dy veriiorë dhe idhtarë ta Sali Ram Sheqere Birisha

    Përgjigju
  • Ter: 04/07/2025 12:06

    Po po dhe 10 vjen ne shkallen e dyte dhe del nepension.

    Përgjigju
  • Lushka: 04/07/2025 11:51

    Hahahah pse mos ja paguajne. T'ja paguajne edhe me nje kembe..kemi shtet ne jo fjale... pastaj dekorate nderi kombit qe vjedh me vendim gjykate fondet publike. Urime urime...hahah

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?