Ekspozita me fotografi/ 7 udhëtimet e ‘mbretëreshës së maleve’ në muze (VIDEO)

20 Nëntor 2019, 15:49| Përditesimi: 20 Nëntor 2019, 16:06

  • Share

Ekspozita me fotografi edhe skica "Miss Mary Edith Durham" është çelur në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 75-vjetorit të vdekjes. E cilësuar, si "Mbretëresha e Maleve” Edith Durham është ndër të parat gra, që nëpërmjet shënimeve antropologjike shkroi për jetën e Shqipërisë në fund të shek. XIX dhe fillim shekullit XX. Fotografitë kanë në qendër momente të ndryshme të Durhamit gjatë udhëtimeve të saj në viset shqiptare.

Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar teksa foli për kontributin e madh të Edith Durham në çështjen shqiptare gjatë 7 udhëtimeve në vendin tonë, shtoi se veprimtaria e saj ka luajt një rol të rëndësishëm në prezantimin e shqiptarëve në Ballkan dhe Europë.

“Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, sepse ajo nga dita që shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve. Ajo u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse ne e konsiderojmë atë si bijën tonë dhe i dhamë titullin e lartë “Mbretëresha e Maleve”. Edith Durham është pjesë e historisë së Shqipërisë”, u shpreh Koçi.

Gjithashtu, përpos ekspozitës u bë edhe konferenca me studiues të fushave të ndryshme, të cilët me kumtesat e tyre ndalën tek lidhjet edhe mbresat e udhëtimeve të Edith Durhamit në trojet shqiptare. Ekspozita "Miss Mary Edith Durham" do të qëndrojë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri më datë 30 nëntor.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?