Ndonëse këshillimi i karrierës është konsideruar si një nga çështjet që do i kushtohet prioritet në arsimin parauniversitar, sipas ekspertit Erion Muca nga të dhënat rezulton se 60% e të rinjve nuk kanë zbuluar tek vetja prirjet dhe fushën ku mund t’i dedikohen në të ardhmen.
“Sot në Shqipëri janë rreth 60% e të rinjve që nuk kanë asnjë lloj identifikimi të prirjes dhe talentit që kanë, nuk provojnë për ta zbuluar atë, nuk kanë mbështetje për ta evidentuar atë ku mund të fokusohen. Gjithë këshillimi bëhet në rrëmujë i shpërndarë dhe konfuz, që sugjeron familja, mësuesi, shoku, shoqja”.
Por Drejtorin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar Gert Janaqi, në sistemin tonë arsimor po aplikohet prej 10 vitesh moduli i Këshillimit të Karrierës, i cili u vjen në ndihmë nxënësve nga klasa e 6 në të 13-ën për të pikasur tek ata talentet e tyre, dhe orientimin për në universitet apo çdo lloj programi tjetër mësimor.
“Çdo shkollë nga 9-vjeçare deri në gjimnaz ka zyrat e këshillimit të karrierës ku përfshihet më shumë sesa një mësues, ku janë ato të qytetarisë, koordinatorët e këshillimit të karrierës të cilët hartojnë një plan të integruar në dy akse kryesore. Aksi parë ka të bëjë me gjithë kalendarizimin e subjekteve që paraqesin ofertën e tyre për këshillim karriere mund të jenë profesionistë, mund të jenë sipërmarrës, dhoma e tregtisë, universitetet. Ndërkohë nxënësit kanë këndin, ditët e formimit për këshillimin e karrierës”.
Ndërkohë në shkolla përmes orëve të hapura, sic tregon edhe mësuese Nada Saliu, nga “Sami Frashëri” nxënësit takojnë drejtues të universiteteve, marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuar nga shkolla për të kanalizuar sa më mirë pasionet e të rinjve.
“Takojmë çdo përfaqësues të universiteteve, pra janë orët e hapura ku me mënyrën më specifike takojmë pikërisht personat që janë kompetentë për çdo degë. Por krahas këtyre ditëve ekzistojnë edhe momente të tjera ku nxënësit nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme informohen më tej sesi të zgjidhin ato dilemat që kanë për profesionet e tyre në të ardhmen”, tha Saliu.
Por ndërsa për shumë të rinj këshillimi i karrierës nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, Gentiana Kordhaku dhe Alesia Kavaja maturante në Gjimnazin Sami Frashëri rrëfejnë për report TV se falë orëve të posaçme këshilluese vendosën edhe për degën e preferuar për në Universitet.
“Unë gjithmonë kam qenë tek lëndët shkencore por, isha në dilemë midis mjekësisë apo degëve të inxhinierisë pas një bisede me mësuesit, më kanë drejtuar drejtë mjekësisë sepse kishin mendimin se është më i përshtatshëm për mua”.
“Vëllai im studion për mjekësi këtu në Shqipëri, edhe ka ndikuar edhe tek unë mjekësia si degë që dua ta vazhdoj, por nuk është se ka pasur presion nga familja por, është zgjedhja ime. Kjo dhe për shkak të prirjes që kam për lëndët shkencore”, tha një nxënëse.