Ekspozita / Piktori Hermon Madhi rrëfen udhëtimin e shoqërisë njerëzore në '30 mite të vjetra moderne'

22 Janar 2020, 16:08| Përditesimi: 22 Janar 2020, 16:28

  • Share

Denatyralizimi i botës njerëzore dhe njeriu i programuar, që dita-ditës po na bëjnë që të humbasim vlera të qenësishme në shoqërinë tonë, është ajo çka drejtë së cilës është orientuar kësaj here arti i piktorit Hermon Madhi. Artisti sjellë 30 grafika në ekspozitën “Mite të vjetra moderne” në qendrën për hapje edhe dialog, për të rrëfyer udhëtimin e shoqërisë sonë, që nga periudha antike deri në ditën e sotme. Për kuratorin e COD, Genti Gjikola, kjo ekspozitë risjell në vëmendjen e publikut mite të rëndësishme të historisë me një gjuhë moderne.

 “Kjo është ekspozita e parë në COD për vitin 2020. Me këtë cikël Hermoni ka krijuar një identitet më të veçantë, kemi përzgjedhur 30 grafika, të cilat janë të gjitha të vitit 2019. Ka qenë një lloj shpërthimi i krijimtarisë së tij, nisur kjo mesa duket edhe nga ngjarjet politike që kaluam vitin që lamë pas. Hermoni nuk është hera e parë që merret me tema klasike të historisë së artit, tema klasike të shoqërisë njerëzore, por kësaj here ai ka kthyer mite të fuqishme të historisë së këtij kontinenti, edhe jo vetëm në një gjuhë bashkëkohore, në grafika interesante të punuara”, shpjegon Gjikola, teksa shton se të gjitha punimet janë brenda formatit A4, më shumë si një bllok shënimesh dhe krijimesh, që artisti i mban përherë me vete, sesa si një krijimtari që bëhet në studio.   

“Besoj se mitet janë shumë të domosdoshme për jetën e secilit prej nesh, vet Hermoni mendon se kjo është një lloj arti, ku mitet nëpërmjet heronjve edhe mitizimeve kërkojnë një lloj kohe që të dalin përtej kësaj lloj gjendjeje që nuk është shumë e kënaqshme për njerëzimin sot.  Pavarësisht se në pamje të parë punimet duken abstrakte, të gjitha janë figurative, deti, trupi i njeriut, heshta, janë të limituara në tre ngjyra, të kuqe, të zezë edhe blu”, shpjegon Gjikola.

Piktori na rrëfen se u është rikthyer atyre miteve që e kanë frymëzuar që prej fëmijërisë, miteve antike greke, të biblës edhe heronjve, duke shmangur pakëz mesjetën, edhe duka pas në qendër të vëmendjes ata njerëz që kanë pasur ndikim në ngjarje, të cilat ende dhe sot njerëzit i konsiderojnë si pjesë të vetat.

“Unë ndala në fillim tek antikiteti grek, u riktheva në fëmijëri, pastaj pashë edhe personazhe shumë interesant në bibël, disa personazhe i doja anonim edhe disa jo. Mendoj se është e nevojshme edhe në ditët tona, në epokën elektronike, për të na zgjuar edhe nga gjumi, që të shikojmë bëmat edhe sakrificat që janë bërë dikur, qoftë edhe për dashurinë. Mendoj se njerëzit po heqin dorë nga kënaqësitë e vogla të jetës, prandaj duhet të shmanget rruga elektronike, që njerëzit të jetojnë pranë natyrës apo të ndërtojnë vet diçka”, shprehet Madhi.

Ekspozita do të qëndrojë hapur në qendrën për hapje edhe dialog në kryeministri deri në datë 31 janar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?