Ekonomi

Eksportet ‘Made in Albania’ arritën në vlerën 1.6 mld euro, shitëm më shumë ushqime e lëndë djegëse! INSTAT: Importet ranë

17 Qershor, 17:28| Përditesimi: 17 Qershor, 17:57

  • Share

5-mujori i parë i këtij viti ka regjistruar një kthesë pozitive në shitjen e produkteve shqiptare jashtë vendit. Gjatë kësaj periudhe në tregjet e huaja janë shitur 1 miliardë e 680 milionë euro produkte ‘Made in Albania’, duke u rritur me rreth 35 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Instituti i Statistikave thotë se kontributi kryesore në rritjen e eksporteve ka ardhur kryesisht nga sektori i energjisë dhe lëndëve djegëse si dhe shitja e produkteve ushqimore, kryesisht atyre bujqësore.

Nga janari deri në maj shifrat tregojnë se janë shitur jashtë 460 milionë euro energji e naftë bruto që del nga fushat e Patos-Marinzës, duke u rritur në raport me vjet me 137 milionë euro. Po kështu grupi i dytë me rritje është i ushqimeve ka realizuar 240 milionë euro eksporte nga 226 milionë euro vjet. Rritje e lehtë është regjistruar edhe tek grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit, nga 159 milionë euro në 5 muaj vjet në 165 milionë euro këtë vit.

Megjithatë, këto shifra nuk ‘vulosin’ fundin e krizës së eksporteve pasi, vijon rënia tek sektori i fasonerisë. Bizneset e këtij sektori kanë shitur 454 milionë euro nga 461 milionë euro vjet, po kështu në rënie me afro 100 milionë euro janë edhe eksportet e materialeve të ndërtimit.

 

Gjatë këtij 5-mujori kanë regjistruar rënie me 2.4% importet. Bizneset shqiptare kanë blerë nga jashtë 87 milionë euro më pak se vjet. Në total thotë INSTAT janë importuar mallra me vlerë 3.5 miliardë euro, nga të cilat 893 milionë janë vetëm makineri e pjesë këmbimi, ndjekur nga 624 milionë euro produkte ushqimore apo 490 milionë euro materiale ndërtimi.

Vetë sipërmarrjet thonë shkaqet kryesore që po ndikojnë negativisht në tregti janë zhvlerësimi i valutave, rënia e çmimeve në tregjet e huaja, por edhe tensionet tregtare globale e luftërat që kanë nisur nëpër botë.

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?