Ekspozita/Raporti i njeriut me natyrën në veprat e Shimës dhe Stommel-it

14 Tetor 2020, 16:29| Përditesimi: 14 Tetor 2020, 20:45

  • Share

Ekspozita “Krah për krah” e dy artistëve Orion Shimës dhe gjermanit  Martin Stommel është çelur në “Galerinë 70” në Tiranë.

Kuratori i ekspozitës Edison Çeraj rrëfen se artistët ekspozojnë së bashku për të prezantuar tek vizitorët dy këndvështrime të ndryshme, nga një anë marrëdhënien e njeriut me natyrën edhe nga ana tjetër raporti i njeriut me veten, me zotat dhe të ardhmen në shoqërinë moderne.

“Stommeli merret më shumë me mitologjinë, si Afërdita, ndërsa, Shima është më i hapur dhe më me pak kohë, duke vënë në natyrë zakonisht një personazh në marrëdhënie me natyrën”, shprehet kuratori Edison Çeraj.

Çeraj këtë reflektim të dy piktorëve, që është duke e përjetuar dhe shoqëria moderne në ditët e sotme, e sheh si një tragjikomizëm, ku përditë hasim dy ekstremitete

“Është një lloj drame, komedia në një anë edhe tragjedia në një anë është po aq e skajshme, edhe në çastin që ato shkrihen me njëra-tjetrën kemi dramën. Kemi të bëjmë me dy ekstreme. Një grup njerëzish, që e adhurojnë natyrën, që nëse prish një pemë, hedhin qeverinë. Por, kemi dhe një grup tjetër që po i marrin natyrës çdo lloj lëngu, duke cenuar ekuilibrat ekologjik në natyrë. Kemi nevojë për një lloj ekuilibri të mesëm, që as të mos e adhurojmë, por as të mos kemi ankth të vazhdueshëm, kur jemi në natyrë”, thotë Çeraj.

Artistët Martin Stommel dhe Orion Shima kanë ekspozuar dhe në vende të ndryshme të botës. Ndërkohë, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 nëntor në “Gallerinë 70”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?