Afro 31 miliardë lekë është vlera e mallrave që bizneset shqiptare kanë shitur jashtë vendit, duke u rritur me 4.9% në raport me janarin e vitit të kaluar. Rritja e lehtë sipas raportit të Institutit të Statistikave ka ardhur si rezultat i eksportit të shtuar të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse, ndjekur nga eksporti i produkteve ushqimore dhe makinerive.
Edhe pse jepet një sinjal pozitiv për ringritjen e eksporteve, përsëri tregtia është larg shifrave të para krizës së inflacionit. Referuar INSTAT në muajin e kaluar nuk ka ndaluar kriza e tekstileve dhe këpucëve, ku eksportet e këtij grupi mallrash u tkurrën me 2.3% në raport me janarin e vitit të shkuar. Në total bizneset fason në vend kanë shitur muajin e shkuar 8.5 miliardë lekë produkte tekstilesh apo këpucësh, ndërsa vjet në janar vlera ishte 9.2 miliardë lekë.
Ky ka qenë një nga sektorët më të goditur nga kriza e eksporteve dhe zhvlerësimi i valutave, për shkak se shesin në valutë ndërsa kostot i kanë në lekë. Po ashtu kanë rënë edhe eksportet e materialeve të ndërtimit, produkteve kimike dhe plastike.
Sa i takon importeve, ato arritën vlerën 60 mld lekë, në muajin e shkuar duke u rritur me vetëm 0.1% krahasuar me 2024-ën. Nga jashtë kemi blerë më shumë energji elektrike, ushqime dhe produkte kimike.
Viti që kemi lënë pas e thelloi edhe më shumë krizën e eksporteve, pasi eksportuesit humbën 67 miliardë lekë, kryesisht nga zhvlerësimi i monedhës euro. E kundërta ndodhi me importet që u dyfishuan duke bërë që prodhimi i huaj të dominojë tregun vendas.
Komente
