Eksportet në krizë/ INSTAT: U tkurrën me mbi 22% në tremujorin e parë të vitit! Industria e tekstileve ‘në kthetrat’ e zhvlerësimit të euros

17 Prill, 14:51| Përditesimi: 17 Prill, 14:54

  • Share

Tregtia e mallrave vijon të tkurret me ritme të forta në krahasim me vitin e kaluar. Në muajin mars, eksportet u ulën me 21% krahasuar me vitin e kaluar, dhe regjistruan vlerën më të ulët prej 2020-ës. Në mars u shitën jashtë vendit mallra me vlerë 33 miliardë lekë, nga 42 miliardë që ishte në mars të 2023-shit.

“Defiçiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u rritur me 8,3 %, krahasuar me Mars 2023 dhe duke u ulur me -0,4 %, në krahasim me Shkurt 2024”, thotë INSTAT.

Në këtë muaj në rënie ishin edhe importet të cilat arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me 7%, pasi vjet u blenë nga jashtë mallra me vlerë 81 miliardë lekë. Por rënia e eksporteve është më e thellë si tremujor. 

“Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 95 mld lekë, duke u ulur me -22,3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 209 mld lekë, duke u rritur me 0,4 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 114 mld lekë, duke u rritur me 32,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023”, thotë INSTAT.

Në këtë tremujor të parë të vitit kompanitë shqiptare kanë shitur më pak energji elektrike, tekstile dhe këpucë dhe materiale ndërtimi. 

“Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,6 pikë përqindje”, thuhet në raport.

Industria e tekstileve dhe këpucëve (fasoneria), prej më shumë se 2 vitesh është në rënie, ku shkaku kryesor është zhvlërsimi i valutës, pasi ata i shesin produktet e tyre në euro, ndërkohë që shpenzimet i kanë në lekë. Për pasojë në momentin që ata të ardhurat e tyre në euro i konvertojnë në lekë, fitimi i tyre ulet automatikisht. Euro aktualisht po këmbehet me 101 lekë, me rënie rreth 12 lekë krahasuar me vjet. 

Të njëjtat produkte kanë ndikuar negativisht edhe tek importet, të cilat si tremujor janë rritur lehtë me 0.4% krahasuar me vjet, ndihmuar nga makineritë, pjesët e këmbimit dhe ushqimet e pijet.

“Si tremujor, importet janë rritur me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,8 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,5 pikë përqindje, etj”, vijon më tej raporti.

Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 58,8 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,7 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6 %), Turqia (9,6 %), Greqia (7,3 %) dhe Gjermania (7,1 %).

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?