Eksportet e mallrave në pikiatë, në janar u tkurrën me 29%! Forcohet importi, INSTAT: U blenë jashtë 60 mld lekë mallra

19 Shkurt, 19:01| Përditesimi: 19 Shkurt, 19:07

  • Share

Humbjet e eksportuesve shqiptarë nuk mbaruan me vitin 2023. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet e mallrave muajin e kaluar kanë zbritur në vlerën më të ulët që prej janarit të 2021-shit kur u eksportuan 24 miliardë lekë mallra.

Në total, muajin e kaluar vendi ka eksportuar mallra me vlerë 29 mld lekë, duke u ulur me 29,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 20,7%, në krahasim me Dhjetor 2023.

Me përjashtim të eksporteve të produkteve ushqimore dhe produkteve kimike që janë në rritje të lehtë, grupet e tjera janë në rënie ku kryeson eksporti i energjisë me ulje 8.2 miliardë lekë, ndjekur nga tekstile dhe këpucëve me minus  2.1 miliardë lekë, dhe ato të materialeve të ndërtimit që u ulën me 1.5 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Shkaku kryesor për këtë rënie të eksporteve sipas bizneseve është zhvlerësimi i valutave, që po u ul fitimet dhe po i fut në krizë financiare. Konkretisht, nëse në janar të vitit 2023 një euro këmbehej nga 114-116 lekë, në janar të këtij viti euro u këmbye mesatarisht 103-104 lekë. (Pra nëse 1000 euro vjet kushtonin 116 mijë lekë, këtë vit kushtojnë 103 deri në 104 mijë lekë, duke ulur fitimet e kompanive).

Por nga ana tjetër në janar u fuqizuan importet, për shkak se jashtë vendit janë blerë mallra me vlerë 60 miliardë lekë, ose 3.4% më shumë se në janar të një viti më parë. Për shkak të rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve në muajin e kaluar u thellua deficiti tregtar i cili u rrit me 88.6% në raport me janar 2023.

Me rënie u mbyll edhe viti i kaluar pasi eksportet e mallrave përgjatë 12 muajve të 2023-shit arritën në vlerën 440 miliardë lekë duke rënë me 9.5% në raport me vitin 2022. Ndërsa nga ana tjetër me 8.2% është ulur edhe vlera e importeve, pasi bizneset vendase kanë blerë jashtë vendit produkte me vlerë 873 miliardë lekë.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?