Ekskluzive-3 vjet në lloto/ Rrëfehet prokurori: Kush më shtyu në rrugën e bixhozit

16 Janar 2019, 07:34| Përditesimi: 16 Janar 2019, 14:42

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 26 nëntor të vitit të kaluar, vendosi të shkarkonte nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmanin. Sipas trupës gjykuese të përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja prokurori nuk justifikon pasurinë e deklaruar me të ardhura të ligjshme. Në vendimin për shkarkimin e tij nga detyra ka ndikuar edhe përfshirja e prokurorit për rreth tre vite në bixhoz. Në vitet 2006, 2007 dhe 2008, prokurori ka deklaruar rreth 10 mijë USD të ardhura nga lotaritë sportive. Komisioni ka arritur në konkluzionin se kjo lloji sjelljeje e prokurorit ka cenuar, figurën dhe integritetin e tij, si dhe kanë ulur shkallën e besueshmërisë nga publiku tek sistemi i drejtësisë. Shqiptarja.com ka siguruar rrëfimin e prokurorit Artur Selmani para komisionit të Vetingut se si u përfshi për tre vite me radhë në lojërat sportive. Prokurori shprehet se sot nuk ndihet aspak krenar që ka luajtur bixhoz për tre vjet me radhë dhe se ndihet keq. Prokurori shton se vetëm pas nisjes së Vetingut ka reflektuar vërtetë, sepse më parë pjesëmarrja në lloto sportive nuk i është dukur si diçka jo etike. Prokurori identifikon dy faktorë që e kanë shtyrë në rrugën e bixhozit: Ndërgjegjësimi jo në shkallën e kërkuar dhe lundrimi në të njëjtin mjedis jo etik, i cili i ka ulur vigjilencën e vetëdijes.

Rrëfimi i prokurorit
“Lidhur me këtë gjetje në relacion më lejoni të pohoj përpara jush se sot nuk ndihem aspak krenar për atë periudhë 3-vjeçare tashmë të shkuar një herë e mirë prej më se 10 vitesh. Dua të pohoj, po kështu, para jush se e vërteta është se në atë kohë përfshirja në lojëra sportive nuk më është dukur si diçka jo etike aq më pak e ndaluar ligjërisht. Madje edhe ndarja prej saj fillimisht nuk ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së ndonjë faktori të brendshëm apo të jashtëm që më vuri në dukje se po bëja diçka të gabuar apo të ndaluar. Reflektimi im i vërtetë ndaj papërshtatshmërisë etike të përfshirjes në atë loje ndodhi vetëm kohët e fundit, pikërisht pas nisjes së procesit të rivlerësimit kalimtar. Nga ky moment e në vazhdim jam ndjerë vërtet keq. Edhe pse nuk kisha dhe nuk kam asnjë dyshim rreth integritetit tim moral dhe profesional, përsëri nuk mund të mos u jepja të drejtë atyre zërave kritik të publikut. Vura re se sa lehtësisht mund të thyhej e cenohej besimi i publikut ndaj meje si prokuror madje edhe në kushtet kur më parë ky besim ishte shfaqur si i palëkundshëm. Për shkak të këtij reflektimi, unë sot para jush nuk dëshiroj t’ju paraqes ndonjë justifikim për veten për atë që kam kryer në ato 3 vite të para 10 viteve. Nuk dëshiroj të përdor si argument mbrojtës se loja sportive ishte dhe vazhdon të jetë në fund të fundit një veprimtari e ligjshme që i lejohet çdo qytetari të thjeshtë”.

Dy arsyet që e shtynë
“Për hir të paraqitjes së një argumenti mbrojtës, nëse vërtet mund të quhet i tillë, mund t’ju them vetëm se kjo ka ndodhur për shkak të ndërgjegjësimit jo në shkallën e kërkuar që duket se paskam pasur në atë kohë në lidhje efektet e kësaj sjelljeje. Kjo duket se ka ndodhur edhe për shkak se kam lundruar në të njëjtin mjedis jo etik i cili ma ka ulur vigjilencën e vetëdijes aq sa e kam konsideruar sjelljen time si diçka normale të pranuar gjerësisht nga të gjithë. Por pavarësisht nga këto argumente mbrojtjeje, nëse do të cilësoheshin të tilla, unë sot nuk ndihem në paqe me veten time për këtë pakujdesi që kam shfaqur në atë kohë. Ndërkohë konstatoj me të njëjtën keqardhje mungesën e një reagimi dhe përpjekje nga ligjvënësi apo komuniteti i prokurorëve për të parashikuar barriera konkrete ligjore apo të karakterit etik, të cilat do të parandalonin që pjesëmarrja në lojërat sportive të ushqente tek publiku hamendje apo dyshime rreth integritetit të figurës sonë. Kjo mangësi bën që ende edhe sot çdo prokuror të jetë i rrezikuar njësoj nga këto paragjykime”.

Krenar për integritetin
“Megjithatë edhe pse e fajësoj veten për këtë sjellje, nga ana tjetër unë jam dhe nuk mund të mos ndihem krenar për integritetin tim profesional të cilin e kam treguar në mënyrë të vazhdueshme në kryerjen e detyrës së prokurorit, duke mos marrë parasysh në asnjë rast shkallën e dëmit personal nga mos bërja kompromis. Këtë fakt mund ta kishte konstatuar edhe vetë DSIK-ja nëse do të kishte analizuar se gjatë gjithë karrierës sime nuk kam pasur pothuajse asnjë rast që palët në proces të kenë shfaqur pretendime ndaj korrektësisë sime në detyrë. Edhe rasti i fundit i iniciuar nga Prokurori i Përgjithshëm rezultoi qartazi se asnjë person nuk arriti të demonstrojë një veprim konkret të kryer nga unë në kundërshtim me detyrën. Po kështu këtë integritet profesional të treguar në vite DSIK-ja mund ta kishte konstatuar edhe duke u bazuar tek mungesa e informacioneve për kontakte apo shoqëri të papërshtatshme me element me precedent kriminal apo të njohur si njerëz të botës së krimit. Këtë mund ta kishte konstatuar DSIK-ja edhe me anë të verifikimit të opinionit që ekziston rreth integritetit tim profesional mes kolegëve me të cilët kam punuar e punoj ose mes drejtuesve me të cilët kam bashkëpunuar në vite. Po kështu integriteti im mund të verifikohej edhe nga përfaqësimi i akuzës në disa procedime penale të njohura ku integriteti im është vënë në provë përballë presionit fizik dhe atij politik. Përmes këtyre përfaqësimeve të akuzës mund të konstatoheshin dy aspekte të rëndësishme të integritetit tim si prokuror”.

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPK për Artur Selmanin

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?