Një arkiv i rrallë, i ruajtur në Itali nga familja e njohur Quaroni, do të ekspozohet nga data 17 maj deri më 29 qershor, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës. Fotot i përkasin koleksionit tw arkivit personal fotografik të Pietro dhe Larissa Quaroni-t.
Fotografitë janë bërë nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në ambasadën e Italisë në Shqipëri në periudhën 1928– 1931 dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohet për herë të parë për publikun. Në ekspozitë do të shfaqen përreth 85 fotografi të përmasave të ndryshme, të shoqëruara nga dy dokumentarë të së njëjtës periudhë dhe për herë të parë jepet mundësia të shihet në tërësinë e tij arkivi i pasur (mbi 750 fotografi) i dixhitalizuar për këtë rast. Bwhet fjalw pwr pamje befasuese dhe autentike, për figurat politike dhe personazhet që kanë dominuar skenën shqiptare përgjatë viteve ’20 dhe ’30. Ekspozita është pa dyshim një mënyrë për të nderuar kujtimin e gjyshërve të saj, por në mënyrë të veçantë ka për qëllim të vërë në dispozicion të studiuesve shqiptarë dhe italianë një pasuri me vlerë historike.
Pietro Quaroni i hyri rrugës së diplomacisë në vitet ’20. Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, çfarë edhe i shërbeu edhe gjatë karrierës së tij si diplomat. Sipas Enciklopedisë Italiane, përveç gjuhëve “perëndimore” njihte edhe gjuhën ruse, serbo-kroate e shqipe. Ishte një diplomat me integritet dhe jo gjithnjë ishte në një mendje me vendimet e Musolinit. Kjo i kishte hapur probleme në karrierën e tij. Për qëndrimet e tij, në 1936 do ta transferonin në Kabul, ku do të qëndronte thuajse i izoluar deri në vitin 1944, kur me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ish-Bashkimin Sovjetik, do të transferohet në Moskë si ambasador i Italisë.
Më pas do të shërbente si ambasador në Paris nga viti 1947-1958, duke dhënë kontributin e tij në përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Vlerësohet si një narrator i gjallë. Ka shkruar tekste diplomatike, si dhe dy vëllime me kujtime nga shërbimet e tij në vende të ndryshme të botës. Mes tyre është edhe Shqipëria, por edhe më i veçantë ky koleksion fotografik, që na rikthen pas në kohë, në një tjetër atmosferë dhe në vende që nuk ekzistojnë më