Eksportuesit humbën 225 mln euro nga rënia e euros, Zekja: Po rrezikohet e ardhmja e bizneseve tona! Paratë e munguara na duheshin për teknologji e rritje pagash

17 Prill 2023, 13:53| Përditesimi: 17 Prill 2023, 14:12

  • Share

Rënia e euros ka sjellë 225 milionë euro humbje vitin e kaluar për eksportuesit shqiptarë. Florian Zekja, përfaqësuesi i ProExport tha në Report Tv se po rrezikohet e ardhmja e bizneseve pasi shifra që i mungon do të shkonte për teknologji, marketing e rritje pagave.

Në ‘Sot live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, u shpreh se pavarësisht kësaj situate janë të detyruar t’i nënshtrohen kushteve të tregut.

“Duke marrë parasysh problemin e energjisë, tregjeve, rritjen e pagës minimale, por të gjitha kanë dalë në plan të dytë prej problemit të madh që kemi me rënien e euros. Nuk e dimë si do shkojë se kjo vjen kur s’kemi as sezon turistik, as festat e fundvitit. Po rrezikohet e ardhmja e bizneseve tona. Biznesit tonë i mungojnë 225 milionë euro që nëse do i kishim do shkonin për rinovim teknologjie, kërkim tregu, marketing, rritje pagash etj.

I jemi drejtuar disa herë Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë por duhet t’i nënshtrohemi kushteve të tregut. Megjithatë kjo nuk ka lidhje me tregun, por me faktorë të tjerë që ndikojnë në rënien e euros. Ne jemi në vështirësi edhe për mbarëvajtjen e bizneseve tona”, tha Zekja.

Sa i përket fuqisë punëtore, Zekja u shpreh se është shumë e vështirë të shtohet ndonëse e cilëson të domosdoshme. Sipas tij, biznesit i duheshin 15-20 mijë punëtorë me ose pa eksperiencë por është në plan të dytë në një kohë kur euro shënon rënie.

“Aseti më me vlerë është fuqia punëtore. Jo vetëm në Shqipëri, por cështja e fuqisë punëtore është problem kudo. E kemi të vështirë të shtohet fuqia punëtore. Kemi shumë nevojë sepse kërkesat pas pandemisë kanë qenë të shumta për të zmadhuar bizneset tona dhe jemi para një vështirësie të madhe se deri para disa muajsh biznesit i duheshin nga 15-20 mijë punëtorë. Kështu që jemi në vështirësi se është një okazion, një rast që se kemi hasur më parë se s’kanë qenë asnjëherë kaq të mëdha. Na duhen shumë punëtorë por është në plan të dytë”, tha Zekja.

Sot 1 euro këmbehet me 112.88 lekë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?