Ekskluzive/ Zbardhet rrëfimi i një prej të akuzuarve për vrasjen e Jurgen Kurtit

29 Mars 2019, 07:10| Përditesimi: 29 Mars 2019, 14:38

  • Share

Teksa gjykata e Tiranës ka caktuar masën e “arrestit në burg” për tre të arrestuarit Elsi Levendi, Alesio Berberi dhe Olsi Qalliaj për vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti, sot Shqiptarja.com zbardh të plotë dëshminë e njërit prej personave të vënë nën hetim nga prokuroria, pikërisht Olsi Qalliaj. Dëshmia e këtij të fundit është e para e dhënë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, në të cilën ai sqaron të gjithë kronologjinë, shitjen e makinës tip “Audi A6”, me të cilën dyshohet se autorët janë larguar pas kryerjes së krimit. Olsi Qalliaj, në dëshminë e tij tregon se ditën e arrestimit kishte planifikuar të udhëtonte në drejtim të Gjermanisë së bashku me të dashurën e tij, ku sipas tij kishte planifikuar të qëndronte tre ditë. Por teksa ishte duke bërë procedurat e fundit ai është arrestuar nga policia dhe shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Sot “Shqiptarja.com” sjell të plotë rrëfimin e Olsi Qalliaj, i cili tregon në dëshminë e parë të tij se çfarë ka ndodhur me shitjen e makinës dhe vijimin e përdorimit të saj po nga vetë Olsi.

Jeni person nën hetim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal. Pasi në datën 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani”, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Jurgen Kurti dhe ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Nga këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se në këtë ngjarje është përdorur edhe automjeti tip Audi A6, me targë AA 301 RM, në pronësi të shtetasit Olsi Qalliaj. Ky shtetas dyshohet që të ketë lidhje me këtë ngjarje.

Çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë fakt që përbën shkelje penale?

Pyetjen tuaj e kuptova dhe do të jap shpjegime në praninë e mbrojtësit tim ligjor, Alban Bengasi.

Çfarë automjetesh keni në pronësi dhe në përdorim?

Unë kam në pronësi disa automjete, pasi kam pranuar që të punoj me shokun tim, shtetasin Alesio Berberi, i cili merret me shitblerje të automjeteve të ndryshme dhe unë kam kryer disa shitblerje të këtyre automjeteve, në emrin tim. Këtë gjë unë e kam bërë në këmbim të përfitimit të vlerave të ndryshme të lekëve. Gjithashtu unë edhe kujdesem për automjetet e Alesios duke i bërë servise të ndryshme atyre. Unë kam në pronësi këto automjete: tip Porche Cayen, me targë AA 199 NV, ti Volksëagen Golf me targë AA 646 PG, tip Benz E350DCI me targë AA 728 RN, tip Auddi S4 me targë AA 838 VN dhe automjetin tip Audi A6 me targë AA 301 RM. Automjetet e mësipërme i ka blerë shtetasi Alesio Berberi dhe unë kam nënshkruar shitblerjet e tyre në emrin tim. Këto automjete unë i kam përdorur duke i bërë edhe shërbime të ndryshme. Një pjesë e atomjeteve të mësipërme janë shitur, por nuk duhet të jetë ndërruar pronësia e tyre.

A mund të na shpjegoni blerjen e automjetit tip Audi A6 me targë AA 301 RM, përdorimin e këtij automjeti dhe kujt ia keni dhënë për ta pëdorur këtë automjet?

Për këtë automjet unë kam nënshkruar aktin e shitblerjes së këtij automjeti, së bashku me një person femër, të cilës nuk ia mbaj mend emrin. Nuk e mbaj mend se me çfarë targash ka qenë ky automjet në momentin që unë kam nënshkruar aktin e shitblerjes. Këtë akt unë e kam nënshkruar para rreth një viti e gjysmë, te një noter në qytetin e Fierit. Këtë automjet unë e kam përdorur për herë të fundit para rreth katër muajsh dhe pastaj, me sa di unë, këtë automjet e ka përdorur shtetasi Klodjan Bane. Para rreth një muaji, unë kam parë se në Tiranë, këtë automjet e përdorte shtetasi Klodjan Bane. Gjithashtu, edhe para rreth pesë ditësh, unë kam parë që këtë automjet ta përdorte përsëri Klodi në Fier.

Në çfarë rrethanash jeni njohur dhe çfarë marëdhënieje keni me shtetasin Klodjan Bane?

Klodjanin unë e kam njohur para rreth një viti, në një lokal në Fier, nëpërmjet Alesion dhe shtetasit Elsi Levendi. Unë vetëm përshëndetesha me këtë person dhe nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të afërt me të. Ndërsa shtetasin Elsi Leventi unë e kam njohur që në shkollë të mesme dhe më përpara në Patos. Unë kam marrëdhënie shoqërore me Elsin. Unë Klodin, për herë të fundit, e kam takuar ditën e enjte, javën e kaluar, në afërsi të “Komunës së Parisit”, ku atij i kam marrë çelësat e apartamentit që ai kishte në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, pasi doja të qëndroja te kjo shtëpi sepse nuk kisha ku të flija. Unë atë ditë kam shkuar te ky apartament rreth orës 22:30 dhe aty nuk kam gjetur ndonjë person në shtëpi. Para ditës së enjte, unë nuk e mbaj mend saktësisht se kur e kam takuar Klodjanin.

A keni qenë herë tjetër, më përpara, te banesa e Klodjanit në Liqenin e Thatë dhe çfarë personash keni kontatuar në këtë banesë?

Brenda në këtë banesë unë kam qenë vetëm një herë, siç e përmenda më sipër dhe atëherë nuk kam parë person tjetër në këtë banesë. Ndërsa para rreth një muaji e gjysmë, unë kam qenë poshtë pallatit të këtij apartamenti, ku kam takuar shokun tim Elsi Levendi dhe një person me emrin Martin, të cilin e kam takuar disa herë dhe di se qëndron në këtë apartament, së bashku me Elsin. Martini është i moshës rreth 30 vjeç dhe di se është nga Fieri.

Kur i keni takuar për herë të fundit shtetasit Elsi Levendi dhe Alesio Berberi?

Shtetasin Elsi Levendi unë e kam takuar para rreth dy javësh në Fier, për herë të fundit. Ndërsa shtetasin Alesion Berberi e kam takuar para rreth një jave në Tiranë, ku kam pirë kafe te Bar Oslo, te “Komuna e Parisit”, rreth orës 20:00-21:00 të darkës. Pasi kam pirë kafe me Alesion, unë kam shkuar me taksi te shtëpia e të dashurës sime, A.Ç, te Rruga e Elbasanit. Gjithashtu unë e kam takuar Alesion ditën e djeshme, në mëngjes, ku më ka dërguar në Aeroportin e Rinasit me automjetin tip Benz me targë AA 646 PO. Unë kam shkuar në aeroport së bashku me të dashurën time të mësipërme, ku kam dashur të udhëtoj për në Gjermani me pushime për 3 ditë. Në aeroport më ka ndaluar policia dhe më kanë sjellë te Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Kur e keni përdorur automjetin tip Benz me targë AA 646 PO?

Ky automjet ka qenë në servis për njëfarë kohe dhe unë e kam marrë këtë automjet nga servisi para rreth një muaji e gjysmë. Pastaj këtë automjet, me sa di unë, e ka përdorur shtetasi Alesio Berberi. Unë e kam përdorur pastaj këtë automjet ditën e enjte, në Tiranë, te shtëpia e të dashurës sime dhe pastaj e kam marrë të shtunën në Fier dhe e kam sjellë në Tiranë dhe të nesërmen, me këtë automjet, më ka dërguar Alesion në Rinas.

Çfarë mund të na thoni në lidhje me veprimet që keni kryer në datën 18.03.2019, ditën e hënë, para rreth një jave?

Mua nuk më kujtohet saktësisht se çfarë veprimesh kam bërë atë ditë.

Keni gjë tjetër për të shtuar?

Jo, nuk kam gjë tjetër për të shtuar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?