Gledis Gjipali

Eksperti Gjipali: Ja ç’përfiton Shqipëria nga çelja e negociatave

31 Maj 2019, 07:36| Përditesimi: 31 Maj 2019, 07:51

  • Share

Eksperti për çështjet evropiane, drejtor i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka sqaruar proceset në të cilat do të përfshihet Shqipëria nëse Këshilli i Ministrave të Jashtëm dhe Kryeministrave të vendeve të BE konfirmojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen pa kushte të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjipali thekson se nëse Këshilli Evropian konfirmon çeljen e negociatave, fillojnë procedurat e përgatitjes së negociatave si dhe caktohet data konferencës ndërqeveritare. Ai shtoi se negociatat do të nisin me kapituj 23-24 që kanë të bëjë me sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut, bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit, korrupsionit, azili, emigracioni, bashkëpunimi në çështjet civile gjyqësore dhe çështje penale etj. Sa i takon përfitimit financiar nga ana e Shqipërisë, Gledis Gjipali, shprehet se fondet nuk ndryshojnë, por shton se duke avancuar statusi i vendit ka më shumë mundësi, që kanë të bëjnë me faktin se sa të aftë jemi ne, sa i rrisim ne kapacitetet tona për të përthithur fondet. 

-Komisioni Evropian ka rekomanduar çeljen pa kushte dhe në bazë merite të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ku ndryshon rekomandimi i fundit me rekomandimin pozitiv të një viti më parë?

Është i njëjti rekomandim pozitiv që Komisioni Evropian bën për Shqipërinë, por ndryshimi i vetëm është se në rekomandimin e fundit pozitiv janë përmendur edhe hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për ato detyra që Këshilli Evropian la vitin e kaluar. Janë përmendur hapat në luftën kundër korrupsionit, krimit, trafikimit etj., ku është përmendur se Shqipëria ka ndërmarrë hapa para dhe ka adresuar këto çështje. Gjithashtu edhe për reformën në drejtësi, është përmendur që ka hyrë në rrugën e zbatimit si dhe numrin e madh të çështjeve të trajtuara të pjesës së Vetingut, ku pjesa më e madhe e subjekteve nuk e kanë kaluar dot. Këto janë dy elementët kryesorë që i thekson raporti i Komisionit Evropian që janë pozitivë dhe që kanë adresuar çështjet e sugjeruara nga Këshilli vitin e kaluar.

-Në çfarë hallkash dhe etapash do të kalojë në vijim progres-raporti i Komisionit Evropian?

Raporti i propozohet fillimisht Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE dhe më pas Këshillit Evropian, që janë të gjithë krerët e shteteve të vendeve të BE. Praktikisht është e njëjta vendimmarrje pasi janë qeveritë e vendeve anëtare, aty ulet ministri i jashtëm dhe të nesërmen ulet kryeministri ose presidenti vendit anëtar. Kështu që është i njëjti qëndrim, por që kanë funksione të ndryshme në arkitekturën e vendit përkatës. Gjithsesi pritet që përpara se të diskutohet nga Këshilli do të ketë edhe një debat apo dakordësi në disa prej parlamentareve të vendeve anëtare, sidomos ai gjerman, holandez etj., që do të shprehen qoftë në seanca apo në komisionet e jashtme të çështjeve evropiane mbi këtë rekomandim të Komisionit Evropian.

-Sa i takon kriterit politik, ra në sy se në të gjithë raportin, vetëm një fjali i referohej zhvillimeve politike, konkretisht lëvizjes së opozitës. Pse kjo mungesë vëmendje apo shpërfilljeje nga Brukseli për aksionin e opozitës?

Është një sinjal që edhe Komisioni Evropian dhe institucionet evropiane në përgjithësi synojnë t’i qëndrojnë larg konfliktit politik në Shqipëri. Kjo do të thotë se Shqipëria, meqenëse po avancon në procesin e integrimit, duhet të ketë maturinë e duhur për t’i zgjidhur vetë këto probleme politike të brendshme dhe pa u shtrirë tek institucionet evropiane ky konflikt apo polarizim i thellë politik.

-Përveç adresimit të detyrave konkrete që la vjet Këshilli, sa mund  të ndikojë kriteri politik në vendimmarrjen e Këshillit për çeljen ose jo të negociatave? Pra, zhvillimet negativa politike në Tiranë mund të ndikojnë në vendimin e Këshillit Evropian?

Besoj se ndikimi do të jetë minimal për shkak edhe të gjuhës së përdorur nga Komisioni Evropian, por edhe të reagimeve që kemi pasur nga eksponentë të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët nuk janë përfshirë në këtë situatë politike të brendshme, përveç thirrjeve të zakonshme për pjesëmarrje në zgjedhje apo që të përdoren institucionet kryesore demokratike siç është parlamenti. Pra, nuk janë përfshirë, për këtë arsye ndikimi do të jetë minimal.

Çfarë do të ndodhë në Shqipëri, në çfarë procesesh do të përfshihet vendi ynë, nëse edhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm dhe Këshilli i Kryeministrave të vendeve të BE e konfirmojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen pa kushte të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Në rast se do të kemi një vendim pozitiv, menjëherë më pas fillojnë procedurat e përgatitjes së negociatave, vijon procesi i vlerësimit të të gjithë legjislacionit dhe boshllëqeve që legjislacioni shqiptar ka kundrejt atij evropian. Caktohet data konferencës ndërqeveritare e cila është momenti ku praktikisht bëhet hapja e negociatave. Pra, formalisht nisin negociatat. Caktohen kapitujt kryesorë, ku dihet që 23-24 do të jenë të parët që do të hapen, por mund të jenë edhe kapituj të tjerë, të cilët përcaktohen për të nisur negociatat.

-Ku konsistojnë kapitujt 23-24?

Janë kapituj që kanë të bëjnë, 23 ka të bëjë me sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut, ndërsa 24 ka të bëjë me punët e brendshme, ku janë fusha si bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit, korrupsionit, azili, emigracioni, bashkëpunimi në çështjet civile gjyqësore dhe çështje penale, pra në elementët kryesorë që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani ka si problematikë më të madhe, prandaj është përcaktuar që këto do të hapen të parat.

-Ka një diskutim për një përfitim të mundshëm financiar. Do ketë Shqipëria përfitim financiar nëse finalizohet nga Këshilli Evropian çelja e negociatave?

Jo nuk ka ndonjë ndryshim për fondet. Ato janë parashikuar në buxhetin e BE. Sigurisht që duke avancuar statusi i vendit ka më shumë mundësi, por nuk pritet një rritje e menjëhershme. Më shumë ka të bëjë me sa të aftë jemi ne, sa i rrisim ne kapacitetet tona për të përthithur fondet, që është problematika më e madhe se sa disponueshmëria e BE për të dhënë para.

-Si e shihni rezultatin e zgjedhjeve evropianen në favor apo disfavor të çeljes së negociatave, ku ekstremistët e djathtë patën një farë rritje, por sërish u konfirmuan pakicë?

Po pati njëfarë rritje, pati një ndikim të madh që pritej, pra një zgjerim më të madh të forcave, të cilat janë kundër zgjerimit. Megjithatë, nuk do ketë ndikim negativ as në Parlamentin Evropian dhe as në politikat e disa nga prej vendeve anëtare, për të cilat është edhe shqetësimi më i madh. Gjithsesi sa i takon Francës dhe Holandës është ende shpejt për të folur se si do të jetë qëndrimi i tyre, nisur edhe nga zgjedhjet e fundit, pra nga mesazhi që ata kanë marrë nga votuesit e tyre. Për fat të keq, sidomos në Francë, ka pasur edhe diskutime, sidomos gjatë fushatës, ku janë parë si vlerë bllokimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në procesin integrimit. Kjo tregon edhe një perceptim të publikut që është kundër zgjerimit të mëtejshëm, gjë që mund të shprehet në vendimmarrjen e tyre për hapjen e radhës të negociatave.

Gjipali

“Në rast se do të kemi një vendim pozitiv, menjëherë më pas fillojnë procedurat e përgatitjes së negociatave, vijon procesi i vlerësimit të të gjithë legjislacionit dhe boshllëqeve që legjislacioni shqiptar ka kundrejt atij evropian”.

Financimi

“Jo nuk ka ndonjë ndryshim për fondet. Ato janë parashikuar në buxhetin e BE. Sigurisht që duke avancuar statusi i vendit ka më shumë mundësi, por nuk pritet një rritje e menjëhershme. Më shumë ka të bëjë me sa të aftë jemi ne, sa i rrisim ne kapacitetet tona për të përthithur fondet”.

Komento

Komente

  • aaaaaaa: 31/05/2019 11:35

    asnje sqarim per emigracionin..

    Përgjigju
    • U\uuuuuuuuu: 31/05/2019 12:33

      Nuk ka rendesi... Ti klikove kjo esht e rendesishme. Nje klikues me shum

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?