Të qenit grua në realitetin shqiptar, është tematika që kësaj here ka frymëzuar fotografen Anjeza Dyrmishi. E për këtë ajo ka zgjedhur që në 20 fotografi në bardhezi, në “Portrete jete” të bëjë bashkë ato histori, të cilat kanë lënë mbresa në punën e saj, si fotografe, duke i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar
“Të gjitha historitë e këtyre grave kanë lënë mbresa tek unë, por arsyeja se për se unë i bëra bashkë, është sepse të gjitha janë gra”, shprehet Dyrmishi.
Një vajzë me nevoja të veçanta, një tjetër e re, që edhe pas vrajave që ka shënjuar sëmundja në trupin e saj, ajo ndihet triumfatore, e midis tyre portreti plot rrudha shënon peripecitë e jetës, para dhe pas viteve ’90, së një tjetër zonje, që fati nuk i ka buzëqeshur.
“Kjo grua, e cila kishte kaluar një jetë plotë vuajtje kur erdhi në studion time për të bërë fotografi, erdhi me këtë xhaketë, të cilën unë mendova që ta kompozoja në këtë mënyrë. Por, edhe në çelje të ekspozitës ajo që më ka bërë përshtypje është se ajo sërisht erdhi po me të njëjtën xhaketë, e përmes kësaj kuptova edhe gjendjen e saj ekonomike”, shprehet fotografja.
Fotografja Dyrmishi përkrahë këtyre historive, ka vënë edhe portretet e atyre grave, të cilat kanë mundur, që përpos paragjykimeve të shoqërisë, të jenë të vendosura në zgjedhjet e tyre
“Sikundër thashë, të gjitha këto portrete janë grash, të cilat kanë kaluar jetë të ndryshme nga njëra-tjetra, prandaj nuk duhet gjykuar asnjëra prej tyre”, thotë ndër të tjera Dyrmishi.
Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar.