Ekspozita “Përjetësia femërore” bën bashkë 36 artistë shqiptarë

5 Shkurt 2019, 18:43| Përditesimi: 5 Shkurt 2019, 20:02

  • Share

 

 

Nga Valeria Dedaj

“Përjetësia femërore” një ekspozitë kushtuar femrës shqiptare dhe rrugëtimit të saj përgjatë një shekulli është çelur në Rezidencën e Ambasadorit Italian në Tiranë. Një ekspozitë që përçon tek publiku përmes skicave të thjeshta, pikturave e skulpturave se si ka ndryshuar në kohë imazhi i femrës shqiptare, duke iu përshtatur ndryshimeve të thella politike e kulturore, që kanë prekur vendin tonë nga vitet ‘900 e deri në ditët e sotme. Kuratori i ekspozitës, Artan Shabani, rrëfen se puna për realizimin e “Përjetësisht femërore” ka nisur prej kohësh.

 

Në këtë rast kemi 36 artistë që nuk janë pak, ajo që i bën bashkë është figura e femrës në artin shqiptar, duke nisur nga Lasgush Poradeci, por kemi edhe vepra të vitit 1923, të ‘900, Ibrahim Kodrës, Muntaz Dhrami, Suzana Varvarcia etj.

Artan Shabani, Kuratori

Kuratori shprehet se në qendër është figura e femrës, mënyra se si artisti e shikon dhe e trajton portretin e gruas, të nënës, të motrës. “Si e projekton edhe si e sjell në artin e vet. Secili ka një gjuhë të personalizuar në zhanre të tjera”.

"I prirur për të pasur autorë përfaqësues, kundrejt një numri të madh artistwsh, koleksionisti i Kozma Dashit i sjell publikut të “Përjetësisht femërore”copëza mrekullie nga arti i Vilson Kilicës, Lasgush Poradecit, Ibrahim Kodrës dhe Simon Rrotës. Ai përzgjedh enkas për këtë ekspozitë vepra përfaqësuese që përmes teknikave të larmishme përçojnë dhe specifika të ndryshme. Ndër pikturat në fjalë ai veçon portretin e vajzës elegante me vështrim melankolik që vjen prej vitit 1923", u shpreh kuratori Artan Shabani.

 Unë mendohem mos të kem autorë pafund, por të kem më përfaqësuesit për të ndërtuar koleksionin, duke i dhënë publikut nëpërmjet teknikave të ndryshme dhe specifika të ndryshme. Këtu kam sjell katër vepra përfaqësuese. Surpriza është “Vajza me sytë me gjak” e Lasgush Poradecit, poetit tonë të shkëlqyer, që sa herë e përmendim nuk flasim dot pa emocion për të. Ndërsa, vepra e Simon Rrotës na jep atë Shqipëri që nuk është më, këto perla të etnografisë shqiptare. Ne e lakojmë përherë si shqiptarë, por i veçantë mbetet lakimi i Lord Bajronit “Shqiptarët me rrobat e tyre, më madhështorët në botë.

Kozma Dashi

Në ekspozitën dedikuar femrës nuk mund të mungonte arti i Guri Madhit, Piktori i Popullit, që solli risinë e impresionizmit në pikturat shqiptare. Në këtë ngjarje ai sjell gratë heroina përmes një imazhi gati biblik.

Guri Madhi krahas temave të historisë, ka trajtuar edhe temën që ka në qendër femrën. Historia e saj është që Shqipëria në atë periudhë u përballë me thatësira edhe administratat, shkollat, universitetet, shkonin në ndihmë për t’u ujitur. Por nga mënyra se si është kompozuar ka një frymëmarrje tjetër, jo atë të një pikture.

Pandi Madhi, djali i piktorit Guri Madhi

Imagjinata e piktorit Lekë Tasi bën vizitorët e ekspozitës pjesë të një bote fabulash ku figurat e abstraguara i ftojnë drejt interpretimesh që kanë në fokus ndjenjën më të lartë, dashurinë

Jam tërhequr më shumë nga ana formale e kompozicionit, pastaj i kam vënë titullin. Unë ndjek karakteret, dua që secila figurë që unë sjell, të më dalë vetiu tip i veçantë. Unë nuk pëlqej steriotipe, sado të bukura të jenë. Nuk kërkoj të bukurën, por kërkoj tipe të ndryshme.

Lekë Tasi, piktor

Një pikturë si poezi, ku ëndrra dhe realiteti nuk përputhen. Imazhi i piktores Brikena Berdos, një dialog mes artistes dhe publikut që reflekton dëshirat e një nëne për të birin, e njëherazi të kujton përmes hijes së djaloshit të vogël pengesat dhe vështirësitë për realizimin e tyre.

Koncepti i punës sime është një ëndërr me sy hapur, një ëndërr që çdo nënë ka për fëmijën e saj, që thur ëndrra të bukura, që përplasen në një realitet pa ngjyra. Koncepti i ekspozitës është shumë i bukur, figura e femrës vlen për t’u trajtuar, sepse përherë krijon emocion, por edhe e marrë në këtë hark kohor, flet shumë për atë që ka ndodhur me artin shqiptarë, e parë në këndvështrime të ndryshme të artistëve, edhe si ka ndikuar ideologjia në periudha të ndryshme. Figura e femrës nga ana ime është e trajtuar më shumë në aspektin e nënës. Është perspektiva, është e ardhmja. Në një pjesë të mirë të punëve të mia, është ky aspekt”.

Brikena Berdo, piktore

Ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim, lahuta kësaj here vjen e derdhur në bronz në duart e një vajze. Autorja dhe studiuesja e artit Suzana Varvarica përmes skulpturës na sjell edhe figurën e përjetshme të shqiptarit që  Fishta ka rrëfyer në “Lahutën e Malësisë”.

Kjo punë është bërë para viteve ’90. Aty ka elemente të realizmit socialist. Këto nuk duhet që t’i mohojmë asnjëherë. Fakti që unë kam bërë këtë ka ardhur për shkak të Fishtës. E lexoja shumë veprën e tij, u lidha jashtë mase me figurën edhe solla një grua, që i bie lahutës. Por kjo punë nuk është pranuar asnjëherë në një ekspozitë, sepse një grua nuk i binte lahutës, vetëm një burrë mund ta bënte këtë. Më pas është ekspozuar vetëm një herë në vitin 1993.

Suzana Kuka Vravarica, Skulptore

Piktura “Duhet të fitojmë” e artistit Robert Përmeti, që në pamje e parë të duket si fotografi vjen mandej si një dëshmi e imazhit të parë të femrave gjysmë nudo në ’84-ën.

Mes rregullit social dhe institucional dhe lirisë së qenies njerëzore, femrës në këtë rast, Albana, e bija e mjeshtrit Zef Shoshi, sjell në këtë ekspozitë “Përtej murit”.

Duket si pikturë e thjeshtë, por aty ka një lloj tensioni të vogël dhe të fshehur, nuk është kaq e dukshme. Mua më pëlqeu që këto ishin vetëm femra, vajza me të njëjtën uniformë edhe që ishin të zhytura në murin e shkollës me një lloj lirshmërie. Ky ishte impakti i parë, që plotësohej me elementë të tjerë.  Të them të drejtën figura e femrës tek punët e mia zë shumë vend. Ndoshta janë edhe shumë foto familjare, që unë i përfshi në punën time. Pastaj herë i shikoj me ironi, herë me më pak dashuri.

Albana Shoshi, piktore

Piktori që solli më të mirën e dy epokave, Zef Shoshi, në ekspozitën “Përjetësisht femërore” sjell “Nusen e re”.

“Ky është varianti dytë pas një portreti që kam punuar direkt në Kallmet direkt prej natyre me ngjyra akreliku. Në fakt është një nisëm e bukur, që trajtohet femra sipas profileve të secilit artist, ka qëndrime bashkëkohore, nga piktura tradicionale, por në përgjithësi ka shumë interes për të parë profilet e artistëve.

Zef  Shoshi, piktor

Zini Veshi sjell  “Dy gra në breg të oqeanit”, një imazh me koncept figurativ, ku  autori përçon mesazhin se esenca e ekzistencës artistike është vetë burri.

E rritur mes veprave të artit pamor,Kristanja Çene, më e reja e ekspozitës vjen me një autoportret të saj. Po përse është nxitur drejt një zgjedhje të tillë?

Frymëzimi më ka ardhur në moment edhe e kam bërë. Është autoportret. Këtu kam qenë në një gjendje normale.  Jam shumë e lumtur edhe ndihem me shumë fat që mua m’u dha kjo mundësi, do të përpiqem edhe më shumë" ,shprehet piktorja Kristanja Çen

Në ekspozitën “Përjetësia femërore”imazhi i një dorë e zgjatur drejt dy fëmijëve tërheq vëmendjen. Bëhet fjalë për një vepër që kuratori i ekspozitës Artan Shabani e ka krijuar në 2019-tën.

 

Është prezenca e esencës, e së padukshmes, publiku shikon një dorë, është dora e nënës sime, që nuk e kam më. Kështu që këtu stigmatizohen disa element. Kam një autoportretet kur kam qen fëmijë, dhe kjo figurë që shpesh duket, shpesh zhduket, por që të mbron tërë kohës”, rrëfen ai.

Një vepër që mbart një ngarkesë emocionale, mes mungesës, nostalgjisë deri tek prania e të mbinatyrshmes.

“Gjithmonë një artist në mënyrë të heshtur ose jo i dedikon një ekspozitë dikujt. Sigurisht te figura femërore është brenda secilit përtej nesh, është figura e nënës, e vajzës. Të gjithë jemi të rrethuar nga prezenca familjare, nga nëna, bashkëshortja, vajzat, mikeshat”.

“Përjetësisht femërore” sjell për publikun vepra dhe autorë që shënjojnë epoka të artit pamor në Shqipëri, talente të reja, por mbi të gjitha rrëfejnë historinë e gruas shqiptare përmes pikturës.

Për mua nuk ka qenë e lehtë. Është kënaqësi që t’i bësh bashkë, sepse shpesh në realitete të vogla është më e kollajtë më artistët të përçahen. Artisti është në opozitë me shoqërinë edhe kërkon që të jetë i pranuar, por nuk është se është përherë i pranuar. Kultura është një ndjesi e thellë, edhe mendoj se është investimi më i madh që një prind mund të bëjë për fëmijën e vet”, përfundon kuratori.

Ekspozita do të qëndrojë hapur për publikun deri në datë 30 prill 2018.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Juli i Limone s/Garda: 05/02/2019 21:44

    ..Bravo.,Maestro Shabani!Complimenti!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?