Skulptori Emanuel Koko edhe piktorja Blegina Hasko janë bërë bashkë për të ekspozuar 22 vepra arti në galerinë e artit “Kalo”. Në ekspozitën “Artisti dhe natyra” nëpërmjet veprave të artit vijnë dritat, hija, ngjyrat, format, profilet, siluetat edhe linjat e natyrës. Vet piktorja Hasko, e cila ka bërë edhe kurimin e kësaj ekspozite mendon se artistët mund të dekodifikojnë gjuhën e veçantë të natyrës me ndërhyrjet e tyre, si tek një gur apo një drurë me formë të ç'rregullt, por edhe në peizazhe a trille vizual. Prandaj, sipas Haskos, vëmendja e njeriut duhet që të jetë edhe më e madhe ndaj natyrës.
“Njerëzimi trajtohet si mrekulli, krijesë e nënës natyrë, madje si kryevepër inxhinjerike-biologjike, por edhe si kryevepër arti, për shkak të qenies estetikisht i përsosur. Natyra na befason me dritën e saj magjepsëse, hijet, ngjyrat, format, profilet, siluetat, linjat. Prandaj ne nuk duhet që të qëndrojmë indiferent ndaj saj”, shprehet Hasko.
Foto nga ekspozita 'Artisti dhe natyra'
Veprat e skulptorit Emanuel Koko janë ekspozuar në hapësira publike brenda edhe jashtë vendit. Ndërsa, në këtë ekspozitë artisti sjell se si nga ndërhyrjet e tij në botën materiale që gjendet në natyrë, i jep jetë edhe shpirt një figure njeriu, kafshe apo shpendi.
“Ekspozita “Artisti edhe natyra” trajton idenë, që një fragment i natyrës mund të interpretohet nga ne, duke e kthyer në art. Natyra është shumë e domosdoshme për ne, sepse aty gjejmë qetësi në jetën e përditshme, por edhe bëjmë interpretime të ndryshme”, shprehet Koko.
Ekspozita “Artisti dhe natyra” do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në galerinë “Kalo”.