Sipari i aktiviteteve të Javës Kulturore të Kinës u hap me ekspozitën “MIQTË, ART e HISTORI”, në Galerinë e Arteve në Tiranë.
Në ekspozitën që do të qëndroje për një javë, janë të ekspozuara 60 vepra të realizuara në akuarel, nga mjeshtra botëror të njohur kinezë dhe jo vetëm.
Punimet na sjellin afër natyrën dhe peizazhin kulturor, folklorin aq intrigues të dy vendeve, vepra të cilat artistët kinezë i krijuan gjatë udhëtimeve në Shqipëri.
“Sot hapet sipari i të gjitha aktiviteteve të Javës Kulturore të Kinës, organizuar nga Ambasada Kinës dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Është një ekspozitë që na u kërkua se ne kemi një eksperiencë shumë të madhe me artistët Kinez, që nga 2015. Kemi disa muaj që po punojmë. Kemi ftuar absolutisht artisët më me zë ndërkombëtarisht. Vijmë sot me një ekspozitë me rreth 60 punime. Janë punime që i kanë bërë gjatë udhëtimit në Shqipëri, ose janë punime të miat të bëra gjatë udhëtimit tim në Kinë. Është një ekspozitë e mbajtur kryesisht në teknikën e akuarelit, ku shkolla kineze është një nga më të mira në botë dhe kanë ardhur shumë shpesh, kanë dhënë mësime falas si sapo bëri mjeshtri. Titulli i ekspozitës është shumë i thjeshtë “MIQTË/ ART & HISTORI”. Do jetë një ekspozitë që do të qëndroje një javë e hapur. Janë rreth 60 punime të më shumë se 25 artistëve nga Kina dhe 20 piktura të miat që i kam bërë gjatë udhëtimeve në Kinë. Ka një gërshetim të kulturës Kineze me atë Shqiptare. Momenti që ata vijnë në Shqipëri kanë pikturuar kostume shqiptare, apo pikturën shqiptare ose portrete. Është një ekspozitë e një standardi shumë të lartë teknik. Do kemi gamë të ndryshme të disa gjinive, që nga portreti, peizazhi, kompozimet edhe natyra e qetë”, tha kuratori i ekspozitës, Helidon Haliti.
Me po kaq emocion vjen peizazhi kinez përmes syve dhe duarve të mjeshtrit shqiptar, kurator i ekspozitës, Helidon Haliti, realizuar në udhëtimet e tij në Kinë.
Kjo ekspozitë përkon me 75-vjetorin e miqësisë mes dy vendeve Kinës dhe Shqipërisë, për të cilën ambasadorja e Kinës Pang Chunxue thotë se synohet të forcohen në të ardhmen.
“Besoj se kjo ekspozitë do të luajë një rol pozitiv në forcimin e miqësisë midis njerëzve të dy vendeve. Në epokën e re, marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Pala kineze dëshiron të forcojë koordinimin me palën shqiptare për të forcuar marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në të ardhmen”, tha ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue.
Ekspozita është organizuar nga Ambasada Kineze në Shqipëri me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare..