Palestinezët duke ikur nga Gaza

Bota

Eksodi nga Gaza: Është hera e katërt që lë shtëpinë time! 1 mijë dollarë për të ikur dhe 8 orë për të bërë 15 kilometra, jemi si fantazma

17 Shtator, 09:50| Përditesimi: 17 Shtator, 09:58

  • Share

Mohammed Aiamarin nuk largohet. Edhe pse thotë se "zemra më është ndalur pothuajse" nga zhurma e bombave që shpërthyen disa qindra metra larg çadrës së tij të ngritur në plazh. Nuk braktis qytetin e Gazës sepse "nuk ka zona të sigurta, dhe pushtimi shtrihet. Ushtria izraelite bombardoi kudo, pra çfarë ndryshon?". Zëri dhe bindjet nuk i lëkunden, por Aiamarin ngurron kur flet për fëmijët: "Por ndoshta, nëse gjej mënyrën, do të organizoj evakuimin e familjes sime drejt kampit të refugjatëve në Al-Mawasi, në jug. Kam katër fëmijë të vegjël", dhe dërgon fotot e Amal, Janie, Maria dhe Lynn. "Nuk i kam parë kurrë aq të trembur sa atë natë, ishin të pangushëllueshëm. Kishte një moment që mendova se kishin hedhur bombën bërthamore, nuk do të më habiste, aq shumë duan të na eliminojnë".

Najeeb Kaddoumi thoshte se nuk do të largohej kurrë, se as përpara ofensivës tokësore të ushtrisë izraelite nuk do të vihej në lëvizje. "Vdes këtu", deklaronte me krenari. Por dje mbërriti në Deir al-Baiah, në qendër të Rripit, sepse "nuk e imagjinoja se ekzistonte ai nivel frike", shkruan ai. Gjatë natës që kaloi duke mbuluar veshët e djalit të tij, mori guximin, mblodhi një dyshek, rrobat dhe librat e paktë që i kishin mbetur dhe me gruan dhe fëmijën hipi në një furgon të shkatërruar, të marrë me qira nga një mik, për të ndarë shpenzimin e udhëtimit. "Na u deshën tetë orë për të bërë 15 kilometra. Lëviznim me hapin e njeriut, por nuk kishim zgjidhje tjetër", rrëfen ai. "Shihja njerëzit e mi mbi karroca, në këmbë: jemi fantazma pa destinacion, nuk ndiej më as zemërim. Është hera e katërt që detyrohem të zhvendosem". Ai mbërriti tek motra dhe babai dhe për momentin fle në plazh duke pritur të gjejë një strehë më të mirë: "Më duket vetja i mundur. Kam pranuar planin e tyre". "Plani i tyre" është, sipas Kaddoumit, spastrimi etnik: shembin pallate dhe jetë "që të mos na shohin kurrë më të kthehemi".

Deri disa javë më parë, qyteti i Gazës ishte "shtëpia" për një milion njerëz. Dje, ushtria izraelite bëri të ditur se aty kanë mbetur ende gjashtëqind mijë mes rrënojave dhe mbeturinave. Ushtarakët i urdhërojnë banorët të braktisin qytetin — vështirë të quhet ende kështu duke parë nivelin e shkatërrimit — por jo të gjithë munden.

Dina Aseel dhe motra e saj do të donin të largoheshin, por nuk dinë si: "Nuk po gjejmë dot një shofer, i pari i lirë është pas dhjetë ditësh". Mendojnë të bëjnë rrugën e qytetit të Gazës-Al Mawasi në këmbë, por kjo do të thoshte të lënë gjithçka që kanë. Natën tjetër, në mes të apokalipsit, u larguan nga apartamenti i tyre i rrënuar për të shkuar drejt detit. "Kërkuam strehë në plazh. Bombat binin si shi dhe ne vraponim pa drejtim".

Kush largohet nga qyteti i Gazës shkon në jug, në kampin e refugjatëve të Al Mawasi. Sami Abu Omar jeton aty prej gjashtë muajsh. "Po vijnë mijëra njerëz. Nuk do të ketë vend për askënd këtu. Por çfarë mund të bëjnë?", thotë. Flenë jashtë në plazh ose buzë rrugëve me ato pak gjëra që u kanë mbetur — batanije për dimër, ndonjë rrobë. "Qeveria izraelite kishte premtuar çadra që nuk i kemi parë kurrë". Një çadër kushton deri në një mijë euro, udhëtimi i dëshpërimit edhe një mijë të tjera. Largimi nga fronti i ri dhe shpëtimi i jetës është bërë një luks që jo të gjithë palestinezët mund ta përballojnë./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • EriEri: 17/09/2025 12:14

    Hamasi a eshte ne gaza dhe kush e ushqen me militant nga vine keta a sjane vendas....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?