Graeme Reid ne Shqiperi

Eksperti i pavarur i OKB-se: Personat LGBT përballen me diskriminim, rastet e dhunës sporadike! 'Prindi 1' e 'Prindi 2' debat i rremë

12 Korrik, 16:50
  • Share

Tirane- Eksperti i Pavarur i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, Graeme Reid përfundoi sot vizitën e tij në Shqipëri.

Qëllimi I vizitës nga data 1 – 12 korrik 2024 kishte të bënte me vlerësimin e zbatimit të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në lidhje me mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor

Në deklaratën në përfundim të misionit Reid vë në dukje se personat LGBT përballen me diskriminim.

“Qartazi, personat LGBT përballen me diskriminim në disa sektorë, përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe punësimin. Ata përballen edhe me pengesa për të raportuar krimet e motivuara nga paragjykimet dhe për të marrë kompensim. Shumë raste diskriminimi vijnë si pasojë e qëndrimeve sociale dhe mund të duhet kohë për t’i ndryshuar. Vërehen shumë raste diskriminimi. Kuadri i fortë ligjor dhe i politikave në fuqi, si edhe të tjerë që janë në pritje, kryesisht për njohjen ligjore të gjinisë dhe bashkëjetesës së personave të së njëjtës gjini, ofrojnë një bazë të qëndrueshme për ndryshimin e nevojshëm” tha Reid. 

Ndërsa sa i takon rasteve të dhunës janë sporadike dhe jo të përhapura

Dhuna kundër personave LGBT nuk duket të jetë as sistemike e as e përhapur, megjithatë ajo ndodh të paktën në mënyrë sporadike duke shfrytëzuar mundësi të ndryshme. Raportohet se gratë transgjinore janë mjaft të cenueshme.

Kjo deklaratë në përfundim të misionit do të ndiqet nga një raport i plotë që do të përmbajë vëzhgime, përfundime dhe rekomandime për Qeverinë Shqiptare dhe që do të paraqitet në Këshillin e OKB-së për Drejtat e Njeriut, në qershor 2025.

Një pikë ku u vu theksi nga eksperti i pavarur i OKB-së, Graeme Reid ishte dhe mungesa e dispozitave për njohjen ligjore të bashkëjetesës së personave të së njëjtës gjini apo të ligjit që lehtëson njohjen ligjore të gjinisë.

“Disa mangësi të dukshme në kuadrin ligjor aktual janë mungesa e dispozitave për njohjen ligjore të bashkëjetesës së personave të së njëjtës gjini, si edhe mungesa e dispozitave për zgjatje të përfitimeve martesore të partnerëve të së njëjtës gjini. Po ashtu, nuk ka ndonjë ligj që lehtëson njohjen ligjore të gjinisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministria përgjegjëse për bashkërendimin e çështjeve të lidhura me orientimin seksual dhe identitetin gjinor në qeverisjen qendrore dhe vendore, ka hartuar propozime ligjore për të ndryshuar Kodin aktual të Familjes, i cili e përkufizon martesën si një bashkim mes një burri dhe një gruaje.”  tha Reid.

Eksperti i OKB shpreh shqetësim për rritjen e retorikës fetare jotolerante që po përforcohet dhe nga disa politikanë dhe debati për Prindi 1” dhe “Prindi 2”.

"Shumë bashkëbisedues u shprehën për një qasje dhe kulturë tolerance, përfshirë nivelin e lartë të tolerancës fetare në Shqipëri. Lidhur me këtë, shumë persona u shprehën të shqetësuar për rritjen e retorikës fetare jotolerante dhe keqorientuese, e cila përforcohet nga disa politikanë dhe media të paarsyeshme. Ligjërime të tilla ndiqnin deklarata të njohura të përdorura në rajone të tjera të botës, të cilat në mënyrë të rremë sugjerojnë se personat LGBT përbëjnë kërcenim për fëmijët, familjen dhe kombin. Ndonëse nuk duket se gëzon mbështetjen e masave, ajo ka marrë vëmendje shproporcionale nga media, e cila përforcon retorikën që është potencialisht e rrezikshme, veçanërisht në një mjedis ku ka mungesë informacioni për personat LGBT. Një shembull i keq, i cili fitoi terren, në vazhdën e një programi televiziv mbi të drejtat ligjore të prindërve të së njëjtës gjini ishte pohimi i pasaktë se aktivistët LGBT donin të zëvendësonin kategoritë “nënë” dhe “babë” në certifikatat e lindjes me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Ajo që humbi gjatë këtij debati të rremë ishte çështja relativisht e drejtpërdrejtë e njohjes së prindërimit të përbashkët për çiftet e së njëjtës gjini. Një çift i tillë, i cili ka ngritur padi për t’u njohur ligjërisht si nënat e dy vajzave të tyre kujtuan se si miti i “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, vazhdon t’i përndjekë edhe ditën e sotme. Përveç ndikimit negativ mbi familjet diverse, retorika armiqësore dhe keqorientuese kontribuon në mjedisin ku diskriminimi ndodh në aspekte të tjera thelbësore në jetën e njerëzve."

Për të trajtuar retorikën armiqësore propozohet ndryshimi i Kodit Penal. 

"Ndonjëherë, retorika armiqësore arrin deri në nivelin e gjuhës së urrejtjes, e cila mund të trajtohet duke ndryshuar Kodin Penal në mënyrë që të njohë konkretisht orientimin seksual dhe identitetin gjinor si bazat e ndaluara të diskriminimit. Megjithatë, kur bëhet fjalë për të luftuar retorikën armiqësore dhe keqorientuese, e cila nuk arrin në nivelin e gjuhës së urrejtjes, ajo çka është edhe më e rëndësishme është që figura të shquara publike dhe zyrtarë shtetërorë të shprehin publikisht mbështetjen e tyre për mosdiskriminimin dhe luftën kundër stereotipave, përfshirë denoncimin publik të rasteve të krimeve të urrejtjes ose retorikës armiqësore dhe diskriminuese në ligjërimin publik'

Ndër të tjera ai thotë se "Shqipëria ka nivel të lartë dhune me bazë gjinore, prandaj "kërkohet më shumë angazhim me shkollat për të luftuar stereotipat dhe idetë e gabuara për sa i përket orientimit seksual dhe identitetit gjinor"

Vihet re dhe mungesë informacioni për orientimin seksual dhe identitetin gjinor në kurrikulat e shkollës, të cilat i bëjnë nxënësit LGBT të ndihen të mënjanuar.

"Bullizmi dhe diskriminimi çuan në braktisjen e plotë të shkollës nga disa nxënës LGBT, duke i margjinalizuar ata edhe më shumë nga tregu i punës dhe duke komprometuar shanset e tyre në jetë. Këto probleme ndërlikohen edhe më tej nga mungesa e kompetencave të mësuesve për çështjet LGBT, pavarësisht disa përpjekjeve për të trajnuar mësues brenda parametrave të Planeve Kombëtare të Veprimit. Një e intervistuar pohoi se Ministria e Arsimit ngurron ta reformojë kurrikulën nga frika e zemërimit të prindërve" tha eksperti. 

Rekomandime paraprake

Rapori i Reid do të paraqitet para Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në qershor 2025 dhe për median prezantoi dhe një listë të detajuar me rekomandime, si më poshtë:

(a)    mbyllja e hendeqeve ligjore dhe krijimi i menjëhershëm i mekanizmit për njohje ligjore të gjinisë, përfshirë një procedurë administrative të thjeshtë e pak të kushtueshme, të bazuar në vetidentifikim;
(b)    përmirësimi i zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit, pjesërisht duke siguruar alokimin e burimeve të mjaftueshme; 
(c)    ndërmarrja e hapave për të siguruar që shkollat të jenë ambiente të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët; dhe
(d)    sigurimi që proceset e raportimit, dokumentimit dhe hetimit të krimeve të motivuara nga paragjykimet të jenë të aksesueshme dhe efektive për të gjithë personat në nevojë për mbrojtje. 

Gjatë qëndrimit në Shqipëri nga data 1 - 12 korrik, Graeme Reid udhëtoi në Tiranë, Shkodër, Kukës, Vlorë, Sarandë dhe Korçë për takime me zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, organe të barazisë dhe individë, në të cilat ndau përvojat mbi dhunën dhe diskriminimin e pretenduar të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. 

Eksperti i Pavarur është pjesë e asaj që njihet si Procedurat e Posaçme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Procedurat e Posaçme, organi më i madh i ekspertëve të pavarur në sistemin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, është emri i përgjithshëm i mekanizmave të pavarura të Këshillit për gjetjen e fakteve dhe monitorimin me qëllim trajtimin e situatave specifike të vendit apo çështjeve tematike në mbarë botën. Ekspertët e Procedurave të Posaçme punojnë në mënyrë vullnetare; ata nuk janë pjesë e stafit të OKB-së dhe nuk marrin rrogë për punën e tyre. Ata janë të pavarur nga ndonjë qeveri apo organizatë dhe shërbejnë në cilësinë e tyre individuale.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?