Centrali bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë

Bota

Eksperti rus ngre alarmin: Zaporizhzhia mund të jetë një tjetër 'Fukushima'

17 Gusht 2022, 22:23| Përditesimi: 17 Gusht 2022, 23:06

  • Share

Ekspertët bërthamorë janë të shqetësuar se luftimet mund të dëmtojnë rezervuarët me karburantin e harxhuar të centralit ose sistemin e ftohjes për reaktorët. Radiokimisti rus dhe eksperti bërthamor Boris Zhuikov nga Instituti për Kërkime Bërthamore në Akademinë Ruse të Shkencave i tha agjencisë së lajme “Reuters” se bombardimet pranë kompleksit bërthamor të Zaporizhzhias mund të dëmtojnë sistemin e ftohjes së reaktorëve të tij.

“Nuk po flasim për një situatë ku do të kishte një numër të konsiderueshëm vdekjesh. Por, mund të jetë e nevojshme të zhvendosim një pjesë të popullatës në një territor prej dhjetëra kilometrash. Gjithashtu duhet të bëhet kontrolli i rregullt i nivelit të rrezatimit në plazhet e Detit të Zi dhe, natyrisht, përgjatë lumit Dnipro”, tha zoti Zhuikov.

Nëse kjo do të ndodhte, një aksident i 'llojit të Fukushimës' mund të ishte i mundur, tha ai.

“Bombardimet mund të dëmtojnë termocentralin bërthamor, sigurisht që kjo është e vërtetë. Por ka shumë të ngjarë që nuk është vetë reaktori ai që do të dëmtohet. Reaktori është i mbrojtur mirë. Mund të dëmtohet sistemi i ftohjes , si rezultat i të cilit, në parim, është i mundur një aksident mjaft i rëndë, jo në nivelin e Çernobilit, por në nivelin e Fukushimës” tha më tej zoti Zhuikov.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA), po kërkon qasje në termocentral.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për krijimin e një zone të çmilitarizuar përrreth Zaporizhzhias.

Kombet e Bashkuara thonë se e kanë kapacitetin logjistik dhe të sigurisë për të mbështetur një vizitë të IAEA-s, nëse Rusia dhe Ukraina bien dakord.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu zhvilloi një telefonatë me zotin Guterres për të diskutuar kushtet për funksionimin e sigurt të uzinës, thuhet në një njoftim nga kjo ministri.

"Në bashkëpunim të ngushtë me agjencinë dhe drejtuesit e saj, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që specialistët e IAEA-s të jenë në stacion dhe të japin një vlerësim të vërtetë të veprimeve shkatërruese të palës ukrainase," tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Rusia e mori nën kontroll stacionin bërthamor të Zaporizhzhia në mars, menjëherë pasi dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në atë që Moska e quan një "operacion special ushtarak"./VOA

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?