Nuk ra në vesh të shurdhër...Denoncimi i Urdhrit të Farmacistëve për tentativën e monopolizimit të tregut për shpërndarjen në farmaci preferenciale të vaksinës për gripin sezonal, nxiti Autoritetin e Konkurrencës të vë në hetim depon farmaceutike "Megapharma".
Depoja farmaceutike "Megapharma" ka importuar vaksinën antigripale dhe ka marrë autorizimin për shpërndarjen në tregun shqiptar të saj. Por Urdhri i Farmacistëve, denoncoi se vaksina do i jepet vetëm "Orange”, e cila ka 75 % të aksioneve në “Megapharma”, në pronësi të Rasim Hamzaraj, kushëri i ish-deputetit të LSI-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Report Tv u interesua pranë Autoritetit të Konkurrëncës për denoncimin në fjalë, ku në një përgjigje zyrtare thuhet se " në kuadër të hetimit të nisur me 23 shtator 2020 “Për hapjen e Hetimit Paraprak në Tregun e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, do të vlerësohen të gjitha kontratat e ekskluzivitetit të akorduara nga Agjencia Kombëtare e Barnave. Në këtë kuadër do të vlerësohet sjellja e operatorëve që kanë marrë këto eksluzivitete, nëse abuzojnë apo jo me tarifat e kushtet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të nenit 9 të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, abuzimi me pozitën dominuese".
Më herët, Report Tv kërkoi edhe një përgjigje zyrtare, nga Agjencia Kombëtare e Barnave se sa depo kanë kërkuar të shpërndajnë vaksinën anti-gripale dhe sa janë pranuar e refuzuar dhe përgjigjja e marrë është se aplikimin për autorizim e ka bërë vetëm "Megapharma" duke cituar më tej që "çdo subjekt i autorizuar nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit është i lirë të importojë dhe tregtojë vaksinën e gripit në Republikën e Shqipërisë, pas procedurave importuese dhe inspektuese që ushtron Agjencia".
Por, vaksina ende nuk mund të gjendet në asnjë farmaci.
Report Tv bëri një vëzhgim të dytë në disa prej farmacive kryesore në Tiranë, ku konstatohet mungesa e vaksinës, ndërsa farmacistët përgjigjen se mund ta kenë në vitrinë në mesin e tetorit.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka nisur shpërndarjen për grupet e riskut, të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë ta bëjnë privatisht vaksinën, nuk do të munden të paktën derisa autoriteti i Konkurrencës të nxjerrë rezultatet e para nga ky hetim nisur ndaj Megapharmën, ndërsa ende për këtë vaksinë, nuk dihet se sa do të jetë çmimi.