Eksperti i Kriminalistikës Artan Rexhepi është shprehur i shqetësuar në lidhje me situatën e sigurisë në vend duke u ndalur tek ngjarjet e fundit.
I ftuar në Report Tv në emision ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Andi Kapxhiu, Rexhepi foli për vrasjen e 27 vjeçarit për ngjarjet me tritol që kane tronditur vendin si dhe për arrestimin e ish kryebashkiakut socialist të Vorës.
Në lidhje me ngjarjen e fundit ku mbeti i vrarë 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj eksperti u shpreh se policia duhet të bëjë kujdes që të mos përbaltë viktimën dhe se target kryesorë duhet të jenë minat me telekomandë.
“Policia nuk duhet të përbaltë viktimën, se duket sikur u vra një i botës së krimit dhe nuk është shumë problem. Duhet të ndërhyjë shteti me ligj që të shkëpusë zinxhirin se ky është problemi se vazhdon derisa të shuhen burimet financiare apo të shuhen të gjithë burrat e fisit. Problemi qëndron këtu ne nuk kemi pse kemi target kryesor armëmbajtjen pa leje dhe e dënojmë 7 vjet baras aksident me vdekje dhe largim nga vendi i ngjarjes. Target kryesor duhet të jenë minat me telekomandë se eliminojnë provat dhe janë shumë problematika për impaktin që krijojnë. Target kryesor duhet të jenë minat me telekomandë se eliminojnë provat dhe janë shumë problematika për impaktin që krijojnë.”, tha Rexhepi.
I pyetur për shpërthimet me tritol ku për një hark kohor të shkurtër ka pasur 18 të tilla ku katër prej tyre kishin si shënjestër efektivët e policisë ai u shpreh se shteti duhet ti mbrojë efektivët dhe ta bëjë të qartë se shteti nuk preket.
“Shteti në aspektin ligjor duhet të lëvizë njësoj për një qytetar të zakonshëm si për një efektiv por nga ana morale, në aspektin e forcës zbuluese duhet të amplifikojë tek strukturat e policisë, jo se jeta e një polici vlen më shumë jeta e një civili por impakti që shkakton duhet të ngrihet shteti në këmbë. Duhet të mësohen se shteti nuk preket”, tha ai.
Ai shtoi se efektivët e sulmuar ose kanë qenë shumë korrekt në punën e tyre dhe krimi nuk ka depërtuar dot ose kanë qenë të përfshirë në pazaret e drogës si dhe shtoi se sot policia e shtetit ka nevojë për mbështetje politike prandaj i dha dhe një këshillë miqësore ministrit Çuçi.
“Efektivët sulmohen në dy raste ose kur është shumë korrekt dhe krimi nuk arrin ta rekrutojë ose ana tjetër kur janë me efektivin në pazare të prishura ose dhe në konflikte personale. Policia ka nevojë për mbështetje politike këtë ja sugjeroj si këshillë miqësore ministrit Çuçi”, tha Rexhepi.
Ai u shpreh se ishte çështje fati që makina nuk shpërtheu në qendrën tregtare pasi pasojat do të ishin shumë më të rënda pasi vala e shpërthimit të eksplozivit në ambient të hapur është shumë më e ulët se në një ambient të mbyllur.
“Do kishte pasoja shumë më të rënda nëse makina do kishte shpërthyer në ambientet e parkingut të qendrës tregtare pasi efekti që krijon eksplozivi në ambient të hapur është më i ulët se në një ambient të mbyll. Prandaj them se duhet të jenë tagër. Ngjarja me eksploziv bëhet edhe për të trembur rrethin miqësor të viktimës, ideja që godet këtu por vala që përhapet është shumë e madhe”, tha eksperti.
Në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut socialist të Vorës Rexhepi tha se biznesmenët shpeshherë janë të lidhur me botën e krimit por harrojnë se në momentin që futen në politikë filtrat e kontrollit janë shumë më të forta.
“Situata është rëndë, ngjarjet po pasojnë njëra tjetrën, shpërthimi me tritol, kapet një kryebashkiak, biznesmenët shpeshherë kanë lidhje me botën e errët, dhe marrin vetën në qafë sa herë ngatërrohen në politikë pasi në politikë të bëhet një filtër tjetër. Kam informacione nga një ish operator, është nga kompani më të sofistikuara dhe mendoj se ka një shkelje syri. Mundësia e kalime do të ekzistojë gjithmonë, se ka raste që çohet për tu djegur një dërgesë e vogël që të kalojë një më e madhe”, tha eksperti.
Rexhepi shtoi se një nga arsyet kryesore pse Holanda refuzonte anëtarësimin e Shqipërisë në BE ishte trafiku i drogës që kalonte nga porti i Roterdamit në portin e Durrësit
“Një nga arsyet që Holanda e refuzonte anëtarësimin e Shqipërisë ishte kalimi i trafikut nga porti i Roterdamit në portin e Durrësit”, tha ai.
Ai vuri theksin tek fakti se ngjarje të tilla krijojnë panik dhe rrezikojnë seriozisht dhe jetën e qytetarëve.