Ekonomi

Ekspertja për Report TV: Në 5 vitet e fundit, 40% e të ardhurave familjare kanë shkuar për shpenzime ushqimore! Shteti duhet të ndërhyjë për të shmangur abuzimet me çmimet

30 Prill, 14:42| Përditesimi: 30 Prill, 14:47

  • Share

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi tha se në 5 vitet e fundit, 40 për qind e të ardhurave të familjeve shqiptare kanë shkuar për shpenzimet ushqimore. Në një intervistë për Report TV, duke krahasuar me vitin 2007, ajo tha se shpenzimet për familjet me 4 anëtarë janë gati 50 për qind më tepër. 

“Nëse bëjmë krahasueshmërinë e të ardhurave mesatare me nivelin e shpenzimeve, të paktën në 5 vitet e fundit, ka vijuar i njëjti trend ku rreth 40 për qind e të ardhurave shkojnë për grupin e shpenzimeve ushqimore dhe pijeve jo alkolike. E dyta, nëse marrim në analiza nga 2007 e më tej, shpenzimet për familjet me një individ janë gati dyfishuar. Për familjet me individë, janë gati 50% më tepër. Nëse në 2007 ishte një vlerë 65 mijë lekë, tashmë kjo ka kaluar 90 mijë e më tepër. Kjo tregon rritjen e kostove të jetesës. Një nga faktorët bazë në këtë rritje, në këto 5 vitet e fundit, lidhe drejtpërdrejt me krizat ekonomike që kanë bërë rritje të inflacionit, rritje të çmimeve, por këto rritje kanë vijuar në të njëjtat nivele dhe nuk kanë zbritur.”, u shpreh ekspertja. 

Ekspertja theksoi se është e nevojshme mbështetja e pensionistëve përmes rritjes së të ardhurave të tyre, apo kompensimeve të ndryshme. Sipas ekspertes, e cila iu referua një studimi të bërë së fundmi, shpenzimet për pensionet në raport me mesataren e BE, janë rreth 4 për qind më pak se vendet e Evropës. 

“Një familje shqiptare me dy persona, me moshë mesatare 40-vjeç kanë shpenzim të ndryshëm nga një me moshë mesatare 65-vjeç. Shpenzimet janë të ndryshme në volum dhe lloj pasi edhe kërkesat e tyre janë të ndryshme. Të pensionistët kemi më shumë kërkesa sa i përket problematikave ose mbështetjeve shëndetësore ndërsa te pjesa e familjes së re ndryshon sepse kemi shpenzime transporti, për formimin e tyre profesional. Pra janë të ndryshme dhe shporta ushqimore në një familje me moshë mesatare 40-45 vjeç është e ndryshme e një familjeje pensionistësh. Kjo ka të bëjë me faktin me një rritje të vazhdueshme të çmimeve si pasojë e rritjes së inflacionit dhe krizave, por që në momentin që kemi zhvlerësim të euros, kurs të favorshëm për importe, ky favor nuk reflektohet në tregun shqiptar pasi çmimet vijojnë ende të larta. Nëse flasim për politikë publike dhe sociale që do të ndihmonte këto kategori do të ishte me rritje e mundësisë së të ardhurave të tyre. Jo e gjithë grupmosha e tyre mund të jenë në gjendje fizike për punë të dytë. E dyta, mund të ndihmohet përmes stimujve të ndryshme mbështetës, pagesat për energjinë elektrike, kompensimet të ndryshme etj. Ato familje që kanë të ardhura mesatare mujore ose vjetore nën një normë minimale duhet të mbështeten. Kjo do ta ndihmonte grupmoshën. Do të ishte e nevojshme që shteti përmes politikave ekonomike jo vetëm të mbështesë dhe të subvencionojë  pjesën e bujqësisë pasi kemi numër të madh punonjësish dhe për t’i mbajtur edhe në banesat e tyre, për të ulur trendet e emigracionit, do të ndikojnë edhe në uljen e çmimeve të produkteve finale.", u shpreh ajo. 

Kortoçi shtoi se shteti duhet të ndërhyjë jo vetëm me kontrolle por edhe të stimulojë fermerin të gjejë më lehtë tregun. 

"Nëse e lëmë të lirë tregun të veprojë pa rregulla do të kemi abuzime. Tregu duhet të jetë i lirë por i përcaktuar në bazë të kornizës së rregullave. Ndryshe s’do të kishte nevojë për ligje po t’i lihej në dorë individit. Në të tilla raste duhet të ndërhyjë përmes kontrollit për të shmangur abuzimin e çmimeve. Sidomos për produkte të veçanta jashtë sezonit. Flitet për një çmim apo vlera produktin e qershisë në këto nivele ta gjesh në tregun evropian se ka kontroll. Nuk të lë njeri që të bësh abuzime. Në këtë rast, duhet të ketë edhe një rol të dytë shteti, përtej kontrollit, për ta ndihmuar fermerin që të gjejë më lehtë treg.", shtoi ekspertja. 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?