Ekspozita /Blerta Xhomo zhvesh figurat njerëzore nudo në 'Pezull'

7 Janar 2020, 15:10| Përditesimi: 7 Janar 2020, 15:20

  • Share

Piktorja Blerta Xhomo ka çelur në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura ekspozitën personale “Pezull”. Ekspozita e ndarë në dhjetë cikle edhe 31 vepra vjen e kuruar nga artisti Vladimir Myrtezai, i cili i konsideron këto telajo si një tërësim, ku piktorja orienton ndjesitë e saj për interpretimin e hapësirës piktoreske, në një territor që kultivon optimizëm. “Pezull” për artisten Blerta Xhomo është në vetvete një emërtim, që përkon me një ndjesi të brendshme për të sjell dy ciklet, një me figura femërore në ngritje edhe zhvillim, po ashtu edhe një me figura mashkullore.

“'Pezull' është një gjendje që shpesh qenia ndihet në kërkim apo në vorbull të zhvillimit të vetes apo të përkorit të jetës. Pezull, sepse shpesh qenia ka nevojë të gravitojë edhe qendërzohet në disa situata, në aspektin shpirtëror, mendor, po ashtu social edhe politik. Nuk është pezull pa ngjarje, pa energji, por një pezull akumuluese, në prag shpërthimi. Natyrshëm që artisti është pjesë e të tërës, sse përjeton të njëjtat gjëra, por zgjedh të shprehet me formën edhe mediumet e tij, të reagojë. Unë kam gjetur një formë për t’u shprehur”, rrëfen Xhomo.

Ndërsa, zgjedhjen për t’i sjell këto figura njerëzore nudo, artistja e cilëson, si një zgjedhje, që të vijnë sa më në formë.

“Nudo, sepse ndonjëherë trajtën njerëzore mund ta zhveshin nga pikëpamja figurative. Unë e zgjedh këtë formë, nuk para i zhvesh pikturat e mia, nuk është qëllim që të ndihen të zhveshura, por që gjendja e tyre fizike të vijë sa më në formë dhe pastër. Ka rënë në një lloj të kaltre, por ta ndiejmë këtë pezull në një shpërthim drite apo agimi”, thotë piktorja.

Elementi risi i kësaj ekspozite, për kuratorin, është që brenda një profili në një hapësirë është provokuar një ngasje e një lloj pikture tjetër, që merr shkak nga moduli edhe e pjesshmja, ku bëhet pjesë ritmi.

“Në ecurinë e saj si artiste ka risi, sepse nuk bën më një pikturë narracive, por vjen në një gjendje disi më të pastruar. I intereson më shumë prejardhja, që ndonjëherë vjen nga subjekte, e ndonjëherë nga drita, energjia. Është një ekspozitë në formate të madha, që të jep dorë që të jetë perceptohet mirë. Është refleksioni i kohës, i gjërave që ndodhin, brenda unitetit të një artisti. Nganjëherë subjektet i marrim nga eksperiencat, kësaj herë i ka si një mënyrë për ta thjeshtuar pikturën. Kam përshtypjen që dalëngadalë piktura, e saj do të thjeshtohet më shumë, sepse laboratori krijues është i papritur”, shpjegon kuratori.

Ekspozita “Pezull” e Blerta Xhomos do të qëndrojë hapur në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura deri në datë 16 janar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?