Ekonomi

Ekspertja e ekonomisë ‘skaner’ programeve të partive, Shehu: I PS më i zbatueshëm, taksa e PD jo e sheshtë e pastër

25 Mars 2021, 17:15| Përditesimi: 25 Mars 2021, 22:06

  • Share

Për situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë, dhe për sistemin fiskal që ne kemi aplikuar deri më tani, taksa progresive është më e zbatueshme. Kështu shprehet Ekspertja e ekonomisë Elona Shehu për Report TV teksa analizon programet ekonomike të partive.

“Tatimi progresiv e zbut pabarazinë mes shtresave nëse ai që fiton më shumë tatohet më shumë”, thotë Shehu.

Shehu është skeptike për rritjen e pagës minimale në nivelin e premtua nga partitë për shkak të kostove që i rriten biznesit.

“Do të duhet ndoshta të konsultohet më mirë me aktorët e biznesit, në mënyrë që të shikohet hapësira që ka realisht në këto biznese për ta rritur këtë pagë”, shprehet ekspertja.

Teksa ndalet tek shpjegimi i taksave, ekspertja thotë se taksa e programit të PD nuk është e sheshtë e pastër.

“Unë nuk shoh një taksë të sheshtë të pastër të premtuar nga PD, për vetë faktin që ti ke dy fasha tatimore pra 0% për pagat deri në 30 mijë lekë dhe 9% mbi këtë nivel.  Në tatohemi me 0% për pagën deri në 40 mijë lekë pse duhet unë paguaj tatim për 6 mijë lekëshin nëse e kam pagën 36 mijë lekë”, pohon Shehu.

E paqartë është mënyra se si PD pretendon të ulë detyrimin e sigurimeve shoqërore, madje Shehu thotë se skema e premtuar do thellonte deficitin në pensione.

“Paqartësia qëndron se cila palë do të favorizohet do të bëhet 50/50, dhe ajo që ulet tek punëmarrësi është një nivel i vogël prej 0.5%, dhe ajo që ndryshon është -6% detyrim për punëdhënësit. Skema e deficitit në sigurimet shoqërore do të thellohej më tepër’, deklaron Shehu. 

Duke qenë se programi i së djathtës do të ri-formatojë sistemin tatimor në vend, ekspertja e ekonomisë thotë se është ende e pasqaruar se si pretendon PD të rrisë të ardhurat, të ulë borxhi e nga ana tjetër ul taksat.

“Kush do të jenë rrugët që do të shfrytëzohen për të financuar buxhetin e shtetit për të mbuluar të gjitha këto mungesa që vijnë nga rënia e normës tatimore, dhe e të hyrave në formën e kontributeve, që do të shkaktojnë rritje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”, sqaron ndër të tjera pedagogia dhe ekspertja e ekonomisë Elona Shehu.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?