Një vit larg, pas kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës në Gjykatën Kushtetuese, për të rrëzuar ligjërisht marrëveshjen, që mundëson menaxhimin e zonave të Parkut të Butrintit nga një Fondacion i Posaçëm, “Mbrojtja e Butrintit” vijoi sot me një tryezë diskutimi...
“Koncesioni i Butrintit në fakt është një ligj i porositur. Ka nisur që me ligjet e vitit 2018 për trashëgiminë kulturore, të paguara dhe të advokuara nga AADF-ja. Më pas me bërjen e një plani menaxhimi po ashtu të paguar nga AADF-ja ku sugjeronte që të jepej me koncension, më pas vetë AADF bënte një ofert të pakërkuar, ngrinte një fondacion dhe e merte me koncension”, thotë deputetja e opozitës Ina Zhupa.
Të pranishëm në debat, ishin specialistë të trashëgimisë, juristë dhe aktivistë, ose thënë ndryshe në diskutim, formacioni i ekspertizës që Ministria e Kulturës, sipas tyre duhet të kish thirrur në konsultë para ratifikimit të marrëveshjes.
“Duke zgjedhur privatin, dhe emra si Richard Hodges (kreu i bordit të Fondacionit) apo studiues të tjerë, tezat e të cilëve janë antishqiptare, pasi thonë se Butrinti është grek, se Saranda është greke dhe jugu i Shqipërisë duhet të ishte pjesë e Greqisë ne po na rrezikojnë identitetin, trashëgiminë dhe historinë tonë që ne duam tua transmetojmë brezave”, shton Zhupa.
Cenimi i etnicitetit, humbjet e financiare, në favor të Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit, rritja e çmimit të biletave, menaxhimi i pasurive të trashëgimisë po nga kjo strukturë, janë shqetësimet kryesore të ngritura.
“Ne nuk duam të deformojmë kulturën e një vendi tjetër, por nuk mund të lejojmë që të tjerët të deformojnë kulturën tonë”, thotë ak. Baçe.
Ndërkaq, duke theksuar mungesën e transparencës lidhur me shifrat që shteti ka vendosur në funksion të kësaj marrëveshje, juristët tregojnë se në Gjykatën Kushtetuese, palët e paditura munguan, ndërsa renditën sipas tyre shkeljet e Kushtetutës dhe qëndrimin e dyshimtë të gjykatësve, që sipas tyre kanë bërë pyetje naive në favor të palës tjetër.
“Nëqoftëse në krye apo pjesë e bordit të administrimit të një Fondacioni, vendosen individë që bëjnë deklarata që bien ndesh me identitet dhe trashëgiminë kombëtare atëherë këtu kemi një shkelje të fortë kushtetuese. Nga ana tjetër kemi dhe një ministër, anëtar bordi, ndërsa sipas Kushtetutës një ministër nuk mund të kryejë detyra të tjera përveç të ministrit, dhe jo si anëtar bordi i një fondacioni”, thotë eksperti ligjor Bledar Dervishaj.
Në bordin e Fondacionit 2 anëtarë janë nga Ministria e Kulturës dhe 2 nga Fondacioni Amerikan për Zhvillim, ndërkaq udhëhiqet nga studiuesi anglez Richard Hodges, i cili e shikon në studimet e tij Butrintit, si një sit që ka qenë pjesë e kolonive greke.
“Ne me këtë humbasim, sipas ‘hesapeve’ që kam bërë unë, 100 mln të shtetit në 10 vjet. AADF vetëm vjel nga kjo gjë dhe drejtuesi i bordit është dikush që thotë Butrinti është qytet grek, pra ne sikur financojmë antishqiptarizmin në këtë mes”, thotë arkeologu, akademik Apollon Baçe.
Pretendohet shkelja e Konventës së Parisit, në rastin e Butrintit si pjesë e listës së trashëgimive të UNESCO-s, që kërkon që administrimi dhe konservimi të bëhet nga shteti ose nga një ent publik.
“UNESCO nuk mund të heshtë për këtë! Këtë pasuri duhet ta menaxhojë shteti, pasi bëhet fjalë për historinë tonë”, shprehet arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj.