EKSKLUZIVE/ Zhvarroset dosja pas 25 vitesh, rihapet 'Masakra e Peshkëpisë'

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur pas afro 25 vitesh hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të 10 prillit 1994, të njohur si “Masakra e Peshkëpisë”. Vendimi surprizë i prokurorit të krimeve të rënda Eugen Beci për të “zhvarrosur” një dosje që për çerekshekulli nuk është hetuar asnjëherë më parë, është marrë me 19 shkurt 2019. Në heshtje dhe pa bërë bujë, prokurori ka tërhequr dosjen nga arkiva dhe ka aktivizuar një hetim që synon të zbulojë të vërtetën në lidhje me sulmin më të rëndë që i është bërë territorit të Republikës së Shqipërisë në 30 vitet e fundit. E arkivuar në ambjentet e prokurorisë së Gjirokastrës, dosja hetimore e sulmit terrorist nga një komando ekstremistësh grekë mbi postën kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër, gati ishte harruar prej kohësh. Hetimi i kësaj ngjarje, ku mbetën të vrarë, dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, nuk i është besuar prokurorisë së Gjirokastrës. Veprimet hetimore janë përqëndruar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku prokurori Eugen Beci së bashku me oficerët e antiterrorit, po administron të gjithë praktikën hetimore duke lënë dhe një sërë detyrash të tjera hetimore që tashmë kanë nisur të kryhen.

Dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini

Hetime për veprime terroriste

Kjo çështje është regjistruar për akuzën e “Veprime për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Ndërkohë të gjitha aktet hetimore janë marrë në studim. Nga sa mësohet dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja qe erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh. Sipas burimeve të prokurorisë ato janë qitur nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm. “Shqiptarja.com” mëson se kjo dosje është rihapur per herë të fundit nga prokuroria e Gjirokastrës në muajin Maj 2006, ku pas një shkrimi të avokatit Ilir Malindi në një gazetë, ai evidentonte faktin se autorët e masakrës së Peshkëpisë janë arrestuar nga autoritetet greke. Sipas Malindit autorëve të sulmit të quajtur organizata “MAVI”, u janë gjetur armët e grabitura të postës kufitare dhe janë dënuar nga drejtësia greke vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe jo për sulmin në postën kufitare në Peshkëpi. Por rihapja e hetimit në 2006 nuk solli asnjë rezultat për sa i përket zbardhjes së autorëve, dhe dosja u arkivua sërisht.

41 persona do pyeten në prokurori

Tashmë, kur në 10 prill 2019 mbushen plot 25 vite nga masakra e Peshkëpisë dhe çështja mund të parashkruhet, duke mos patur me mundesi per ta hetuar ngjarjen, prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci, ka vendosur të rihapë çështjen penale, duke kërkuar kryerjen e dhjetëra veprimeve hetimore. Mësohet se në total janë 41 persona që pritet të meren në pyetje nga prokuroria dhe oficerët e antiterrorit. Mes këtyre personave janë dhe ushtarët e plagosur në postën kufitare dhe nën oficeri që u mor peng nga komandoja terroriste “Mavi”, shtetasi Qemal Stroka. Ky i fundit rezulton të jetë dhe dëshmitari kryesor në këtë ngjarje të rëndë, dhe nga dëshmia e tij pritet të merren të dhëna të vleshme për hetimin. Në vazhdën e veprimeve hetimore me urdhër të prokurorisë mësohet të jenë sekuestruar dhe kopje të disa dokumentarëve televizivë të kryer nga mediat shqiptare gjatë viteve të fundit. Konkretisht janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumentarët e transmetuar në emisionin “XHUNGEL” në News24 me titull “Udhërrëfyesi i MAVI”, me dy pjesë, transmetuar në maj 2012 dhe “Njeriu i MAVI në Himarë” me dy pjesë, transmetuar në qershor 2015. Po ashtu është sekuestruar dhe dokumentari “Masakra e Peshkëpisë”, i transmetuar në emisionin “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel. Sektori i Analizës në Drejtorinë e Antiterrorit është ngarkuar të përpilojë profil subjekti me të gjitha të dhënat që ka për përfshirje të mundshme në aktivitete kriminale për personat e dyshuar në këtë ngjarje. Gjithashtu është kërkuar që nëpërmjet vendimit balistik krahasues krahasimi i gëzhojave të armëve të gjahut të fiksuara në procesverbalin e këqyrjes së datës 10.04.1994 me të dhënat e administruara në Policinë Shkencore.

Letërporosia në Greqi

Për hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të këtij procedimi penal prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që në ditët në vijim ti kërkojë informacion nëpërmjet një letërporosie autoriteteve greke. Nëpërmjet kësaj letërporosi prokuroria do kërkojë informacion nga autoritetet Greke, lidhur me personat e arrestuar në datë 19 Mars 1995 në Greqi, të cilëve ju janë kapur armë e municione. Njëherësh kërkohen emra e plotë të këtyre personave, sasia e armëve dhe municionit, tipi, lloji si dhe numrat serialë të tyre, të sekuestruar në Greqi. Njëherësh do kërkohet verifikimi i këtyre personave mbi aktivitetin e tyre në Greqi dhe se ku ndodhen aktualisht me qëllim pyetjen e tyre lidhur me ngjarjen e Pëshkëpisë.

Administrimi

Veprimet hetimore janë përqëndruar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku prokurori Eugen Beci së bashku me oficerët e antiterrorit, po administron të gjithë praktikën hetimore duke lënë dhe një sërë detyrash të tjera hetimore që tashmë kanë nisur të kryhen.

Nënoficeri

Gjatë sulmit komandoja terroriste mori peng dhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar Qemal Stroka, i cili më pas u la i lire në kufi. Gjatë rrugës ndaj Strokës është ushtruar dhunë fizike çka solli dhe tronditjen e fortë psiqike.

Nëntë herë

Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit të madh. Sipas burimeve të prokurorisë ato janë qitur nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm.

Vjedhja e armatimit(armët e rrëmbyera në Peshkëpi nga komando e MAVI)

1. Pistoletë TT model 54

2. Pistoletë TT model 54

3. Dy krehër rezervë

4. Dy këllëf pistoletë

5. 30 fishekë

6. 15 automatikë model 56 me qytë druri

7. 16 krëhra automatiku model 56

Komando greke ‘Pirro i Parë’

-Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.

-Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke.

-Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor.

-Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik.

-Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.

-Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi.

-Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, vëllai i Harallamb Papas.

 

Si u sulmua posta kufitare shqiptare nga ekstremistët grekë

Komando “Pirro i Parë” u identifikua kur tentoi një sulm të dytë në Llongo që u zbraps nga ushtria shqiptare. Si u kapën në Greqi

Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando special e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Gjatë sulmit komandoja terroriste mori peng dhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar Qemal Stroka, i cili më pas u la i lirë në kufi. Gjatë rrugës ndaj Strokës është ushtruar dhunë fizike çka solli dhe tronditjen e fortë psiqike.

Gjatë largimit komando greke mori me vete edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komando, me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës. Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë shpejtuan t’i jepnin ndihmën e parë shokut të tyre Arsen Gjini dhe komandantit Fatmir Shehu, por gjithçka ishte e kotë. Komando e frontit për çlirimin e Vorio Epirit ia kishte arritur qëllimit.

ROJA I POSTES ME ARME PA FISHEKE

Komando greke pasi kaloi me kujdes vijën e kufirit u vendos në një kodër përballë repartit nga ku mund të mbante nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vend ndodhjen e saktë komando u vu në lëvizje. Sulmi nisi në mesnatë, orë kur reparti i ushtrisë shqiptare me 130 rekrutë të rinj 18-20 vjeçarë kishte rënë në qetësi të plotë. Dëshmori i atdheut 20 vjeçari Arsen Gjini nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e terroristëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip kallashnikov që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi aspak të pa njohut që e dinin shumë mirë se ai s’kishte fishekë. Arsen Gjini u bë viktima e parë e breshërive të komandos greke. Brenda pak çastesh komando greke vërshoi në godinën dykatëshe, dhe me saktësinë më të madhe bllokoi fjetinën e ushtarëve si dhe depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash i gjithë reparti me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit. Oficeri i stërvitjes kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, u vesh nxitimthi dhe u sul drejt shkallëve me një pistoletë tip Tokarev në dorë. Tentativa e tij për të rezistuar mori përgjigje tragjike nga terroristët e komandos. Kapiteni i parë Fatmir Shehu, baba i dy fëmijëve, u qëllua me breshëri automatiku në sheshpushimin e shkallëve midis katit të dytë dhe katit të parë.

TERRORISTËT “PIRRO-1”

Skuadra e identifikuar me emrin e koduar “Pirro 1”, iu afrua kufirit shqiptar dy ditë përpara sulmit. Komando që mori përsipër goditjen përbëhej nga 7 persona, të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të pajisur me armatim këmbësorie të prodhimit perëndimor, i njëjtë me atë që përdorte ushtria greke. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës që kishte për detyrë mbështetjen dhe transportin e terroristëve, qëndroi në gatishmëri për çdo të papritur në brendësi të territorit grek, në një zonë mes fshatrave Orino-Pontikates dhe Argirohori. Sigurisht lëvizja e komandos së Frontit për Çlirimin e Epirit të Veriut nuk mund të kryhej pa mbështetjen apo së paku dijeninë e shërbimeve sekrete fqinje. Lëvizja lirisht e mjeteve dhe personave të armatosur në afërsi të kufirit me Shqipërinë, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin acaruar së tepërmi dëshmon se autorët e sulmit kishin marrë garanci të plotë nga përtej kufirit se do ta kishin të sigurt shpinën.

SULMI I DYTË I KOMANDOS GREKE

Do të duhej gati një vit që të zbuloheshin emrat e autorëve të masakrës së 10 prillit 1994. Komando e njohur me emrin ‘Pirro i Parë’ organizoi një sulm të dytë në jug të Shqipërisë, këtë radhë për të goditur në të njëjtën mënyrë repartin e mbrojtjes së kufirit në fshatin Llongo të Gjirokastrës. Celula e armatosur e organizatës ultra nacionaliste greke “MAVI” tentoi sulmin e dytë ndaj një poste kufitare shqiptare, pasi kishin marrë informacionin e duhur për vend ndodhjen e pikës kufitare në fshatin Llongo, për personelin, armatimin, mënyrën e shërbimit të rojës u hodhën në veprim. Paraditen e 18 marsit 1995 pjesëtarët e kësaj komandoje iu afruan kufirit greko-shqiptar me dy automjete. Të armatosur me armë këmbësorie, me mjete komunikimi në distancë, dylbi për natën dhe uniforma ushtarake kamuflazhi ata iu afruan brezit të gjelbër në pritje të natës për të kryer sulmin e dytë ndaj rojeve kufitare shqiptare.

Grupi i armatosur i terroristëve grekë u pikasën në kohë nga trupat kufitare shqiptare, të cilat ishin informuar qysh më parë për ardhjen e tyre nga shërbimet inteligjente. Pas ngjarjes së Peshkëpisë ishte rritur në mënyrë të ndjeshme gatishmëria dhe vigjilenca për çdo lëvizje në kufirin me Greqinë. Autoritetet shqiptare të kapura gafil në Peshkëpi kishin marrë masa të rrepta për të parandaluar një sulm të dytë që do të kishte pasoja të rënda. Sapo rojet shqiptare të kufirit pikasën në lëvizjen e personave të dyshimtë me uniforma ushtarake hapën zjarr. Si rezultat i zjarrit nga ushtarët shqiptarë, komando e frontit për Çlirimin e Vorio Epirit u tërhoq me shpejtësi në drejtim të territorit grek për të mos lënë pas viktima. Komando u kthye në vendin ku kishin lënë mjetet e transportit, në afërsi të fshatit Kostani.

Ndërtesa e ish-repartit ushtarak të Peshkëpisë që u sulmua nga terroristët grekë

OPERACIONI NË TOKËN GREKE

Pasi heqin nga trupi uniformat ushtarake greke, hipën në automjetet e tyre dhe u drejtuan në aksin rrugor Kakavijë – Kallpaqi. Por pa dalë nga zona e Delvinaqit, ata u ndeshën me një patrullë të përforcuar ushtarake – policore, e cila kishte bllokuar tërësisht këtë rrugë për një kontroll të rreptë. Automjeti i parë ndaloi. Gjatë kontrollit nga policia u gjetën 9 copë uniformat ushtarake, por dokumentacioni i mjetit dhe personal i personave që udhëtonin në të ishte i rregullt. Në këto kushte ata u lanë të lirë. Pak minuta më vonë në të njëjtin postbllok u afrua automjeti i dytë, në të cilin ndodhej armatimi. Duke e parë rrezikun drejtuesi i mjetit thyen postbllokun dhe u largua me shpejtësi në drejtim të qytetit të Janinës. Menjëherë u dha alarmi për të bllokuar të gjitha akset rrugore të zonës, ndërsa mjete të policisë greke u vunë në ndjekje të makinës së dytë. Duke parë se nuk kishin rrugë tjetër terroristët grekë u detyruan të dorëzohen. Pas ndalimit të tyre u kërkua dhe bllokimi i automjetit të parë që kishte kaluar postbllokun pas kontrollit të policisë. Personat e ndaluar u shoqëruan në rajonin policor të Delvinaqit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ata u munduan të kamufloheshin si një grup gjuetarësh, por policia i ndaloi për armëmbajtje pa leje. Gjatë marrjes në pyetje u zbulua dhe identiteti i tyre. Komando e njohur me emrin Pirro i Parë përbëhej nga Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger. Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke zëvendës komandant i grupit. Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor. Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik. Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë. Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi dhe vëllai i tij Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, të dy shtetas shqiptarë nga zona e minoritetit.

Në kontrollin që iu bë dy makinave, të cilat drejtoheshin nga oficeri grek Jorgo Anastasulis dhe polici Apostolos Karvelas u gjetën armët e sulmit. Sipas raport-shërbimit me numër 1057/9 të datës 19 mars 1995 të rajonit policor të Delvinaqit: thuhet se janë kapur 6 automatik “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj, etj. I gjithë inventari kishte 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake. Arrestimi i autorëve të sulmit ndaj postës së Peshkëpisë u mbajt në fshehtësi nga autoritetet greke, por mediat e vendit fqinj edhe pse e mësuan lajmin me pak vonesë nxituan që ta publikonin atë si një ngjarje të bujshme.

Faksimile e dokumentit të prokurorisë

b.ha.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Amir Ballaj: 23/03/2019 21:44

    Une kam bere ushtrine ne Tropoje te batalioni I tanke e te Dizdarit ne vitet 92-94 dhe ka pas pas nje urdher, ne fakt dy: I pari ishte carmatosja e armeve gjate sherbimit, dhe I dyti per mosriparimin e gardheve te demtuar me tel me gjemba. Edhe ne repartin tone u tentua nga persona te huaj hyrja ne repart, po na shpetoi shoku, ushtar Valmiri nga kukesi, I cili si coban kishte pervoje me ujqit dhe e kapi situaten. Te nesermen erdhen shefat nga divizioni I Bajram Currit e sa nuk na arrestuan, se medemek kishim harxhu shum fisheke....

    Përgjigju
  • life: 20/03/2019 20:01

    n.q.s e ka prekurori seriozisht SUKSESE.por me duket se frika e vetingut po i ben hajdutet me Patriot se patriotat.

    Përgjigju
  • Gaqo: 20/03/2019 11:33

    Shume e vonuar. Shpresojm ti shkojne ceshtjes deri ne fund. Te denohen dhe ata qe me mendjen e tyre te ndritur carmatosen ushtrine shqiptare dhe armatosen popullin.

    Përgjigju
  • Toni: 20/03/2019 11:29

    Bravo

    Përgjigju
  • Fredi: 20/03/2019 11:06

    Bravo prokurorit, ecni përpara!❤️

    Përgjigju
  • XXX: 20/03/2019 11:04

    Fredi Bejleri emer i degjuar dhe i permendur disa here ne himara per revolte te armatosur,

    Përgjigju
  • Moni: 20/03/2019 10:20

    Po mire mo, ky shteti yne rrumpalle-hane ne keto 25 vjet cfare ka bere? Ka kerkuar ekstradimin e ketyre personave? Keta himariotet bytheshitur qe kane marre pjese ne sulm a kane hyre me ne territorin shqiptar keto 25 vite? Po Izraeli ka shkuar dhe i ka rrembyer ne Ameriken Latine nazistet e kerkuar ne shtete me te cilet nuk kishte marrveshje ekstradimi, per ti nxjerre para gjyqit ne Izrael. Ndersa shteti pa breke i Shqiperise nuk ka bythe te kerkoje ekstradim ligjore me nje shtet me te cilin ka marreveshje ekstradimi.

    Përgjigju
  • Ilir: 20/03/2019 09:56

    Bravo prokuror Beci! Suksese ne venien e drejtesise ne vend. Eshte e vonuar por urojme qe me ne fund kriminelet te marrin denimin e merituar.

    Përgjigju
    • Fredi: 20/03/2019 11:14

      Nuk eshte fare e vonuar...këto punë bëhen ngadalë, mos dëgjo Monin ç thotë më sipër në komentin e saj apo tij!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?