Kultura

Ekspozitë në Muzeun 'Marubi', pazari i Shkodrës përmes artefakteve e imazheve të rralla! Koleksioni i tregtarit Palokë Laca

19 Korrik, 17:24| Përditesimi: 19 Korrik, 17:36

  • Share

Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i kryeqendrës së veriut.
Artefaktet e tij i gjejmë të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një pjesë e koleksionit të Palokë Lacës, bashkë me të tjera objekte të emrave të tjerë njohur në qytetin e Shkodrës prezantohen në një ekspozitë për Pazarin e humbur të Shkodrës.

Në dialog me objekte nga fondi i etnografisë të Institutit të Antropologjisë dhe me imazhet e pa publikuara të arkivit të Muzeut Marubi, ekspozita rrëfen historinë vizuale të Pazarit të Shkodrës, që për dekada ndikoi jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit. 

“Familja e Palokë Lacës kishte disa trashëgimtarë mjaft të njohur, siç është Bep Martini, i cili merret me dizenjimin e tekstileve dhe një djalë tjetër, shumë i rëndësishëm, siç është Kolë Laca, i “Shkodrës elektronike”. Rezultonte që në Muzeun e Budapestit, Palokë Laca të kishte dhënë rreth 300 objekte.”, thotë drejtori i Muzeut "Marubi", Luçjan Bedeni. 

“Përmes kësaj ekspozite, unë dëshiroj që të marr çdonjërin nga ju si në një udhëtim që ju kthen pas në kohë, kujtime dhe imagjinatë. Në këtë mënyrë secili ka mundësi të përfytyrojë përvojën e vet në zemër të Pazarit të vjetër të Shkodrës. E gjitha nis nga simboli i këtij qyteti, kështjella e Rozafës.”, shprehet kuratorja Kim Knoppers. 

“Pazari ka rrënjë të thella, që shkojnë deri në shek. XIV, të rivitalizuara pas pushtimit otoman dhe arrin fazën e artë në shek. XVIII, nën drejtimin e familjes së Bushatllinjve.”

Një seksion i veçantë i kësaj ekspozite i është kushtuar dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale përmes punimeve të tij në tekstile jacquard, duke lidhur mjeshtërinë tradicionale me stilin modern.

“Përveç teknikës së zgjedhur, që është teknika e thurjes në tezgjah në këto punime janë edhe eksperimentet më të reja të teknologjisë moderne, madje dhe disa eksperimente që ende nuk janë në përdorim. Kemi bashkuar kohë të ndryshme, kemi marrë frymëzim i një koleksioni i mëse një shekulli më parë dhe e kemi kthyer në ditët e sotme.”, shton dizajneri Jozef Martini. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 13 shtator të këtij viti.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Peqin Dozhala: 19/07/2025 18:02

    Ce jan mor icato arabe? Kaja mor kaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?