Foto Ilustruese

Ekonomi

Eksportet marrin veten gjatë periudhës janar-mars, 'i shpëton' Kosova, rikuperohet edhe fasoni

17 Prill, 16:44| Përditesimi: 17 Prill, 16:48

  • Share

Muajt e parë të këtij viti kanë qenë pozitive për eksportet shqiptare, ndryshe nga 2024-a kur tendenca ishte në rënie me ritme dyshifrore.

Në këtë kthesë ka ndikuar rritja e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, si rrjedhojë e rritjes së shitjeve të mineraleve në Kosovë. Edhe grupi “tekstile e këpucë”, më i madhi i eksporteve, ka kaluar në terren pozitiv, pas tkurrjes së një viti më parë.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në mars 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 4,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë muajit Mars 2025, në rritjen e eksporteve prej 4,9%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +8,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +1,2 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje etj.

Për periudhën janar-mars 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 mld lekë, duke u rritur me 4,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,9 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,1 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,6 pikë përqindje, etj.

Lëndët djegëse, energjia e mineralet, rritja nga Kosova

“Minerale, lëndë djegëse e energji” është grupi me rritjen më të madhe në tre muajt e parë të këtij viti. Për janar-mars, eksportet arritën në 28.6 miliardë lekë, me një rritje prej 57% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur efektin kryesor e kishin shitjet e Bankers Petroleum në Spanjës, ose energjia, ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë Kosova, që ka pasur një zgjerim të fortë të shitjeve të grupmallit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”. Eksportet drejt Kosovës në total ndërkohë u rritën me 83%.

Fasoni merr veten

Për herë të parë pas shumë muajsh, eksportet e “tekstile dhe këpucë” iu rikthyen rritjes, ndonëse të lehtë në mars, duke u zgjeruar me 4.6%.

Gjithsesi, për tremujorin tendenca është negative, me një rënie prej 2.26%, e ndikuar nga rënia e dy muajve të mëparshëm.

Gjatë vitit 2024, ky sektor ishte në vështirësi, për shkak të rënies së euros, rritjes së kostove të prodhimit dhe rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtare.

Në muajt e parë të këtij viti, operatorët raportojnë që kërkesa po gjallërohet, sidomos për këpucët, ndërsa euro ka qenë më e qëndrueshme, ndonëse vijon të këmbehet në nivele të ulëta.

Materiale ndërtimi dhe metale, tkurrje fortë 31.5%

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” kanë vijuar tendencën rënëse edhe këtë vit, të ndikuar nga reduktimi i aktivitetit të Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.

Për tre mujorin, ky grup ra me 31.5%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Ushqime pije e duhan me rritje

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit po shënon një rritje. Në janar-mars, ky grup u rrit me 7.4%. Pavarësisht potencialeve, sektori po ndikohet nga rritja e kostove, që po e bëjnë atë më pak konkurrues në rajon si dhe nga ecuria e motit. Rënia e çmimeve është një tjetër faktor ndikues, teksa rritja në sasi ka qenë më e lartë.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi në vendnumëro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” Ishin grupi tjetër që nuk po rritet vitin e fundit. Ky grup po vuan zhvlerësimi I euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Për tre mujorin grupi u rrit lehtë me 2.1%.

Përmirësohet deficiti tregtar

Në këtë tremujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 mld lekë, duke u rritur me 4,7%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 202 mld lekë, duke u ulur me 3,5%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 102 mld lekë, duke u ulur me 10,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Në Mars 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 4,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4%, në krahasim me Shkurt 2025. Importet e mallrave arritën vlerën 74 mld lekë, duke u ulur me 1,4%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 9,3%, në krahasim me Shkurt 2025.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 39 mld lekë, duke u ulur me 6,5%, krahasuar me Mars 2024 dhe duke u rritur me 14,5%, në krahasim me Shkurt 2025.

Rriten ndjeshëm eksportet drejt Kosovës

Në muajin Mars 2025, vendet me të cilAt Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2024 janë: Kosova (83,1%), Greqia (13,2%), Gjermania (11,3%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,2%), Maqedoni e Veriut (41,2%), Turqia (0,6%), etj.

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (79%), Greqia (8,6%) dhe Gjermania (5,5%). Ndërsa vendet me të cilat ka pasur uljen më të madhe janë: Italia (13,9%), Maqedonia e Veriut (23,7%) etj.

Në muajin Mars 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (2,8%), Turqia (19,7%), Gjermania (12,2%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (25,3%), Greqia (6,7%), etj./Monitor 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?