SHBA- Eksperti i Shëndetësisë, Anthony Fauci deklaroi se SHBA pasi të vaksinojë të gjithë qytetarët e saj, do të dhurojë vaksinat që do të teprojnë për vendet që i kanë nevojë.
“Aktualisht nuk na teprojnë, por në momentin që do të vaksinojmë të gjithë popullsinë e vendit tonë, pjesën e mbetur të vaksinave do t’i dhurojmë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.”, u shpreh Fauci.
Ai tha se vendet evropiane kanë burime të mjaftueshme për të siguruar vaksina kundër COVID-19, duke shtuar se i referohet vendeve të cilat nuk kanë të ardhura për t’i blerë ato.
SHBA ka një proces të qëndrueshëm vaksinimi i cili po ecën në hapat e duhur për arritjen e imunitetit të tufës.
Aktualisht numri i të vaksinuarve plotësisht kundër COVID-19 është 60 milionë, ndërsa 100 milionë qytetarë kanë marrë vetëm dozën e parë të saj.
Pavarësisht masave shtrënguese anti-COVID dhe fushatës së vaksinimit, kohët e fundit është ndjerë një rritje e rasteve të reja të infektimit, falë variantit britanik të COVID-19.
Një gjë te tillë e ka mbështetur edhe Fauci duke thënë se është e mundur që varianti britanik i COVID-19 të jetë përgjegjës për rritjen e rasteve të infektimeve me virusin.