Ndërsa Covid-19 përparon, epidemiologët po mësojnë gradualisht gjithnjë e më shumë për të. Një pjesë e madhe e tyre mendojnë se shkalla fillestare e infeksionit COVID-19 mund të jetë nënvlerësuar për shkak të testimit të ulët, individëve asimptomatikë dhe me forma të lehta si dhe pamundësisë për t’i identifikuar rastet e hershme.
Një studim i ri i kryer nga Kolegji “Penn State” për Shkencat e Informacionit dhe Teknologjinë vlerëson se numri i rasteve të hershme të COVID-19 në ShBA mund të ketë qenë më shumë se 80 herë më i madh dhe është përhapur dyfish më shpejt nga sa mendohej në fillim.
Në një punim të botuar në revistën “Science Translational Medicine”, studiuesit vlerësuan shkallën e zbulimit të rasteve simptomatike COVID-19 duke përdorur të dhënat e mbledhura nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të ngjashme me gripin (ILI).
Studiuesit zbuluan se ka një diferencë krahasuar me rastet e gripit sezonal. Kjo diferencë përputhet plotësisht me përhapjen e Covid-19 në SHBA.
“Kjo sugjeron që të dhënat përfshijnë raste të COVID-19, dhe duket se ka një popullsi shumë më të madhe të diagnostikuar sesa mendohej fillimisht“, thotë Justin Silverman, asisten profesor në Kolegjin “Penn State” për Shkencat e Informacionit dhe Teknologjinë.
“Në fillim m’u duk e pamundur që vlerësimet tona të ishin të sakta. Por ne e kuptuam që vdekjet në të gjithë SHBA ishin dyfishuar çdo tre ditë dhe se vlerësimi që ne kishim bërë për shkallën e infeksionit ishte në përputhje me dyfishimin e tre ditëve që nga raportimi i rastit të parë në Uashington më 15 janar“, thotë ai.
Në Nju-Jork, për shembull, modeli i krijuar nga studiuesit, sugjeron që të paktën 9% e popullsisë së tërë shtetit ishte infektuar deri në fund të marsit. Pasi u bë testi i antitrupave te 3 000 banorë, rezultoi një normë infeksioni prej 13.9%, ose 2.7 milion njujorkezë.
Kjo diferencë mes shifrave duket se ka arritur kulmin në mesin e marsit pasi studiuesit sugjerojnë se më pak pacientë me simptoma të buta kërkuan kujdes shëndetësor dhe shtetet zbatuan masa që çuan në nivele më të ulëta të transmetimit. Gati gjysma e shteteve amerikane ishin nën masën e qëndrimit në shtëpi deri më 28 mars.
Gjetjet sugjerojnë një mënyrë alternative të të menduarit rreth pandemisë COVID-19.
“Rezultatet tona sugjerojnë që efektet dërrmuese të COVID-19 mund të kenë më pak lidhje me vdekshmërinë e virusit dhe më shumë me atë se sa shpejt mund të përhapej në fillim mes komuniteteve“, shpjegoi Silverman.