Instat dhe pjese nga raporti

Eksportet i rikthehen rënies, u tkurrën me 12.4% në maj! U shitën më pak tekstile dhe produkte ushqimore

18 Qershor, 15:02| Përditesimi: 18 Qershor, 15:10

  • Share

Zhvlerësimi i fortë i valutave në muajin maj, duke prekur nivelet më të ulta historike, ka goditur direkt eksportet e mallrave. Pas një përmirësimi të lehtë në prill, eksportet kanë rënë me 12.4% në raport me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, në maj janë eksportuar mallra në vlerë 34.7 miliardë lekë, nga 39.6 miliardë lekë në maj të vitit të kaluar.

“Gjatë muajit Maj 2024, në uljen e eksporteve prej -12,4 %, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -2,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me+0,4pikë përqindje”, tha INSTAT.

Kurse në 5 muaj eksportet e mallrave janë tkurrur me 16.1%, dhe ndikimi negativ ka ardhur nga Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,4 pikë përqindje. Në total nga janari në maj janë shitur jashtë vendit mallra me vlerë 165 miliardë lekë.

Ndërsa importet në maj arritën në vlerën 79 mld lekë, duke u ulur me -1,6 % krahasuar me vjet kur nga jashtë u blenë mallra me vlerë 80.5 miliardë lekë. kurse për periudhën 5 mujore janë në vlerën 364 miliardë lekë duke u tkurrur me 0.02% në raport me vjet.

“Si pesërmujor, importet janë ulur me -0,02 %, krahasuar me pesë mujorin e parë 2023. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,5 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,5 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?