“Eksepsionalizmi amerikan” i diplomatit Fatos Tarifa: Shqipëria e Kosova janë me fat! Interesat tona kombëtare përputhen me ato të SHBA-ve

21 Mars, 16:53| Përditesimi: 22 Prill, 08:29

  • Share

Në një lente fine analitike sociologu dhe diplomati Fatos Tarifa bën sërish Amerikën, subjekt të studimit të tij. Me librin "Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, që Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, ku është kryetar, promovoi këtë mesjavë në Tiranë, shënon risi. Prezantimi bën bashkë personalitete të botës akademike, politikës, diplomacisë si dhe artit e kulturës.

Si një shoqëri 'sui generis', apo si "vendi mbi kodër" që u krijua për të qenë fanar për të tjerët, Amerika, që tërhoqi vëmendjen e intelektualëve evropianë si Alexis dë Tokvill, Karl Marks apo Maks Weber, rrëfehet tanimë nga studiuesi Tarifa, që akademiku Paskal Milo e konsideron si dekan të mendimit politik. Diplomati tregon se çka e bën Amerikën të mbetet e veçantë, ëndërr, mundësi edhe në ditët e sotme.

“Është në radhë të parë historia e krijimit të kombit amerikan, historia e krijimit të Republikës Amerikane, në kushte historike që Evropa nuk i kishte njohur ndonjëherë. Një risi, veçanti historike që një komb lind pa pasur një trashëgimi dhe lind si republikë, pa njohur një periudhë feudalizmi, si të gjitha vendet evropiane. Dhe si e tillë pati mundësi që në fillim të saj mundësi që të ishte një republikë e re, një republikë  demokratike. Çka u sanksionua edhe në Kushtetutën e saj, që është ndoshta dokumenti ligjor më i rëndësishëm në botë dhe prej të cilit kanë kopjuar shumë të tjerë. Por, nuk është se vetëm lindi si një komb i tillë, nuk është vetëm historia e tij. Por është e gjithë periudha gjatë së cilës Amerika këto 235 vite, nga krijimi i Republikës Amerikane që ky vend ka dëshmuar se ky vend është me të vërtetë i veçantë nga të tjerët. Jo se vendet e tjerë nuk janë unik, të veçantë, por Amerika ka disa veçori që kombet e tjerë nuk i kanë thashë të kushtëzuara nga historia, nga pozicioni gjeografik, i ndarë nga pjesa tjetër e botës prej dy oqeaneve të mëdhenj. Nga mënyra se si u formua si komb emigrantësh, nga parimet e reja politike që adoptoi. Të mendosh që Republika Amerikane u krijua para Revolucionit Francez, me javë përpara. Që në kushtetutën e saj u fiksuan parimet në vetëm katër faqe e gjysmë letër të shkruara me dorë. Parime të një demokracie të vërtetë reale, një Kushtetutë që kaq pak ka ndryshuar në 235 vite. Është një përvojë historike e paimitueshme nga kombet e tjera por që te Amerika shohin një shembull. Edhe ata që nuk e duan përsëri nuk mund ta injorojnë dot sepse shohin tek Amerika një model, një shembull. Edhe nëse e urren, edhe nëse nuk e do përsëri nuk mund të rrish pa krijua marrëdhënie me të, të çdo lloj ”, shprehet diplomati dhe sociologu Fatos Tarifa.

E pohon se koncepti i 'eksepsionalizmit' së Amerikës ngjall debate, aq sa edhe pretendime, për të tjera superfuqi si Rusia apo Kina për të qenë të tilla. Rrëfen nëse në një vizion futurist, e shikon këtë poziciontë SHBA-ve, të zhvilluar mbi fronin e lirisë e ligjit si më i veçanti ndër vendeve, të rrezikuar.

“Kjo është një çështje që shtrohet shpesh sot duke parë ngritjen ekonomike, ushtarake të Kinës, duke parë mënyrën agresive të sjelljes së Rusisë. Ka shumë që mendojnë se shekulli amerikan ka mbaruar, me mbarimin e Luftës së Ftohtë sidomos me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Dhe se ajo botë njëpolare që u krijua me Amerikën si superfuqi e vetme nuk është më. Sot ka fuqi të tjera që e balancojnë fuqinë amerikane ose e rivalizojnë atë. Unë duke studiuar gjeopolitikën për një kohë të gjatë besoj me bindje se shekulli amerikan nuk ka mbaruar. Pavarësisht ngritjes së Kinës, pavarësisht sjelljes agresive të Rusisë, pavarësisht trazirave që ndodhin në botën e sotme dhe rreziqeve që janë të mundshme. Amerika vijon të mbetet nga çdo pikëpamje ushtarake, teknologjike, ekonomike, politike, vendi i vetëm që ka fuqinë të vendosë hemegjnoninë e saj në rang global. Kështu që ndër tëra fuqitë e mëdha Amerika vijon të mbetet superfuqi.”, thotë studiuesi.

Përgjatë historisë, "eksepsionalizmi" ka gjetur vend edhe në politikat e brendshme të Amerikës. Duke ndalur në zhvillimet e fundit lipset një reflektim, se si ndikojnë këto politika tek SHBA, si lidership global.

“Padyshim Amerika nuk është sot në ditët më të mira të saj. Ajo që po shohim të ndodhë në këtë vit elektoral të bën të mendosh që Amerika nuk është një vend ideal, nuk është një vend i përkryer...por, Amerika është e tillë që me atë Kushtetutë që ka, me atë sistem politik që ka, me atë sistem juridik, me atë inovacion që ka sjellë në historinë politike të botës, nuk besoj se ky është fundi i Amerikës. Nuk besoj se Amerika “do të shkojë për dreq” pas kësaj, por do ta marrë veten. Mbetet superfuqi e globit dhe politikisht ka mekanizma ai sistem që vetërregullohet. “, thotë ndër të tjera diplomati.

Ofron siguri "ombrella" amerikane, që siç pohon Tarifa ka një rol kyç në zgjidhjen e problemeve të mëdha globale. Mendim që nënvizohet edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxha, edhe sa i përket çështjes së Kosovës.

“Nëse Amerika dhe roli i saj janë të pazëvendësueshme, kjo ka vlerë sidomos në rastin e Kosovës, e cila është në fakt një krijesë e Amerikanëve. Dhe është vetëm Amerika ajo që mund të garantojë Pavarësinë, sovranitetin e këtij shteti, i cili siç dimë ka një marrëdhënie shumë të tensionuar me Serbinë. Po, për ne shqiptarët në përgjithësi Amerika ka qenë një faktor i rëndësishëm, për Kosovën vendimtar. Ajo që mund të them është se ne shqiptarët që jetojmë në këtë rajon të trazuar të Ballkanit jemi me të vërtetë me fat, që në këtë periudhë të historisë moderne interesat tona kombëtare përputhen me interesat e SHBA-ve”, thotë më tej.

Autor i mbi 100 botimeve, 7 dedikuar Amerikës, Tarifa e sjell këtë libër veçmas për studentët , studiuesit, diplomatët e ndoshta edhe për politikanët vendas.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?