Ekspozita ‘Arkitektura popullore në akuarel’ në muze. Mitrojorgji: Ne duhet të ruajmë identitetin tonë arkitekturor

18 Shkurt 2021, 16:29| Përditesimi: 18 Shkurt 2021, 16:50

  • Share

Pasioni i tij për arkitekturën popullore ka nisur rreth viteve ’75. Ndërsa, konceptet kompozicionale të banesës së Hasit do t’i aplikonte për herë të parë në projektin e Muzeut Historik të Bajram Curri në vitet ‘85. Për më shumë se katër dekada arkitekti Maksim Mitrojorgji ka botuar studime të ndryshme për të evidentuar trashëgiminë ndërtimore të popullit shqiptar, ndërsa kësaj herë në “ReportTV” rrëfen ekspozitën “Arkitektura popullore në akuarel” që është çelur në Muzeun Historik Kombëtar.

Në vitet 2014-15 unë dhe arkitektja Joli Mitrojorgji botuam librin e parë për banesat popullore shqiptare. Pas kësaj ndjeva nevojën që të punoja një pjesë të materialeve që do të ilustronin librin në akuarel. Për shkak të mbylljes nga pandemia gjatë këtij viti kam realizuar 250 punime, kryesisht në tipologjitë e banesës, peizazhet urbane, banesa fshatare, një seri kishash, kulla e Sahatit dhe urat. Kam prekur të gjitha temat që konsiderohen, si trashëgimi ndërtimore në Shqipëri”.

Influencat më të pakta, Mitrojorgji i dikton tek banesat fshatare, që gjenden nga Jugu në Veri, e që asnjëherë nuk mund të gjesh dy njësoj  

“Banesa fshatare janë shumë autentike. Kanë shumë pak influenca, siç thotë dhe specialisti i trashëgimisë Emin Riza: ‘Është shumë e lidhur me vendin’. Është ndërtuar sipas kushteve dhe relievit dhe ka një larmi të habitshme në territorin shqiptar nga Jugu në Veri”, thotë arkitekti.

Ruajtja e identitetit në kohët moderne është një problem jo vetëm për arkitekturën e vendit tonë, por në të gjithë botën. Megjithatë, arkitekti shpreson që të bëhen përpjekjet e duhura për mos ta humbur atë  

 “Identiteti ka katër kritere dhe duhet klasifikuar si trashëgimi. Është karakteri teknik dhe arkitekturor, hapësinor, simbolik dhe psikologjik i një objekti legjislativ. Sot në tërë botën ekziston problemi i ruajtjes së identitetit, fatkeqësisht koha moderne kultura është shumë e ndërkombëtarizuar, edhe kjo kulturë ndërkombëtare i shtyp kulturat e popujve të vegjël edhe duhet bërë një sforco e madhe që të marrësh eksperienca, të ruash dhe të vësh në dukje identitetin kombëtar” përfundon arkitekti.

Ekspozita “Arkitektura popullore në akuarel” do të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri ditën e diel (20 shkurt).

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?