Zelensky javën e ardhshme në Tiranë, çelet ekspozita 'Ukraina, një krim lufte', Rama: Në samit liderët nga Evropa Juglindore

22 Shkurt, 19:56| Përditesimi: 22 Shkurt, 22:50

  • Share

TIRANË- Në kryeministri u çel sot ekspozita me 50 fotografi, dëshmi pamore të agresionit rus mbi popullin ukrainas, pjesë e librit me të njëjtin titull të grupit të fotoreporterëve nga e gjithë bota.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se ekspozita është çelur në prag të samitit për Ukrainën që do të mbahet në Tiranë në 28 shkurt, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrasinas Volodymyr Zelensky.

“sepse kjo ekspozitë çelet në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë, e cila do të kulmojë me një Samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky natyrisht është bashkë me ne si bashkë-organizator së bashku me mua, për këtë aktivitet që në kontekstin e sotëm ka, sipas meje, një rëndësi të posaçme.

Fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë janë të tepërta sot, për më tepër kur ekspozita e përcjellë përmes fotografive që ngjajnë si fotografi filmash por në fakt janë fotografi të çdo ore dite apo nate të popullit ukrainas në furinë e agresionit rus, krejtësisht i pajustifikuar. Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja”- u shpreh Rama.

Rama tha se lufta në Ukrainë është si përplasje mes 2 botëve ku Rusia përpiqet t’u imponojë ukrainasve jetesën në të shkuarën. Kryeministri theksoi edhe njëherë solidaritetin e patundshëm të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

“Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën, është përplasje mes 2 botësh dhe 2 mënyra të ndryshme të të parit të botës.  Duke shprehur edhe sot me këtë rast solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe popullin ukrainas dhe duke falënderuar të gjithëve ju për praninë tuaj këtu sot, shpresoj që këto momente të kaluara së bashku në praninë e këtyre imazheve të ardhura nga një front ku luftohet dhe humbasin jetë njerëzish e shkatërrohen pasuri të patundshme të ngritura me mundim dhe jetohet ditë natë në presionin e sirenave që lajmërojnë bombardimin e rradhës, u shpreh të gjithëve kënaqësinë që jeni këtu sot”- përfundoi fjalën e tij kryeministri.

I pranishëm në ekspozitë ishte edhe ambasadori ukrainas në vendin tonë Volodymyr Shkurov. 

Presidenti i Ukrainës, pritet të mbërrijë në Tiranë më 27 shkurt dhe bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama do të organizojnë samitin për Ukrainën që mbahet një ditë më pas. Samiti do të drejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky, ndërsa të pranishëm do të jenë liderë dhe zyrtarë të Bashkimit Europian. Ndërsa 1 ditë më vonë, më 29 shkurt kryeqyteti pret liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e BE-së për rritjen ekonomiketë rajonit. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?