Ekspozohen për herë të parë tre tablo të Edison Gjergos

28 Shkurt 2019, 17:56| Përditesimi: 28 Shkurt 2019, 18:46

  • Share

21 artistë janë bërë bashkë për të ekspozuar në edicionin III të ekspozitës EkspoART në Muzeun Historik Kombëtar. Për herë të parë, si një homazh ndaj piktorit Edision Gjergo, prezantohen edhe tre tablo të pazbuluara më parë, si “Kitarë”, “Bashkëshortja Tatjana” dhe “Maskë gruaje”. Janë piktura të realizuara në fillim të viteve ’70, të cilat i ruan bashkëshortja e tij, Tatjana. Studiuesi edhe kritiku i artit Ylli Drishti flet për kontributin e piktorit në artin pamorë shqiptar dhe rëndësinë e veprave 

“Piktori Gjergo është një emër i njohur në historinë e artit shqiptar, sepse së bashku me Ali Osekun, Edi Hilën etj., bënë lëvizjen ndryshe në artin e viteve ’70, duke “thyer” kornizën e realizmit socialist”.

Tablotë e Gjergos nuk janë abstrakte, kanë një subjekt, një imazh, dy natyra të qeta edhe një portret të gruas së zemrës. Ndërsa, muzika klasike ishte pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij

“Miqtë e tij thoshin se Gjergo pikturonte duke pasur në sfond muzikën e Beethovenit, me ngjyra të ngrohta edhe një portret  të kompozitorit, duke e gdhendur në allci”, thotë Drishti.

Kuratori mendon se Gjergos i intereson loja e ngjyrës, teksa ai interpreton subjektin, sikundër ka bërë edhe në tablonë e realizuar për bashkëshorten e tij

“E ka mbajtur në një gamë, me pak të kuqërremtë në faqe, ndërsa flokët vijnë si një njollë e plotë, që identifikojnë portretin”, tha ai.

Në tablonë e tretë sjell një interpretim të realitetit të përditshëm.

“Në ato vite në shtëpitë e shqiptarëve kishte një lule shqiponja, që ishin përherë në një kënd të shtëpisë, edhe këtu piktori lëviz me ngjyrat. Kokën e allçisë e trajton me hije drite, luan me penelatën, duke të kujtuar Van Gogun”.

Në fondin e GKA-së ruhen katër vepra të Gjergos. Dy kompozime, “Epika e Yjeve”, vepra për të cilën edhe u dënua gjatë regjimit komunist dhe “Fonditori”.

Aty ndjen se ky piktor ka prirje të bëjë një art ndryshe, për të cilin pati fatin e keq që u dënua”,shprehet Ylli Drishti.

Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture larg nga rregullat e regjimit socialist. Ekspozita EkspoART do të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri në datë 3 mars.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?