Eksodi me Anijen Legend Panama, ose jetë mes 2 eksodesh! Fatos Berberi, Esencë

20 Shtator, 21:10| Përditesimi: 20 Shtator, 22:20

  • Share

I ftuar i mbrëmjes në Esencë që shfaqet çdo të premte dhe të diel, ora 21:00 në Ekranin e Report Tv, isht Fatos Berberi. Si ish emigrant i dy eksodeve të vitit 1991, Berberi rrëfeu në Esencë, të papriturat e dy eksodeve.

Eljan Tanini: -Si hipët në Anijen Legend Panama, cili ishte fati i 5000 shqiptarëve që ajo anije mbajti mbi shpinë dhe ndryshimi me eksodin e Anijes Vlora?! Çfarë ndodhi, pse ishit atje kur ndodhi eksodi i Marsit 1991?

Fatos Berberi: -Punoja te Poçeria në Kavajë, vija nga turni i tretë! Dal te Agjencia në Kavajë, destinacioni i të gjithëve ishte Porti. Kishte gati gjysmë dite që ishte hapur porti. Kam qendruar një muaj në Itali me nisjen e Anijes Panama Legend.

Një moshatar i imi në gjimnaz që kishte probleme me këmbën dhe fakti që unë dija disa gjuhë dhe italisht, shoku më bind për ta ndihmuar që të iknim në Itali për të operuar ai këmbën e tij. I hipëm rimorkios së një Zisi, shkojmë deri në plepa. Për të shkuar në Portin e Durrësit pasdite kemi kaluar nga deti, aty na dalin disa ushtarë të raskapitur. Kisha me vete biskota, u jap biskotat dhe kalojmë. Ata na zgjatën kapelet.

Ne Portin e Durrësit na priste Anija Legend Panama, greke me flamur Panamez. Brenda ne anije gjeta shokët e mi. U thashë që kam ardhur vetëm për të shoqëruar shokun që kishte probleme me këmbën. Në oren 17:00 vjen treni nga Lushnja e të tjerë njerëz, u bllokua rruga, nuk dilja dot.

Mamanë e kam njoftuar pas një jave. Nëna vuante nga tensioni, por telefon fiks kishim në shtëpi, aty  e kam telefonuar.

Dritat e anijes Panama u ndezën sapo u errësua, ishte ftohtë. Mund të kishin hipur në atë çast rreth 5 mijë vetë në anije e cila kishte ngarkesë me çimento. Në oren 5 panjëçerek Panamja, anija,  bën përpjekje për ndezje, destinacioni ishte Brindisi, kështu më tha djali i hallës.

Anija Legend Panama nuk lëvizte dot sepse kishte ngarkesë me ujë, anija kishte edhe personel filipinas. Anijen e tërhoqën edhe nja dy lokomotiva me përpjekjen e dytë. Sa kaluam Farin në Port, vjen nga sipër e na filmon një helipkopter italian, pra këtu në Durrës.

Pas nja dy orësh deti nisi të trazohej deti. Kur njerëzit shikonin pulëbardhat, bërtisnin, kujtonin se do shihnin tokën. Deti ishte egërsuar shumë, anija ndërkohë ishte batuar shumë. Kam patur me vete një xhup që ma qepi tezja, ia dhashë kavajsëve në anije që ishin lagur. Sa herë që shiheshin pulëbardhat njerëzit bërtisnin nga gëzimi, por toka ishte larg. Njerëzve u përzihej nga deti.

Fatos Berberi: -Kur pamë dritat e portit të Brindisit u gëzuam shumë, nuk kishim parë kurrë nga ato drita porti. Anija Tirana kishte shkuar atje një ditë më parë, ka pasur emigrantë. Eksodi u mbyll në Mars me Anijen Panameze. Në Port na hodhën ujë italianët, në port grupe-grupe kishin ndezur zjarr me dru, u çudita! Policia kishte krijuar një gardh, njerëzit po prisnin. Në port na mbajtën dy ditë, sollën maune me plastmas italianët. Policia italiane solli përforcime nga Veriu, kishin shkopinj shumë më të gjatë se tanët.

Eljan Tanini: -Si shkoi dita juaj te hangari?

Fatos Berberi: -Ditën e tretë dolëm në qytet, atje njerëzit na sjellin ndihma. Në Brindisi ndenja një javë, në Itali rreth një muaj. Në Milano kemi shkuar me trena. Papa Voitila bëri një thirrje: ‘’Ndihmoni Shqiptarët’’!  Kur shkuam në Milano pas 6 ditësh, pasi ndenjëm në shkolla, në tren fatorino na kërkonte biletat! Ne i thonim Albanesi! Va bene thonin ata, ma non tropo spesso!

Eljan Tanini: -Si ndodhi, pse ju çuan nëpër shkolla? Si ju sistemuan atje? 

Fatos Berberi: -Ata i dhanë pushim nxënësve, ne flinim nëpër klasa, na lanë edhe një person që mbante grupin, si të fortët e grupit. Na sillnin ndihma nxënësit dhe të tjerë pranë tyre që u organizuan. Flinim me rrobat e trupit, ushtria na solli më pas edhe  dyshekë me ajër. Natën e fundit në gjumë në atë klasë, kishte edhe ca fëmijë të vegjël, vinë nja dy-tre vetë barkëmedhenj, na kërkuan plaçkat! Fëmijët nisën të qanin! Ngrihet çuni i hallës sime, nxjerr biçakun dhe ata largohen.

Natën e parë pasi shkuam në Milano, stacioni qendror i Milanos tregonte në 2 ekrane të mëdhenj gjendjen e emigrantëve nga Rai 3. Në atë çast kur po i shpjegoja Flamurit, kushuririt, një zonjë në moshë më thotë: Bashkia ka hapur 300 vende për ju, po ju lë një nr telefoni, unë me profesion jam mësuese. A doni t’ju ndihmoj? Keni interes për të ndenjur? Nesër në mengjes shkoni te Kryqi i Kuq dhe më pas do të shkoni në polici.

Atë natë flemë në një vagon treni, morëm gazeta me shumë faqe për t’i shtruar. Në pesë të mengjesit niset treni, na zgjoi djali i hallës, se treni do të na merrte me vete

Shkojmë më pas në një sallë me kondicioner. Na afrohen dy policë, kërkojnë biletat, ne nuk kishim. Na çuan, dolëm jashtë. Aty pamë shishe jeshile, ne nuk e dinim që birra futej edhe në shishe jeshile, ishim mësuar me shishet ngjyrë kafe.

Aty më pyet dikush, a jeni shqiptarë? Po i themi ne! Pas kësaj ndërtesës, na tha ai, është një zonjë që kërkon dhe jep punë në një hotel.

Shkuam te Kryqi i Kuq, doktori na kontrolloi. Shkuam te zonja e hotelit, atje kishte marokenë dhe kinezë. Unë i thashë djalit të hallës, me këta do punojmë ne? Na thërret sekretarja, shqiptarët! Te hoteli kishte punë me la, me shpla, me fshi dhe me hekuros. Ne kërkuam punë për hidraulik. Por jo, nuk u bë. Na pyeti zonja a kishim për të ngrënë, më pas ajo na tregoi kishën aty pranë e cila kishte edhe një mensë.

Pak ditë më pas e lashë kushuririn në një stacion policie, unë desha të kthehesha, ai të qendronte. Por nuk ia them këtë. I them një polici për punë, për të. Nuk ka punë tha polici, nuk ka këtu punë për emigrantë ekonomik. Një burrë në moshë më ofroi kafe në park dhe një briosh. Më dha numrin e telefonit të çunave të tij. Unë nuk kisha ndërmend të shkoja në Itali me eksodin e parë.

Eljan Tanini: -Si u kthyet ju në Shqipëri?

Fatos Berberi: -Herën e parë jam kthyer me traget, ndërsa me Anijen Vlora me avion herën e dytë. Të gjitha këto i paguante Shteti Italian. Do ju vari Enveri më tha polici! Po po i thashë unë, Enveri ka 6 vite që ka vdekur. Kur kthehem në Kavajë, rinis punë te  Poçeria, atje ku isha. Nga Marsi dhe Gusht 1991 ishte paralizuar çdo gjë. U hap Porti ishte thirrja e të dy eksodeve. Rashë dakord edhe me mamanë për të ikur me Anijen Vlora.

Te Anija Vlora kisha edhe lekë me vete, kisha marrë rrogën. Te Panamaja njerëzit hiqnin orat dhe i hidhnin në det, do i marrim atje thonin. Te Anija Vlora kam hipur nga ora 2 e drekës, ishte shumë vapë, në atë çast nuk kishte shumë njerëz. Te Anija Vlora kishte depozita me ujë që ishte disi i ngrohtë.  Atje kam parë njerëz që kapeshin te litarët e anijes, binin në det dhe hipnin prapë. Kur vajta te motorrat e Anijes Vlora, te një pjesë rezervuari prej bakri, njerëzit pinin ujë me pika. Madje njerëzit pinin në anije edhe ujë me kripë, ata bërtisnin më pas!

Pashë kushuririn tim atje, Mehmet Ypin, ishte bërë gjithë graso, ishte inxhinier i Anijes Vlora. Kishte në dorë një pagure të vogël, prodhim i Plastikës Durrës. Ia kërkon një grua shtatzanë ujin, ia jep. Natën nuk e di se çfarë ka ndodhur, por një anije e vogël natën mund të bente aksident me Anijen Vlora. Zbritëm në port, na grumbulluan të gjithëve në Stadiumin e Barit. Grupet e çunave “të fortët”  kërcënonin edhe me shtiza nga ato të sportit, 2 ditë kemi ndenjur pa bukë.

Eljan Tanini: -Keni parë veprime skandaloze në Stadiumin e Barit?

Fatos Berberi: -Kanë kërcënuar njerëz, një çifti me fëmijë, një djalë i vogël donte t’i merrte orën, unazën etj… Ia dha orën, por jo unazën. Kishte sherre për ushqim, rrija i tërhequr. Natën e fundit e hapën stadiumin, fjetëm jashtë me kartona. Policët italianë thërrisnin natën: ÇOHU, ÇOHU!

Na çojnë në Aeroportin e Barit, ushtarët italianë ishin shumë të egër. Atje kishte vendas që bashkëpunonin me policinë. Policia i kapte njerëzit që donin të lëviznin më gjerë se hapësira e stadiumit. Na thanë që do të na çonin në Torino, atje pashë kallamishtet e Rinasit nga dritarja e avionit. Në Bari, ushqimet hidheshin nga sipër, por i merrnin “çunat e fortë”.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?