Sociale

Ekspozita e rrallë e kartolinave, zbulohen urimet e shqiptarëve para 140 viteve

31 Dhjetor 2024, 16:05| Përditesimi: 31 Dhjetor 2024, 18:58

  • Share

Koleksionisti dhe filatelisti i njohur, Mirgen Shamblli, ka sjellë një ekspozitë të veçantë në “Qoshkën e Koleksionistëve”.

Ekspozita përfshin 50 kartolina urimi për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, të cilat i përkasin fundit të viteve 1880 deri në vitin 1940.

Kartolinat janë dërguar asokohe nga vende të ndryshme ku shqiptarët kishin emigruar në ato periudha, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Amerikën, etj. Pjesa më e madhe e tyre janë të shkruara në gjuhën angleze.

“E vitit 1892 është kartolina më e vjetër që kam unë. Ka ardhur nga Britania në Korçë. Njerëzit i hedhin kartolinat, ndërsa unë i koleksionoj për pasion,” tha Shamblli.

Kompozimi dhe grafikat i bëjnë të veçanta këto kartolina, ndërsa mbledhja e tyre ka qenë e vështirë, pasi të pakta janë familjet korçare që kanë mundur t’i ruajnë urimet nga gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.

“Urimet janë të njëjta si sot: Gëzuar Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri!”, tha ai, duke shtuar se më të veçantat janë kartolinat me litografi dhe stampime.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në ditët e para të janarit, ndërsa ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve që po kalojnë pushimet dimërore në Korçë.

R.D/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?