Ekspozita /Adrian Paci, si dëshmitar i realitetit politik dhe social në Galerinë Kombëtare të Arteve

20 Shtator 2019, 17:31| Përditesimi: 20 Shtator 2019, 17:43

  • Share

“Prova” është titulli i ekspozitës, që është çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artisti Adrian Paci rikthehet për të dialoguar me publikun, duke reflektuar mbi zhvillimet e mundshme, në të parën ekspozitë personale në këtë institucion. Seria e fotografive të anëtarëve të një familjeje, “Back home”, që duket sikur dialogojnë me jetën që kanë bërë në vendin e origjinës, edhe atë të emigrantit, do t’ia lërë vendin “Home to go”, një burri të përkulur nga pesha e çatisë që mban mbi shpinë. E më pas “Turn on” me të papunët në vendlindjen e artistit, në Shkodër, të ulur në shkallët e qytetit, që 15 vite do ta frymëzonte Adrian Pacin për të realizuar “Provën”, ku zbulohet edhe testohet potenciali i vet artistit, por edhe i qytetarëve, që janë protagonistë para kamerës.

“Zakonisht momentet e ekspozitave personale në galeri apo muze janë momente arritjeje për një artist. Edhe si të tilla ato nuk ka se si të mos përjetohen, si arritje të krijimtarisë. E gjithë puna është, mendoj unë, që një artist edhe në këto momente duhet që të riaktivizoj një dimension fillestar, të dukesh sikur po belbëzon për herë të parë. Në këtë kuptim unë doja që kjo ekspozitë të kishte “Provën”, si punë qendrore, që mos të konceptoj si një moment celebrues, por si një provë, tentativë për të ndërtuar një dialog më publikun edhe për të reflektuar edhe mbi zhvillime të tjera të mundshme, jo për ta parë si konkluzion, por si proces”, shprehet artisti Adrian Paci.

Nuk mungojnë as veprat-video që në qendër kanë simbolikën e ujit, “The column”, “Di queste luci si servirà la notte”, (Me këto drita shërbehet nata), që vijnë si një metaforë e lëvizjes, fluksit, por edhe si reflektim i artistit mbi konjukturat e ndryshme sociale, që shënojnë eksperiencën e tij

“Në një farë mënyre jam prodhim i disa konjukturave sociale shumë të forta, të cilat e kanë shënuar eksperiencën time, si njeri dhe artist, por edhe kontekstin ku jam rritur edhe kam jetuar, por edhe spostimet e mia në hapësirë. Gjendja sociale, situata politike apo pasojat që këto lloj kulturash kanë, jetën edhe eksperiencën, përjetimet njerëzore, që nuk mund të mos ishin prezent në krijimtarinë time artistike. Por kjo varet nga ndjeshmëria e secilit artist. Nuk është një domosdoshmëri që çdo vepër arti duhet ta ketë, por në një farë mënyre punët e mia lindin në këtë kontekst, pa iu shmangur atij”, vijon të rrëfej Paci.

Një kat më lart, në të njëjtën hapësirë videoinstalacioni “Albanian stories” edhe “Bukurshkrimi”, sjellin jo vetëm përrallat shqiptare, por edhe momentet e para, që Paci ka nisur të shkruaj,

“Unë jam edukuar, si piktor brenda modeleve të realizmit socialist edhe dëshira ime, si student ka qenë që t’i shkëputem sa më shumë këtyre modeleve kur isha në shkollë. Marrëdhënia mes tentativës për liri edhe ndeshjes së vazhdueshme me struktura sociale, gjuhësore me kode dhe rite në vetvete, ky lloj tensioni është shpesh hapësira ku zhvillohet reflektimi edhe puna ime. Unë e shikoj punën time, si një reflektim të vazhdueshëm për dinamikat që ndodhin mes kësaj. Ndërsa, “Bukurshkrimi” është një gjurmë, që unë marrë nga viti 1974 për të cilën reflektoj sot mes frazës së shkruar: “Tirana është kryeqyteti ynë ku jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”, një refleksion që e bëj sot, të cilin nuk e kam bërë kur kam qenë i vogël. Pra në një farë mënyre është edhe tentativa për të marrë gjurmë, jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve. Nëse ka diçka që është e rëndësishme për mua si ndërgjegjësim artistik, është prezenca e autorit që nuk kërkon të konfirmohet si krijues i veprës, por është më tepër një lloj dëshmitari, që merr një ngjarje, që e përjeton me pontencialitetin e saj, edhe kërkon që ta tregojë, duke e ruajtur potencialitetin”, thotë Paci.

Ekspozita “Prova” e Adrian Pacit do të qëndrojë hapur për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në dhjetor.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?