Përfaqësues të bizneseve eksportuese dhe prodhuese zhvilluan sot takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj për efektet negative nga rënia e monedhës europiane.
Florian Zekja koordinator i Shoqatës Pro Eksport Albania tha për Monitor se gjatë takimit u ngritën shqetësimet konkrete të industrisë eksportuese të veshjeve dhe këpucëve. Për 3 mujorin e parë të 2023-it sipas Zekjas humbjet në sektorin e manifakturës nga rënia e monedhës euro llogariten në vlerën e 45 mln eurove krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zekja gjithashtu vlerësoi se takimi ishte tejet pozitiv dhe se në takimet e ardhshme edhe me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë pritet të merren masa për normalizimin e situatës.
Në përfundimit të takimit sipas kreut të Qendrës së Eksportuesve Shqiptare Alban Zusi u vendos që të vijohet sërish edhe me takime të tjera, ku do të jenë prezent përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, pasi situata dhe efektet janë komplekse që kërkojnë aksion e vendimmarrje nga të dyja palët.
Ky takim vjen pas shqetësimit që 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit ngrenë alarmin për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane nëpërmjet një letre drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj. Bizneset kërkuan normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.
Në letër theksohej se rënia e euros është në nivelet më të ulëta të ulëta historike, çka rrezikon kthimin në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”. Shoqatat e biznesit pohojnë se ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.
Kompanitë eksportuese edhe më parë kanë ngritur shqetësimin për humbjet që po ju shkakton nënçmimi sistematik i euros ndaj lekut, pasi ka çuar në rënie të qëndrueshme në të ardhurat e tyre. Për vitin 2022 humbjet e bizneseve eksportuese nga kursi i këmbimit llogariten në vlerën e 225 mln eurove.
Që nga fillimi i 2023-t, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%. Javën e kaluar rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun u thellua edhe shumë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, sot euro u këmbye me 111.2 lekë. krahasuar me ditën e djeshme ka rritje të lehtë të kursit të këmbimit, por sërish mbetet pranë niveleve më të ulëta historike. Agjentët e tregut të këmbimit valutor dëshmojnë për ofertë shumë të lartë të valutës së huaj dhe sidomos të euros. Monitor