Një ekspozitë e hapur në ambientet e Autoritetit të dosjeve mbi përndjekjen e Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në jug të vendit, zbuloi të vërtetat mbi fatin e një varg personalitetesh çamë, si Rexhep Plaku, Tahir Demi, Teme Sejko etj dhe persekutimit të gjithë familjeve të tyre. Këto dokumente janë disa mijëra faqe dhe dokumentojnë goditjen e përqendruar dhe përndjekjen, rezistencën dhe masat që e pasuan.
Jemi mbledhur këtu sot për të hapur një seri aktivitetesh që ne i kemi quajtur dialog rajonal për të shkuarën dhe një prej tyre historive që na goditi shumë ishte historia e persekutimit komunist në Konispol.
Genta Sula, Kreu i Autoritetit të hapjes së dosjeve
Sipas grupit të punës në autoritetin e dosjeve bëhet e ditur se në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore e gjyqësore e bashkëpunëtore për 46 viktimat e evidentuara. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë dhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kryetari i bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri, pasardhës e miq të familjeve Demi, Sejko, Plaku etj.
Shqipëria tenton që të ndahet nga e kaluara. E vërteta është ajo që na ndihmon të gjithëve, mbi të gjitha të kujtojmë shpirtin fisnik të atyre burrave e grave, të cilët jo rastësisht u persekutuan.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Goditja e elementit me kontribut antifashist në jug të vendit nisi që në vitin 1946 me dënimin e Rexhep Plakut, themeluesi i batalionit “Çamëria” dhe vijoi me dënimin e admiral Teme Sejkos dhe grupit të tij në vitin 1961. Deri në vitin 1673 terrori u shtri në dhjetëra emra në familjet e tyre, duke e shenjuar për disa breza fatin e një bashkësie të tërë.
Ekspozita e përgatitur në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe bashkinë Konispol, hap siparin e aktiviteteve kushtuar përkujtimit të figurave të shumë diskutuara që do të mbahen në Konispol në 26 qershor, në praninë e komunitetit vendas.