Porti i Durrësit

Ekonomi

Eksportet u rritën me 18.3%, ndihmon energjia – deficiti bie me 9 mld lekë për gjashtëmujorin

17 Korrik 2018, 11:41| Përditesimi: 17 Korrik 2018, 11:45

  • Share

Eksportet e mallrave shqiptare në gjashtë muajt e parë të këtij viti arritën në 158 miliardë lekë, duke u rritur me 18.3% krahasuar me një vit më parë. Në rritje janë edhe importet, por vetëm me 4.7%, çka ka kontribuar në uljen e deficitit tregtar. Deficiti për gjashtëmujorin është 151 miliardë lekë, krahasuar me 162 miliardë lekë për periudhën Janar-Qershor 2017.

Kontributin kryesor në rritjen e eksporteve e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i cili është tashmë grupi i dytë më i rëndësishëm pas atij të tekstileve dhe këpucëve. Për gjashtëmujorin, eksportet në këtë grup arritën në 30.7 miliardë lekë, një rritje me 34.4%. Edhe eksportet e veshjeve, tekstileve dhe këpucëve regjistruan një rritje 9.3%.

E veçanta për muajin qershor 2018 është se importet janë në rënie për herë të parë këtë vit me 5%, ndikuar veçanërisht nga grupet “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”.

Sa i takon gjashtëmujorit, pikërisht dy grupet e mësipërme zënë edhe vlerat më të mëdha të importeve dhe paraqiten në rritje. Rënie vjetore në importe regjistron vetëm grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”. Duket se prodhimi i brendshëm ka arritur të plotësojë kërkesat e tregut vendas dhe të lërë hapësirë për një rritje eksportesh në materiale ndërtimi dhe metale me 28.6%.

Bashkimi Europian vijon të mbetet partneri kryesor tregtar, i cili zë 77.2% të vlerës së eksporteve dhe 62.6% të vlerës së importeve. Ndërkohë, vihet re edhe një rritje e ndjeshme e shkëmbimeve tregtare me vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia./SCAN

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?